Categories
Lajme FRI

Baza konceptuale te sistemit ekonomik islam

Sabaudin Jashari
Akidja (besimi) islame është baza e sistemit ekonomik islam.
Ky besim sqaron marrëdhënien e njeriut me gjithësinë, me Krijuesin e gjithësisë, me qëllimin e ekzistencës së njeriut sic sqaron dhe rrugët e realizimit të këtij qëllimi. Nën hijen e këtij besimi bëhet e qartë se njeriu është një nga krijesat më të përsosura e më të mira të Allahut të Madhëruar dhe se Allahu e ka krijuar për adhurimin e Tij, në kuptimin e gjërë të fjalës adhurim. Këtë objektiv njeriu nuk mund ta arrijë vetëm se përmes nënshtrimit të plotë e të vullnetshëm ndaj Allahut të Madhëruar. Tregues i këtij nënshtrimi ëshë organizimi i vetes së tij, sjelljes së tij dhe aktivitetit të tij, pjesë e së cilit është edhe aktiviteti ekonomik, sipas metodës së vënë e të përligjur nga Allahu i gjithësisë.
Sakaq sistemi ekonomik në Islam funksionon apo vepron me të gjitha sistemet e tjera islame për të shtruar dhe lehtësuar rrugën e njeriut për të arritur dhe realizuar qëllimin për të cilin është krijuar, adhurimin e Allahut të vetëm.
Perceptimi i saktë i kësaj baze konceptuale të sistemit ekonomik islam, nga ana e muslimanit, është shumë i domosdoshëm sepse vetëm kështu mund të njohë pozitën e tij reale në këtë botë, marrëdhëniet e tij me të dhe qëllimin e tij në këtë jetë. Sakaq do të pranojë me bindje dhe vullnet të gjitha rregullat, ligjet dhe normat e të drejtës islame në fushën e veprimtarisë ekonomike, do t’i zbatojë me rigorozitet, për rjedhojë do të shfaqen frytet e sistemit ekonomik në realitetin jetësor e njëkohësisht ky sistem do të kontribuojë në realizimin e qëllimit për të cilin është krijuar njeriu.
Derivatet e kësaj baze konceptuale
1-   Pushteti dhe pasuria absolute janë të Allahut.
Cdo gjë që ekziston është,realisht, vetëm e Allahut. Ai nuk ka shok në asnjë pjesëz të kësaj gjithësie. Ai është Krijuesi i saj sakaq Ai është pronari dhe sunduesi absolut i saj. “ E Allahut ëshë mbretëria e qiejve dhe e tokës dhe cka mes tyre” Kuran. “ Ai nuk ka shok në mbretëri” Kuran. “ Thuaj: lutjuni atyre që adhuroni vec Allahut, të cilët nuk kanë në dore as sa një grimcë në qiell e as në tokë dhe as nuk janë bashkëpronar” Kuran
Sakaq Allahu është disponuesi i vetëm i kësaj gjithësie që ka të drejtë të sillet me gjithësinë si të dojë.
2-   Pasuria që kanë njerëzit, me të cilën realizojnë nevojat dhe dëshirat e tyre, është pjesë e kësaj gjithësie, sakaq edhe ajo, realisht është e Allahut. “Jepuni atyre (kategorive merituese) nga pasuria që ua ka dhënë Allahu” Kuran
3-   Allahu është Ai i cili ka nënshtruar krijesat e Tij në shërbim dhe në dobi të njeriut dhe e ka pajisur njeriun me kapacitetet e duhura për të përfituar këtë dobi. “ Allahu ka nënshtruar cka në qiell e në tokë, gjthcka, për ju” Kuran. “ Thuaj: është Allahu Ai i cili ju ka krijuar e ju ka pajisur me dëgjim, shikim dhe perceptim, por ju falenderoni pak” Kuran
4-   Prona e njeriut është sa reale aq dhe metaforike.
