Në takimin e sotëm të shefave të diplomacive evropiane Maqedonia jo vetëm që nuk do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por asaj i janë shtuar edhe një sërë çështjesh të tjera në listën e obligimeve. Ministri i Jashtëm i Greqisë Evangeliz Venizelos përpara fillimit të punimeve të Këshillit për Punë të Përgjithshme deklaroi se çështja e emrit nuk është pengesa e vetme në rrugën evropiane të vendit por edhe një sërë problemesh të tjera që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
“Problemi me IRJM-në nuk është çështje e dy shteteve, aq më pak çështje e cila ka të bëjë vetëm me problemin e emrit. Bëhet fjalë për probleme shumë më të thella që kanë të bëjnë me qeverisjen e të drejtës dhe parimet demokratike. Ky është gjithashtu problem ndërkombëtar që zgjidhet nën patronazhin e OKB-së por është problem edhe i BE-së pasi ndërlidhet me kriteret e Kopenhagës të cilat duhet t’i respektojnë të gjithë” është shprehur Evangelis Venizelos, Ministër i Jashtëm i Greqisë.
Një goditje e rëndë Maqedonisë i erdhi edhe nga Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Kristijan Vigenin, me të cilin Maqedonia dështoi të firmoste Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.
“Arritëm progres minimal, por jemi afër firmosje së marrëveshjes . Qasja jonë është parimore, shoh dëshirë tek pala maqedonase për arritjen e pajtimit rreth temave të hapura. Sot jam optimist më i madh nga dy muaj më parë. Nuk ka nevojë të shpejtojmë. Të dyja palët kanë dëshirë që të lëvizin gjërat përpara sa më shpejtë që është e mundur, por jo në mënyrë të përshpejtuar. Si rezultat i bisedimeve, shkalla e mirëkuptimit është më e lartë rreth problemeve reale të cilat i iniciuam në frymë të hapur” është shprehur Ministri i Jashtëm bullgar, Krisitjan Vigenin për agjencinë bullgare të lajmeve, BTA.
Teksa Këshilli vazhdon debatin mbi zgjerimin e Unionit, Ministri për çështje evropiane të Finlandës, Aleksandër Stub, në profilin e tij në Twitter, postoi se shtetet anëtare janë shprehur të dëshpëruara nga Maqedonia.
Nga ana tjetër një nga lobuesit ‘pro’ integrimit evropian të Ballkanit, Ministri i jashtëm i Suedisë Karl Bild, me të arritur në godinën e Këshillit shprehu pritjen që vendimi lidhur me Maqedoninë të jetë konstruktiv. Ndër pikat kryesore në konkluzionet që do t’i miratojnë shefat e diplomacive evropiane për sa i përket Maqedonisë pritet të jenë zgjidhja e çështjes së emrit dhe arritja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Greqinë. Por theks të veçantë do t’u kushtohen edhe adresimit të problemeve që karakterizuan skenën politike të vendit gjatë vitit të kaluar, sikurse dialogu politik, liria e mediave, pavarësia e gjykatave etj. Fjalën e fundit rreth konkluzioneve për sa i përket zgjerimit të Unionit, do të japin të enjten dhe të premten nga 28 shefat e shteteve anëtare të BE-së.