Barcelona fiton derbin e spektaklit me Realin e Madridit, duke zbritur nga kreu Los Blancos e duke mos i lejuar këta të fundit ta çojnë game over në garën për titullin. Messi është njeriu që me tre golat e tij jo vetëm i jep fitoren katalanasve pas një ndeshjeje të çmendur 4-3, por gjithashtu bëhet dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë sfidë duke parakaluar Di Stefanon.
Si mund ta luash një El Clasico, kur ke aq shumë violina të para në dispozicion, hidhi të gjithë së bashku për të ndërtuar orkestrën. Pikërisht këtë gjë bëjnë si Ancelotti gjithashtu dhe Martino, që nuk kursejnë solot në fushë, madje argjentinasi rikthen në formacion dhe Neymar. Fillimi i sfidës është menjëherë “Muzika Maestro”, me të dyja skuadrat që performojnë notat e një futbolli spektakolar. Neymar i ngroh duart Diego Lopezit, ndërsa Benzema ia nxeh ato Victor Valdesit. Me një start kaq të vrullshëm nuk ka si të mungojë goli, dhe Carvajal në të shtatën stonon në mbulim, duke i lënë skenën Andres Iniestan, që me goditjen e tij fantastike bëjnë të zbresin “fantazmat e humbjeve të kaluara” në “Santiago Bernabeu”. Heshtja e impiantit është muzikë për këmbët e lojtarëve të Barcelonës, që në minutën e 14-të shikojnë yllin e tyre Lionel Messi të paraqitet i vetëm përballë Diego Lopez-it, por goditja e tij merr tjetër drejtim nga ajo e rrjetës duke përfunduar jashtë. Ndërkohë që vetëm dy minuta më parë, Benzema i kujtoi tifozëve kohët e gabimeve të tij të mëdha, kur fali një gol të sigurtë nga dy hapa. Me një shpërdorim të tillë, pak kush beson se Benzema do të bëhet heroi i Los Blancos përvecse Di Marias, që në të 20-tën, sërish kërkon duetin me francezin, që këtë herë fluturon aty ku nuk arrin askush për të çuar në ekstazë “Santiago Bernabeun”.
Festa e Realit duket sikur prishet nga Di Maria që këputet në fushë, por për lojtarin jo vetëm që nuk është diçka serioze por gjithashtu sapo prek topin e parë shërben sërish për Benzeman, që dhe njëherë tjetër i heq të drejtën e reagimit Victor Valdesit. Çdo top që kalon në këmbët e Di Marias, duket sikur është i destinuar të përfundojë te Benzema, që këtë herë shikon Pique t’i mohoj tregolëshin mbi vijën fatale. Peshorja e forcës ka ndryshuar dhe Messi duhet të përshtatet me ritmin e ri. Argjentinasi e kap menjëherë ndryshimin dhe në mintuën e 42-të, pas një bashkëpunimi me Neymar ia mbush rrjetën Realit me golin e barazimit duke ngritur përpjetë dhe kaçurrelat e Pepes, që “xhentilesën” e tij e shfryn ndaj Fabregas. Në fushë luhet tashmë El Clasico i nervave por për fat është fundi i fraksionit të parë dhe skuadrat shkojnë e qetësohen në dhomat e zhveshjes. Megjithatë nervat vazhdojnë të jenë të tendosuara, duke shërbyer si tela për violinën e Ronaldos, që në pjesën e dytë përpiqet të nis simfoninë e Realit duke manipuluar disi dhe vështrimin e kryesorit Mallenco, që akordon një 11-metërsh të paqënë për Los Blancos, të cilin portugezi e kthen në gol.
Mënyra më e mirë për të bërë muzikë është të mos bësh zhurmë, dhe zhurma e 11-metërshit të Ronaldos, shndërrohet në muzikë për Barcelonën, që në minutën e 64-tërt sheh Neymar të fluturojë në zonë pas përkëdheljes së Ramosit, që i kushton këtij të fundit kartonin e kuq, dhe Messit golin e 20-të në një El Clasico.
Superioritetin numerik Barcelona për pak sa nuk e kthen dhe në superioritet në rezultat, por goditja e Alves në minutën e 74-tërt stampohet në shtyll. Fati i El Clasicos megjithatë do të vendoset nga 11-metrat pasi Iniesta bëhet sanduiç në mes të mbrojtjesve madrilene. Protestave të Realit, Messi i përgjigjet në këtë mënyrë
Me fitoren 4-3 të Barcelonës mbyllet një El Clasico i çmendur, që rihap kampionatin por që më siguri do të ndezë dhe polemikat. Ai i fushës përfundoi këtu, por ai i deklaratave do të vazhdojë.
EDITOR
11 years ago
previous article
Cila është domethënia që ka për Ukrainën humbja e Krimesë?
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
11 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
11 hours ago