Edhe pse pasuria dhe prona absolute është e Allahut, Allahu, me mirësinë e Tij e ka lejuar njeriun t’a shfrytëzojë këtë pasuri, të përfitojë prej saj dhe të kënaqet me të. Madje Allahu i Madhëruar në shumë raste, në nderim të njeriut, ia atribuon pasurinë njeriut për të krijuar harmoni mes tij dhe kësaj pasurie si dhe bashkëveprimi të jetë më i lehtë. “ Mos i konsumoni pasuritë tuaja, mes jush, mbi bazën e të kotës, apo të manipuloni me të gjykatësit, për të ngrënë një pjesë të pasurisë së njerëzve me mëkat, duke qenë të ndërgjegjshëm” Kuran ( Bekare ). “ Pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj janë sprovë për ju” Kuran
Megjithatë pasuria dhe prona absolute është vetëm e Allahut. “ Dhe jepni nga ajo pasuri për të cilën Allahu ju ka bërë mëkëmbës” Kuran.
Imam Kurtubiu në lidhje me këtë verset kuranor komenton: “ Ky verset kuranor është argument se prona në origjinë është e Allahut ndërsa robi është thjesht përdorues i saj në atë formë që e kënaq Allahun. Sic është argument se pasuritë nuk janë tuajat realisht por ju jeni administrator të tyre dhe të autorizuar për përdorimin e tyre prandaj shfrytëzoni rastin që ju jepet para se t’ju merren ju dhe t’u jepet atyre që vijnë pas jush” Imam Kurtubiu.
5-   Përdorimi i pasurisë në përputhje me atë që kënaq Allahun.
Ajo që kënaq Allahun, në lidhje me këtë cështje, është përdorimi i pasurisë për realizimin e qëllimit për të cilin është krijuar vet njeriu.
“ Me pasurinë që të ka dhënë Allahu kërko shpërblimin e Ahiretit por mos lër pas dore pjesën tënde në këtë dynja” Kuran. Kjo nuk do të thotë, asnjëherë, se njeriu duhet t’a privojë veten nga të mirat e kësaj bote apo të raskapis trupin e tij duke e privuar nga gjërat që i nevojiten. “ Thuaj: kush është ai i cili ndalon dhe bën haram mirëqënien që Allahu ka nxjerrë për robërit e Tij dhe të mirat e rizkut” Kuran.
6-   Dynjaja është mjet e jo qëllim.
“ Cdo gjë që ju është dhënë është plackë e jetës së dynjasë dhe zbukurim i saj ndërsa ajo që është te Allahu është më e mirë dhe më e përjetshme po ta mendoni” Kuran
“ Gjithcka mbi tokë e kemi bërë zbukurim për t’i sprovuar njerëzit, se kush është më punëmiri” Kuran
“ Pasuria dhe fëmijët janë zbukurim i jetës së dynjasë ndërsa punët e mira, që mbeten të përjetshme, janë me shpërblim më të madh tek Allahu dhe më jetgjata” Kuran
Vecoritë e sistemit ekonomik islam
1-  Përputhshmëria dhe harmonia me natyrshmërinë njerëzore (fitra)
Allahu i Madhëruar e ka mishëruar njeriun me një grup vlerash të cilat nuk mund të cbëhen apo të shkëputen nga përbrendësia e njeriut edhe pse mund të rregullohen dhe drejtohen në rast devijimi. Sakaq  cdo sistem që bie ndesh me natyrshmërinë njerëzore  nuk mund të ketë fryte pozitive dhe përjetësi.
Sistemi ekonomik islam ka marrë plotësisht në konsideratë natyrshmërinë humane sepse vet Islami është fe e kësaj natyrshmërie.
2-  Përputhshmëria dhe harmonia me moralet e Larta.
