Kryeministri Berisha pritet të japë sot dorëheqjen. Kreu i koalicionit të djathtë, pas deklaratës së 23 qershorit pas mbylljes së kutive të votimit, nuk ka bërë asnjë dalje publike në pritje të rezultatit.
Sipas disa burimeve brenda PD-së për Ora News, Berisha pritet të deklarojë humbjen në zgjedhje të koalicionit Aleanca për Mirëqënie, Punësim, dhe Integrim dhe dorëheqjen nga posti i kryeminsitrit.
Ende nuk bëhet e ditur nëse Berisha do të largohet edhe nga drejtimi i Partisë Demokratike, por sipas disa burimeve, vendi i tij do të zihet nga kryetari aktual i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Selia e Partisë Demokratike ka qenë dje në heshtje dhe i vetmi reagim për pranimin e humbjes ka qenë një koment i deputetes së Fierit Mesila Doda në Facebook ku ajo shkruan: “Kjo është dita më e vështirë për militantët e PD pas vitit 97′. Të dashur militantë, simpatizantë të PD….ditët e ardhshme do kemi mundësinë të reflektojmeëmbi këtë votë të shqiptarëve. E vetmja gjë që dua t’ju them është që do jem me ju në çdo ditë të jetës sime, dhe do kërkoj vetëm të risjellim parimet e shenjta mbi të cilën ngritëm Partinë Demokratike të vitit ’90. Ne jemi dhe do jemi forca që sjellim progres në këtë vend! Do jem me ju për risjelljen e atyre parimeve që na bëjnë ta duam këtë vend të zhvilluar, demokratik, europian!!! ,” përfundon mesazhi i Dodës në FB.