Categories
Lajme

BE fillon sanksionet e para ndaj Zvicrës

Shkallëzohet kriza e emigrantëve ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian.
Pas rezultatit të referendumit të mbajtur në Zvicër, ku votuesin vendosën për kufizime ndaj imigracionit, Bashkimi Evropian filloi zbatimin e sanksioneve ndaj këtij vendi.
Si reagim ndaj Zvicrës Bashkimi Evropian ka pezulluar negociatat me këtë vend në lidhje me programet edukative dhe kërkimore që përfshijnë vitet 2014-2020 dhe që kapin shuma të mëdha deri në miliarda euro.
Zëdhënësi i Unionit e akuzoi Zvicrën për mos-respektim të traktateve që garantojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Brukseli ishte në negociata me Zvicrën për pjesëmarrjen e kësaj të fundit në dy programe, njëri me vlerë 80 miliardë euro, ndërsa tjetri 14,5 miliardë euro.
Vitin e kaluar nga fondet e BE-së për mbështetjen e kërkimeve kishte përfituar një ndihmë me vlerë 1 miliardë e 800 milionë euro.
Komisioni Evropian ka ndërprerë me Zvicrën edhe negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes që rregullon shkëmbimin e energjisë elektrike.
Në referendumin e 9 shkurtit të zhvilluar në Zvicër ishte pranuar bërja e kufizimeve në lëvizjen e emigrantëve duke përfshirë këtu edhe shtetasit e BE-së. Referendumi i ngarkon qeverisë detyrën që brenda 3 vjetëve të nxjerrë ligjet e nevojshme për këtë çështje.
23% të popullsisë 8-milionëshe në Zvicër e përbëjnë shtetasit e huaj.
Nga ana tjetër Presidenti i Zvicrës, Didier Burkhalter sot zhvillon takime me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin, më pas me ministrin francez të Punëve të Jashtme, Laurent Fabius në Paris, për të sqaruar situatën mbi referendumin e imigracionit.
“Bisedimet në Berlin ishin parashikuar që prej disa kohësh, ndërsa bisedime me ministrin e Jashtëm francez Laurent Fabius janë planifikuar gjatë ditëve të fundit”, theksoi një zëdhënës i ministrisë së Jashtme zviceriane, Tilman Renz.
”Në Berlin, Burkhalter do të takohet me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier për bisedime kryesisht mbi çështje bilaterale mes Gjermanisë dhe Zvicrës dhe për zbatimin e dispozitave të reja kushtetuese”, njoftoi përmes një komunikate ministria e Jashtme zviceriane.
Në 10 shkurt Kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton kishte deklaruar se ”rezultati i referendumit në Zvicër nuk ishte i lehtë për Bashkimin Evropian”.
“Aktualisht si në Komisionin Evropian, po ashtu edhe në Këshillin Evropian po punojmë për të arritur një marrëveshje se si do të procedohet pas referendumit zvicerian mbi imigracionin, rezultati i të cilit ka marrë një drejtim të caktuar, që sipas një perspektive evropiane, nuk mund të konsiderohet një rrugë e lehtë”, ishte shprehur Ashton.
Ajo, po ashtu, kishte theksuar se “do të vazhdonin bisedimet me kolegët zvicerianë lidhur me se si do të procedohej më tej lidhur me çështjen”.
Kryediplomajta e BE-së shtoi se në Bruksel “po vazhdonin ende tratativat”, ku i referohej një deklarate të mundshme nga ana e kreu të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso./trt/

Exit mobile version