Sistemi ekonomik islam është i rregulluar në të gjitha fazat e tij për të mos rënë ndesh me moralet e larta, madje përforcon, kultivon dhe promovon këto vlera morale për gjatë gjithë këtyre fazave. Aktiviteti ekonomik, si një nga aktivitetet me intensive humane është ngritur, mbi bazën e bashkëpunimit për mirë dhe devotshmëri. “ Bashkëpunoni për mirë dhe dovotshmëri dhe jo në mëkat dhe armiqësi” Kuran. “ Nëse shitësi dhe blerësi, gjatë procesit të shitblerjes, janë të sinqertë me njëri-tjetrin, Allahu ua begaton tregëtinë e tyre e në të kundërt ua fshin begatinë e tregëtisë së tyre” Thënie profetike.
Pra si gjatë procesit të fitimit edhe të shpenzimit të pasurisë sistemi ekonomik islam është i moralshëm, i rregulluar e i orientuar nga parimet morale dhe vlerore hyjnore.
3-  Ekonomi mesatare.
Ekonomia islame është larg ekstremit individualist dhe atij kolektiv. Nëse ekstremi individualist e shenjtëron individin duke ia lë cdo dere fitimi te hapur, dhe ai keloktiv e asimilon individin dhe ia kufizon në minimumin ekstrem aktivitetin e tij ekonomik, Islami qëndron mes këtyre dy ekstremeve duke krijuar ekuilibrin e mrekullueshëm mes interesit të individit dhe atij të shoqërisë përmes mënyrave të mëposhtme:
–          E ngren punën në nivelin e adhurimit ndaj Allahut.
–          Duke përligjur shumë marrëdhënie ekonomike si: Mudarebeh, murabeha, es-selem, muzareah, mugarezeh, shitblerjen… etj.
–          Duke Ndaluar kamatën.
–          Duke përcaktuar aktivitetet ekonomike të ndaluara dhe objektet e ndaluara.
–          Duke përligjur zekatin si një nga mekanizmat nxitës më kryesor të prodhimit dhe të shpërndarjes së drejtë të pasurisë.
4-  Përforcimi i parimit të sigurimit të nevojave të individit.
Njeriu ka nevoja materiale të domosdoshme pa të cilat nuk mund të jetojë, sic është nevoja për ushqim, banesë, veshmbathje e të tjera si këto. Është e domosdoshme sigurimi i një niveli të caktuar të këtyre nevojave për një jetë normale.
Sistemi ekonomik islam e ka vlerësuar plotësisht këtë cështje dhe për këtë ka përcaktuar rrugë të ndryshme dhe mekanizma të ndryshëm alternativ për realizimin e këtyre nevojave që cdo individ të bëjë një jetë normale në shoqëri.
Disa prej këtyre mënyrave janë:
–          Cdo njeri është i urdhëruar sheriatikisht të punojë dhe të përpiqet për të plotësuar vet nevojat e tij personale. Kështu që Islami ka nxitur për punë dhe lavdëron dhe vlerëson ata që punojnë e fitojnë. “Kur të përfundojë namazi shpërndahuni në tokë dhe kërkoni nga të mirat e Allahut” Xhumua. “Fitimi i njeriut nga puna e dorës së tij është fitimi më i mirë” Hadith.
–          Islami ngarkon me detyrë shtetin për të krijuar kushtet e përshtatshme për punësim. Njëkohësisht ka lejuar që shteti t’i jap borxh, pa kamat, individit për të hapur aktivitet ekonomik apo biznes.
–          Nëse individi është i pamundur për të punuar dhe fituar vet apo nuk gjen punë, atëherë u del për detyrë anëtarëve të tjerë të familjes së tij të investojnë pët të, në përputhje me parimet sheriatike të këtij kapitulli.
–          Në mungesë të mundësive të mësipërme atëherë i jepet nga pasuria e zekatit.
–          Në rast se edhe zekati nuk plotëson nevojat e individëve atëherë i jepet nga burimet ekonomike të shtetit.
