Categories
Lajme

Beqir Ismaili, ambasador në Egjipt

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka propozuar për ambasador të Kosovës në Egjipt, Beqir Ismailin, veprimtar i shquar i Kosovës në Egjipt.
Sipas burimeve të Telegrafit brenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Ismaili tashmë do të prezantohet para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës dhe pas përfundimit të procedurave dhe vendimit të presidentes Jahjaga, ai pritet të dekretohet si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Egjipt.
Egjipti ka njohur Republikën e Kosovës më 26 qershor të këtij viti, pas kontakteve të shumta gjatë dy viteve të fundit ndërmjet autoriteteve të të dyja shteteve.
Gjatë kësaj periudhe, udhëheqës të institucioneve të Kosovës, e veçanërisht ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, disa herë ka vizituar personalisht Kajron si dhe ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë shtetëror të Egjiptit, në konferenca të ndryshme ndërkombëtare e rajonale.
Po ashtu, zëvendëspresidentja për marrëdhënie ndërkombëtare e Egjiptit kishte zhvilluar një vizitë në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Tashmë pas njohjes formale nga Egjipti, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, pritet që të lëviz shumë shpejt drejt hapjes së misionit të saj diplomatik në Kajro, duke pasur parasysh rolin shumë të rëndësishëm që ka Egjipti në atë pjesë të botës.
Beqir Ismaili, gjatë dy viteve të fundit ka shërbyer si këshilltar i jashtëm i ministrit Enver Hoxhaj, duke zhvilluar një lobim të fuqishëm në Kajro, si dhe në organizata rajonale të asaj pjese të botës, për njohjen e Kosovës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version