Paradite në Shkup i hapi manifestimet për ditën e Evropës, ndërsa pasdite niset drejt Athinës ku do të takojë shefin e diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos me të cilin do të bisedojë kontestin rreth emrit të Maqedonisë që tani e 20 vite kanë Shkupi dhe Athina. Kjo ka qenë të martën agjenda e zëvendëskryeministrit për eurointerime, Fatmir Besimi, i cili së fundmi ka intensifikuar aktivitetet lidhur me agjendën evropiane, duke i shtuar asaj edhe aktivitetet diplomatike lidhur me kontestin e emrit, ku deri më tani, për këtë problem jemi mësuar të shohim të angazhuar ministrin e Jashtëm, Nikolla Popovski dhe kryeministrin Nikolla Gruevski. Në të njëjtën ditë, ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, qëndron në Ankara, ku i shoqëruar nga një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë dy ditëve do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të ministrisë për siguri kombëtare të Republikës së Turqisë, në kuadër të aktiviteteve për afrim të vendit drejt NATO-s.
Ditë më parë, zëvendëskryeministri Fatmir Besimi takoi edhe gazetarët në ditën e lirisë së mediave, ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë këtyre dy javëve, duke filluar nga 4 maji, qëndron në SHBA ku do të takojë kryenegociatorin Metju Nimic dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë.
Përkundër gjithë kësaj ofensive të ministrave shqiptarë në Qeveri dhe vetë kryetarit të partisë shqiptare në pushtet, vërehet një pasivitet i pazakontë i VMRO-së, partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, ministrat e së cilës jo vetëm që nuk morën pjesë në hapjen e aktiviteteve për shënimin e 9 Majit – Ditës së Evropës, por ata nuk morën asnjë pjesë as në shënimin e Ditës së lirisë së mediave, për çka Maqedonia kohëve të fundit pati kritika të ashpra si nga organizata e pavarura “Freedom House”, ashtu edhe më parë nga Raporti i Komisionit Evropian dhe ai i Departamentit të Shtetit Amerikan, raporte që nga VMRO-DPMNE përveç që u injoruan, të njëjtat edhe u sulmuan si jorelevante. Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës “Koha”, lidhur me pasivitetin e VMRO-së dhe ofensivën e BDI-së, tha se nuk i takon të jep komente të kësaj natyre, por porositi autoritetet vendore se Maqedonia ka edhe shumë punë për të bërë deri në mbajtjen e Samitit të BE-së kur vendi pret datë për hapjen e negociatave.
“Mendoj se nuk më përket mua të komentojë vlerësimet tuaja, ju duhet të përparoni drejt BE-së, ndërsa në BE shpresojmë se vendi juaj këtë do ta bëjë aktivisht dhe në mënyrë perfekte. Raporti i pranverës, i cili është shpallur, ishte pozitiv, por ka përmbajtur edhe vërejtje të shumta të cilat po ashtu duhet të adresohen sa më shpejtë. E para dhe më e rëndësishmja është implementimi i marrëveshjes së 1 marsit. Shumë punë janë bërë – opozita u kthye në Parlament dhe mori pjesë në zgjedhjet lokale, kryesuesit me Këshillin kombëtar për eurointegrime janë ftuar dhe morën pjesë në mbledhjen në kuadër të Dialogut qasës të nivelit të lartë, por ende nuk u kompletuar Komisioni për ndriçimin e ngjarjeve prej 24 dhjetorit dhe nuk u nënshkrua memorandum për mirëkuptim mes partive”, tha Orav. Ai këto komente i bëri gjatë promovimit të iniciativës së sekretariatit për eurointegrime me rastin e shënimit e Ditës së Evropës me moton “Rinia për Evropë”.
“Ideja e kësaj është që të kyçim rininë në debatet publike lidhur me vlerat evropiane, vlerat evropiane për Maqedoninë, për rininë e cila duhet të kyçet më drejtpërdrejtë, të jap idetë e veta afirmative dhe kritike për gjërat që ndodhin në Maqedoni dhe për vlerat evropiane të cilat ne duam ti promovojmë këtu. Gjithashtu, kjo do të jetë një mundësi edhe për njoftim për iniciativa të ngjashme, mundësitë për rininë e vendit tonë në kuadër të BE-së dhe iniciativa të ngjashme në rajon. Gjithashtu, do të shfrytëzohen rrjetet sociale siç janë YOUTUBE, Facebook, Tuiter… ku do të mund drejtpërdrejt rinia të kyçet, pavarësisht lokacionit ku gjenden ata në vendin tonë dhe gjithashtu do të ketë debate të këtij lloji në këtë qendër informative të sekretariatit për integrime”, tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi. Në këto aktivitete, shtoi më tej ai, do të marrin pjesë edhe të ftuar të ndryshëm si ambasadorë nga vende të BE-së, përfaqësues të ndryshëm në nivel të lartë politik të vendit dhe të huaj, ekspertë, përfaqësues akademik, si dhe personalitete të njohura nga fusha e kulturës dhe sportit. Iniciativa “Rinia për Evropë” ka për qëllim të krijojë një ambient më të hapur për rininë që ajo të kyçet në debate për vlerat evropiane dhe për të ndërtuar një imazh evropian për rininë e vendit. Partner të këtij projekti janë edhe delegacioni i BE-së në Shkup, UNDP dhe ambasadat tjera të akredituara në vend.
Shqiptarët, bashkëbisedues për emrin
Gazeta greke “To Vima” takimin e ditës së mërkurë mes shefit të diplomacisë greke Dimitris Avramopullos me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Fatmir Besimi e vendos në kontekst të, siç thuhet, “kërkimit të kanaleve nga ana e Athinës për komunikim në Shkup në tentim që të lehtësohet zgjidhja e qorrsokakut rreth çështjes për emrin, edhe krahas moslëshimit pe të kryeministrit Nikolla Gruevski”. Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, në shkrimin me titull “kërkohen bashkëbisedues në Shkup”, gazeta shkruan se Besimi është nga partia shqiptare BDI, e cila është pjesë e Qeverisë së Gruevskit, se llogaritet si politikan i matur, i përkujton se ai veç më është takuar me Avramopullosin në kohën kur të dy funksionarët ishin ministra të mbrojtjes. Duke e komentuar takimin Avramopullos-Besimi, një burim i lartë diplomatik për “To Vima” deklaroi: “Bisedojmë me secilin që dëshiron të bashkëpunojë”. Gazeta njofton se “shqiptarët në Maqedoni e përkrahin shumë perspektivën euro-atlantike të Shkupit dhe Athina ka ofruar ekspertizë për disa çështje në pajtim me marrëveshjen mes paraardhëses së Besimit, Teuta Arifi me ish-nënkryeministrin grek Teodoros Pangalos. Deri tani ka pasur dy takime në nivel teknokratik mes dy palëve”./koha/
Categories