–          Në rast se burimet ekonomike të shtetit nuk plotësojnë këto nevoja, atëherë plotësohen nevojat e individëve nga pasuria tjetër e të pasurve, përvec zekatit. Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Aishja (r.a), nga ibnu Umeri dhe shumë sahabe të tjerë të Profetit (a.s) se “ Në pasuri ka detyrim tjetër vec zekatit” Ibnu Hazmi, el-muhala. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është devotshmëri kthimi i fityrave tuaja, nga lindja dhe perëndimi por në devotshmëri të vërtetë është ai që beson në Allah, në ditën e gjykimit, në melaike, në libra, në profetë dhe ai që jep pasurinë e tij, për hir të Allahut, të afërmëve, jetimëve dhe të vobektëve…” Bekare. Imam Kurtubiu thotë: “ Nëse muslimanët preken nga ndonjë nevojë e rëndë, edhe pas nxjerrjes së zekatit, del për detyrë shpenzimi i pasurisë për ta. Imam Maliku pohon se u del për detyrë njerëzve të lirojnë robërit që kanë rënë në dorën e armikut edhe nëse kjo përfshin të gjithë pasuritë e tyre. Ky është mendimi unanim i dijetarëve” Tefsiri i Imam Kurtubiut.
Në lidhje me këtë cështje Imam Ibnu Hazmi ka përmendur një standart: “ushqimi i domosdoshëm, veshjet e domosdoshme për verë dhe dimër, banesë që i mbron nga të nxehtit, të ftohtit dhe sytë e kalimtarëve” Imam Ibnu Hazmi, El-muhala 6/156
Roli i vlerave morale në sferat e ndryshme të ekonomisë
1-  Inkurajimi i prodhimit, përsosjes së tij dhe ruajtjes së burimeve të tij
Ekonomisti do të gjej tek tradita profetike argumenta të shumtë nxitës të prodhimit në fushat e ndryshme të tij.
Bujqesia dhe frutikultura: “Cdo musliman që mbjell një filizë apo bimë për cdo zog, njeri apo kafshë që konsumon prej këtyre bimëve ka shpërblim” Buhariu dhe Muslimi
Industria dhe artizanati: “ Ushqimi më i mirë që konsumon njeriu është ai që vjen prej punës së dorës së tij. Profeti i Allahut, Davudi (a.s) hante nga pune e dorës së tij” Buhariu
Shfrytëzimi dhe përfitimi nga cdo gjë e dobishme sa do e vogël dhe e rëndomtë qoftë ajo.
Profeti (a.s) i kritikoi sahabet të cilët kishin lënë pa përfituar nga lëkura e një deleje të ngordhur. “ Pse nuk e keni marrë lëkurën e saj?! I thanë: është e ngordhur o Profet i Allahut. Tha: E ndaluar është vetëm ngrënia e saj, dhe jo lëkura” Buhariu dhe Muslimi
Siç ndalon nga pezullimi i punimit të tokës së punueshme dhe pjellore. “ Kush ka tokë ose t’a punojë vetë ose t’ia japi vëllait të tij” Buhariu dhe Muslimi
2- Orientimi i konsumit
Nga gjërat më të mrekullueshme që ka thënë Profeti (a.s) në lidhje me këtë temë, ndër shumë thënie të tjera: “ Nëse ndonjërit prej jush i bie në tokë ndonjë kafshatë le ta pastrojë dhe le t’a hajë dhe mos ia lër shejtanit. Fshijeni pjatën tuaj sepse nuk dihet se në cilën pjesë të ushqimit tuaj është bereqeti” Muslimi
Këtu mund të thuhet se c’vlerë ka një kafshatë apo fshirja e pjatës?! Por në fakt po të llogariten milionat dhe miliardat e kafshatave që hidhen cdo ditë i zgjidhet shumë punë varfërisë.
