Të gjithë barrën e rritjes dhe edukimit të një fëmije që nga moment i formimit të tij në mitër e deri kur bëhet i rritur, e mbart nëna. Po çfarë roli luajnë baballarët në këtë udhëtim?
Roli i babait fillon pas lindjes së fëmijës?
Thuhet se baballarët ndihmojnë në zhvillimin e fëmijës pas lindjes, por në të vërtetë ata ndikojnë në zhvillimin e fëmijës që në barkun e nënës. Kjo është dhe arsyeja e futjes së baballarëve në sallën e lindjes gjatë viteve të fundit. Ky fakt mbështetet si nga psikologët ashtu dhe nga specialistë të tjerë. Është shumë e rëndësishme që babai të gjendet pranë nënës në momentin e parë të takimit me fëmijën. Në këtë mënyrë fëmija, në momentin kur hap sytë për herë të parë do të shohë të dy prindërit, do të ndjejë dashurinë e dyfishtë dhe do të krijojë një lidhje të shëndetshme me të dy.
Si duhet vendosur ky ekuilibër pas lindjes së fëmijës? Baballarët duhet të jenë polici i mirë apo polici i keq i shtëpisë?
Në të vërtetë është një ekuilibër i thurur mes të dyjave. Bashkë me aktivizimin e femrës në jetën profesionale pak muaj pas lindjes, shohim se kanë ndodhur ndryshime në rolin e babait në shtëpi. Kjo situatë ka ndikuar në minimizimin e mendimit se nëna mban të gjithë përgjegjësinë e fëmijëve. Baballarët e sotëm parapëlqejnë të zhvillojnë aktivitete zbavitëse me fëmijët e tyre, të luajnë me ta dhe të mos i lënë të qajnë. Dhe rrjedhimisht babai kthehet në policin e mirë të shtëpisë. Në disa shtëpi nënat i përdorin baballarët për të vendosur disiplinën që nuk arrijnë ta vendosin vetë, duke krijuar një imazh të frikshëm dhe të zemëruar. Në raste të tilla babai sigurisht që bëhet polici i keq i shtëpisë.
A duhen luajtur vetëm lojëra zbavitëse, apo duhet të merret edhe me plotësimin e nevojave fizike dhe emocionale të fëmijës?
Si babai ashtu dhe nëna duhet të jenë aktivë në plotësimin e nevojave të ndryshme të fëmijës. Edhe baballarët mund të merren me ushqyerjen e fëmijës, larjen apo ndërrimin e tyre. Në këtë mënyrë fëmijët mund të krijojnë një marrëdhënie dhe komunikim më të shëndetshëm.
Pse është kaq e rëndësishme marrëdhënia e shëndetshme baba-fëmijë?
Sepse një marrëdhënie e shëndetshme baba-fëmijë ndikon në zhvillimin e karakterit dhe individualitetit të fëmijës. Pra një fëmijë i cili komunikon mirë me babanë e tij, ndihet i sigurt, i beson vetes e të tjerëve, është më i zhvilluara mendërisht. Është vënë re se një marrëdhënie e shëndetshme baba-fëmijë është shumë e rëndësishme në rritjen e suksesit akademik të fëmijës dhe zhvillimit të zgjuarsisë. Në të njëjtën kohë ajo është shumë e rëndësishme edhe për zhvillimin personal e moral të fëmijës. Roli i babait si një model për t’u marrë shembull nga fëmija ndikon në zhvillimin e vlerave individuale dhe sociale të fëmijës, ndikon pozitivisht në përvetësimin e roleve gjinore. Sipas studimeve të bëra shohim se baballarët luajnë një rol më efektiv se nëna në mësimin e fëmijëve me seksualitetin e tyre. Zgjedhja e babait si një model është shumë i rëndësishëm si për fëmijën mashkull në gjetjen e vetvetes, ashtu dhe për fëmijën femër në aprovimin e sjelljeve femërore.
Ja disa këshilla për baballarët apo ata meshkuj gati për t’u bërë baballarë:
• Përpiquni të jeni sa më aktivë pas lindjes së fëmijës përsa i përket përkujdesjes së tij;
• Kaloni kohë me fëmijën tuaj dhe luani shumë me të;
• Shprehjani dashurinë edhe me fjalë edhe me gjuhën e trupit, ose thënë ndryshe prekeni dhe përqafojeni shpesh atë;
• Tregohuni të kujdesshëm të jeni pranë fëmijës në ditët e veçanta;
• Prisni rritjen e fëmijës për të thurur një marrëdhënie me të;
• Komentet dhe reagimet tuaja si baba janë shumë të rëndësishme për fëmijën, këtë mos e harroni asnjëherë!;
• Kur fëmija juaj gabon mos e kritikoni dhe paragjykoni menjëherë, por më parë shpjegojani veprimin e gabuar dhe atë ç’është e drejtë. Nëse pas këtij hapi ai do të praktikojë fjalët tuaja, atëherë lavdërojeni me fjalë, por nëse e përsërit gabimin atëherë ballafaqojeni me rezultatin e veprimit. Të mos harrojmë se fëmijët marrin shembull veprimet tona më shumë se fjalët e thëna. /Start/Aisa Kokiçi/
Categories