Profeti (a.s) porosit për moszgjerim në gjërat plotësuese dhe të panevojshme apo që nuk përdoren. “ Një shtrat për burin, një për gruan e tij, një  për mikun ndërsa i katërti është i shejtanit” Muslimi
3- Orientimi i qarkullimit të pasurisë
Islami as nuk e shenjtëron lirinë e tregut duke i lënë individit hapësira pa fund për të tregëtuar me të gjitha format dhe objektet e mudshme por as nuk e anullon krejtësisht rolin e individit në treg duke ndërhyrë mes prodhuesit dhe konsumatorit por organizon në mënyrë të drejtë dhe perfekte marrëdhëniet mes prodhuesit dhe konsumatorit përmes disa rregullave, parimeve dhe normave ligjore dhe morale si psh:
–          Ndalimi i tregëtisë me objekte të ndaluara (alkooli, bixhozi, ngordhësira, droga…dhe të gjitha lëndët e dëmshme).
–          Urdhëri për sinqeritet dhe transparencë në tregati, ndalimi i mashtrimit të cdo lloji dhe këshilla apo urdhëri për mirë dhe ndalimi nda e keqja.   “ Tregëtarët do të ringjallen ditën e kijametit si mëkatarë dhe mashtrues përvec të devotshmëve dhe të sinqertëve gjatë tregëtisë së tyre” Tirmidhiu.
“ Kush na mashtron nuk është prej nesh” Hadith
–          Ndalimi i kamuflimit të çmimit aktual real. Për këtë ka ndaluar Profeti (a.s) blerjen e mallit para zbritjes në treg ( teleki rukban), ankandi fallso (en-nexhesh), pezullimi i mallit të prodhuesve nga ana e tregëtarëve për efekt të ritjes së cmimit ( bejul-hadiri lil-baadij).
–          Ndalimi i fitimit si pasojë e ngritjes së cmimit ndaj nevojtarit, apo ndaj atij që s’ka dijeni për cmimin e tregut.
–          Ndalimi i kamatës.
“ O ju që keni besuar kini frikë Allahun dhe largojuni kamatës së mbetur nëse jeni prej atyre që besojnë. E nëse nuk do të hiqni dorë dijeni se i keni shpallur luftë Allahut dhe profetit të Tij. E nëse do të pendoheni ju keni të drejtë të merrni kapitalet tuaja, që të mos bëni padrejtësi dhe të mos ju bëhet padrejtësi.” Bekare278-279
Kamata është konsideruar nga shtatë shkatërrueset e individit dhe shoqërisë. Buhariu dhe Muslimi
Një Objeksion i përkrahësve të kamatës
“ Fitimi që merr debitori nga aktiviteti i tij që ngren me debitin, lind si pasojë e bashkëveprimit të punës apo aktivitetit të tij dhe kapitalit të marrë borxh. Atëherë si mund të pranojmë fitimin për aktivitetin dhe t’ia refuzojmë kapitalit edhe pse që të dy janë autorë të këtij fitimi?!”
Përgjigja (Muhamed Abdullah Deraz, Studime islame, kapitulli: kamata sipas të drejtës islame, fq. 168-169): “ Për sa i përket pohimit se fitimi është produkt i të dy elementëve, është një pohim mëse i vërtetë që s’ka dyshim në të por përkrahësit e kamatës kanë harruar një gjë esenciale që konsiston në faktin se me një herë pas aktit të kreditimit aktiviteti dhe kapitali kalojnë tek një person i vetëm ndërsa kredidhënësit nuk i mbetet më asnjë lidhje as me aktivitetin e as me kredinë në aspektin e përgjegjësisë dhe rizkut që ka të bëjë me njërën apo me tjetrën. Pra i vetmi që e mbart të gjithë rrezikun dhe të gjithë përgjegjësinë mbi vete është kredimarrësi. Pra kredimarrësi është i vetmi përgjegjës për fitimin apo humbjen kurse kredidhënësi e ka të garantuar përqindjen e fitimit në të dyja rastet, atë të fitimit dhe të humbjes. Sakaq nëse këmbëngulim për ta bërë kredidhënësin pjesë të fitimit duhet të këmbëngulim për ta bërë, gjithashtu, pjesë të humbjes apo të rezikut. Sepse përballë cdo të drejte qëndron një detyrim apo sic thotë Profeti (a.s) “ Fitimi ka përballë rizkun” Transmeton Imam Shafiu, Imam Ahmedi dhe transmetuesit e tjerë të sunetit. Ndërsa ideja e animit të peshores vetëm nga njëra anë është jo e natyrshme. Partneriteti i kredidhënësit me kredimarrësin në fitim dhe rizk apo humbje, bën që të kalohet nga kredia kamatore tek forma të tjera të drejta bashkëpunimi të cilat janë të ngritura mbi bazën e solidaritetit dhe drejtësisë mes kapitalit dhe aktivitetit shfrytëzues të tij. Këto lloje bashkëpunimi, e drejta islame i ka marrë plotësisht në konsideratë, madje i ka formuluar dhe sistemuar nën titullin e “ Mudarebe”-s, apo “Kiradi”-t. Por, që kredidhënësi t’i pranojë këto lloje bashkëpunimi apo kontratash duhet të jetë i pajisur me një trimëri etike dhe morale që i mundëson përballjen me cdo lloj rezultati. Kjo, në realitet është një virtyt që nuk e poseidojnë kamatdhënësit sepse kërkojnë fitim pa rizk gjë që ndryshe mund të quhet prishje e rregullave të jetës dhe përpjekje për ndryshimin e sitemeve të saj.”
–          Përdorimi me drejtësi i peshores dhe litrit.
–          Ndalimi i imponimit të cmimeve të caktuara me pa të drejtë.
–          Ndalimi i vonimit  të drejtës kur është e mundur shlyerja e saj.
–          Ndalimi i monopolit.
Janë disa rregullatorë të tjerë që orientojnë qarkullimin e drejtë të pasurisë.
4- Orientimi dhe Rregullimi i shpërndarjes
Shpërndarja e prodhimit në Islam ngrihet mbi dy vlera humane madhore: liria dhe drejtësia.
1-  Vlera e lirisë ngrihet mbi dy baza: besimi në Allah dhe besimi në vlerat dhe kapacitetet e njeriut. Njeriu është i krijuar për ta adhuruar Allahun i lirë dhe këtë liri si në cdo fushë tjetër duhet ta reflektojë në aktivitetin ekonomik.
2-  Vlera e drejtësisë.
Duke pasur parasysh se liria e pakufizuar shndërohet në antivlerë, liria e përligjur nga islami është liri e rregulluar nga drejtësia hyjnore që ka vënë ekuilibër mes interesave të individit dhe atyre kolektive, dhe që nxit prodhimin dhe zhvillimin por duke e ruajtur nga format dhe objektet e ndaluara. “ Ne kemi dërguar profetët tanë me argumente të qarta dhe ua kemi zbritur librin dhe peshoren që njerëzit të jetojnë me drejtësi. Kemi zbritur edhe hekurin në të cilin ka forcë të madhe dhe dobi për njerëzit” Hadid 25
–          Një ndër shumë forma të realizimit të kësaj drejtësie shoqërore është:
1-   Zekati me të gjitha llojet e tij.
“ Zekati u jepet, detyrimisht, fukarenjve, të vobektëve, administratorëve, për afrimin e zemrave, për lirimin e robërve, për borxhlinjtë, për atë që ka mbetur në rrugë dhe në rrugë të Allahut” Teube 60
–          Prej Vecorive të këtij burimi perfekt:
1-   Është detyrim hyjnor i përcaktuar dhe rregulluar dhe jo lëmoshë vullnetare personale.
2-   Karakterizohet nga niveli më i lartë e detyrueshmërisë. Është shtylla e tretë e Islamit.
3-   Është adhurim dhe taksë zyrtare shtetërore që mblidhet dhe administrohet nga shteti apo edhe individët në rast të kundërt.
4-   Merret nga të pasurit dhe u jepet të varfërve dhe jo e kundërta.
5-   Merret nga populli dhe kthehet përsëri tek populli.
6-   Sasia është mëse e përballueshme. 2.5% për vlerën monetare, floririn dhe argjendin, 5 % për prodhimet bujqësore të ujitura me krahë dhe shpenzime, 10% për prodhimet bujqësore të ujitura nga natyra, 20% për mineralet dhe thesaret.
 
Vlera e edukimit imanor në orientimin e ekonomisë
Rëndësia e faktorëve inkurajues në fushën e ekonomisë, siç është e drejta e pronës, e trashëgimisë, e tregëtisë së lirë, konsiderohet prej çështjeve aksiomatike.
Por ekziston një rrezik shumë i madh i cili u kanoset  të gjithëve. Ky rrezik i frikshëm konsiston në shndërimin e këtyre faktorëve inkurajues të natyrshëm në egoizëm të shëmtuar i cili kërkon të përpijë gjithçka duke mos u ngopur kurrë. Siç rrezikon të shndërrohet konkurenca në atmosferën e lirisë të tregut në një lloj rivaliteti të zhveshur prej çdo lloj morali dhe nderi siç mund të shndërohet në një kusari të organizuar që ka si platformë dakordësinë dhe bashkëpunimin e të fortëve për të gllabëruar të dobëtit.
Por a ekziston ndonjë mënyrë që bën të mundur ruajtjen e stimujve të natyrshëm dhe konkurencën e lirë ekonomike e njëkohësisht i pret thonjtë e saj të mprehtë dhe shkul stërdhëmbët  e saj të egër?!
Në të vërtetë rruga e parë dhe më e rëndësishme që mundëson harmonizimin mes faktorëve inkurajues ekonomik dhe interesit shoqëror është besimi.
Besimi është ai që i mundëson njeriut një racionalitet me të cilin shikon veten, gjithësinë, pasurinë dhe jetën jo me syrin e sistemit individualist ektrem i cili mendon vetëm për materien dhe argëtimin dhe që nuk ka për qëllim tjetër veç grumbullimit të sa më shumë parave.
Besimi është ai i cili i jep njeriut një zemër që ndjen dhe preket dhe bashkëvepron me Zotin, gjithësinë, njerëzit dhe jetën me zgjuarsi dhe gjallëri. Një zemër që e don të vërtetën, dhe të mirën, e urren të kotën, ikën nga e keqja dhe që synon një jetë tjetër pas kësaj jete.
Mendja e besimtarit dhe zemra e tij nuk janë si zemra e mendja e ateistit apo skeptikut. Cdo njëra prej këtyre dy zemrave ka botën e vet. Bota e zemrës së ateistit është dynjaja e tij e veçantë dhe epshet, dobitë dhe interesat e shpejta të saj. Ndërsa bota e pafundme e zemrës së besimtarit është e lidhur me të amshueshmen dhe përjetësinë. Ajo ka përfshirë materien dhe shpirtin, të dukshmen e të padukshmen, jetën dhe pasjetën.
Kjo mendje besimi ul hovin e vlimit të tahmasë dhe zjarrit të konkurrencës dhe shëron sëmundjen e egër të komplotimit dhe shkeljes për shkak të materies. Kjo mendje e tërheq njeriun drejt bazave të qëndrueshme të vlerave të larta reale dhe fisnike të cilat i ndrisin rrugën njeriut, dhe e lartësojnë nga denigrimi kafshëror drejt humanitetit të drejtorientuar. Sakaq njeriu refuzon me këmbëngulje haramin dhe kënaqët me hallallin edhe nëse është pak.
Ka ndryshim rrënjësor mes një njeriu që e shikon pasurinë përmes vetes së tij. Pra mendon se është ai i vetmi që e ka mbledhur e zhvilluar dhe është i vetmi që meriton të shijojë frytet e saj. Ka ndryshim mes këtij dhe atij njeriu që e sheh veten e tij si i autorizuar i Zotit tek pasuria. Ky njeri e shikon pasurinë në realitet si të Allahut. Është Allahu Ai i cili e ka krijuar dhe është Ai që e ka nënshtruar për të qenë e dobishme për njerëzit. Është Ai që i ka dhënë njeriut aftësinë për ta fituar dhe zotësinë për ta përdorur. Pra njeriu është sekretar i kësaj pasurie apo mëkëmbës në të siç shprehet Kurani fisnik.
Ka shumë ndryshim mes atij që e shikon pasurinë dhe thotë: kjo është e imja dhe atij që thotë kjo është nga Allahu për mua.
Ka shumë ndryshim mes Karunit që me kryeneçësi tha: “Këtë e kam fituar vetëm me dijen dhe djersën time” e mes Sulejmanit (a.s) që falenderoi Allahun: “Kjo është prej mirësisë së Allahut tim për të më sprovuar a falenderoj apo mohoj. E ai që falenderon le ta dijë se është ai vet përfituesi e ai që mohon le ta dijë se Allahu është më i pasuri dhe bujari” Kuran
Ka shumë ndryshim mes ateistit që nuk beson as Allahun e as botën  tjetër  e që nuk ka kurrëfarë shprese pas kësaj bote të ngutshme si pronari i dy kopshteve që i tha shokut të tij: “Unë kam më shumë pasuri dhe fëmijë së ty… dhe nuk mendoj se kijameti do të ndodh por edhe nëse do të kthehem prap tek Zoti im do të kem kopshte edhe më të mira” Kuran
Ka shumë ndryshim mes këtij, dhe besimtarit që i është zgjeruar diapazoni i  jetës dhe ka përfshirë dynjanë dhe ahiretin si dhe me zemrën e tij ka përfshirë krijesat dhe Krijuesin, si besimtari i popullit të Faraonit i cili i tha popullit të tij: “O populli im jeta e kësaj dynjaje është vetëm plaçkë ndërsa ahireti është bota e përjetësisë. Ai që punon një të keqe nuk shpërblehet më shumë se me një e kush bën një të mirë, burrë apo grua qoftë, duke qenë besimtar do të hyjë në xhenet ku do të furnizohet pa llogari”
Besimtari poseidon pasurinë dhe jo pasuria atë, e sundon dynjanë dhe jo dynjaja atë, e mbledh pasurinë në dorën e tij por nuk e fut brenda zemrës së tij. Dynjaja dhe pasuria janë për të mjet dhe mekanizëm dhe jo qëllim e objektiv. Synimi i tij është adhurimi i Allahut dhe përpjekja për të realizuar fenë e tij dhe lartësimin e fjalës së Tij në tokë, e kështu pregatitet për përjetësinë për të cilën është krijuar dhe ajo është krijuar për të. Ndërsa pasuritë dhe të mirat janë ndihmë për të në rrugën e realizimit të misionit të tij dhe mjet për të arritur objektivin e tij.
Ky besim e bën besimtarin që të jetë kërkues llogarie ndaj vetes së tij dhe mbikqyrës i sjelljeve të saj. Ky besim e bën që të mos e synojë apo shtojë pasurinë me çdo lloj mjeti e mënyre apo ta shpenzojë në çdo lloj fushe por e fiton sipas udhëzimit të Zotit, e shton sipas urdhërit të Tij dhe e shpenzon aty ku don Zoti.
nbsp;Imam Kurtubiu në lidhje me këtë verset kuranor komenton: “ Ky verset kuranor është argument se prona në origjinë është e Allahut ndërsa robi është thjesht përdorues i saj në atë formë që e kënaq Allahun. Sic është argument se pasuritë nuk janë tuajat realisht por ju jeni administrator të tyre dhe të autorizuar për përdorimin e tyre prandaj shfrytëzoni rastin që ju jepet para se t’ju merren ju dhe t’u jepet atyre që vijnë pas jush” Imam Kurtubiu.
P.s: Materiali eshte permbledhje e librit te shejh Jusuf Kardavit “Roli i virtyteve dhe morale ne ekonomi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version