Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Këshilli Kombëtar i Territorit de fakto dhe de jure ka anuluar projektin për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në kryeqytet.
Ai thotë se këtë vendim, Rama e mori vetëm sepse urren kundërshtarin e tij politik.
“Njeriu që për 11 vjet me radhë bllokoi me mashtrime dhe bizantinizma të padenja ndërtimin e Xhamisë së madhe të kryeqytetit, në mbledhjen e parë të tij si kryetar i KKT-së, në vendimin e parë anuloi de fakto por dhe de juro lejen komplekse për ndërtimin e Xhamisë dhe futi procesin e ndërtim të saj në kalendat greke. Anulimin e lejes komplekse për ndërtimin Xhamisë e bëri vetëm e vetëm bazuar në urrejtjen e tij ndaj kundërshtarit politik, motivi më i fuqishëm që udhëheq të gjithë qenien dhe veprimtarinë e tij”, shkruan ai.
Berisha thotë se preteksti se leja ishte e paligjshme është fund e krye mashtrim dhe “vetë Rama nuk thotë dot qoftë dhe një fjalë të vetme se ku është cenuar apo shkelur ligji nga KKT në dhënien e lejes komplekse, të cilën ai zotohet se do ta zëvendësojë me një leje tjetër komplekse”.
“Leja e bazuar në vendimin e KKT të datës 29.05.2013 është plotësisht e ligjshme. Kjo sepse KKT pasi ka shpallur zonën, zonë kombëtare, ka qenë në tagrin e saj për dhënien e lejes, e cila është në përputhje me PPV e qytetit që lë të gjithë njësinë strukturore të zonës 2-62 (që është dhe zona ku ndërtohet Xhamia ) si zonë të mundshme ndërtimi. I paligjshëm dhe i rrezikshëm për vendin është vendimi që ka në bazë urrejtjen politike dhe që merret në një mbledhje të paligjshme nga zyrtarë të cilët në dhunim flagrant të nenit 8 pika 4 të Ligjit për Urbanistikën, i cili detyron që mbledhjet e KKT të bëhen të hapura, mblidhen si në shpellat e Cosa Nostras, sikur të ishin ndrikulla dhe kumbarë dhe jo ministra të një vendi të lirë. Kësaj i thonë transparencë. Duart e mafies në shtëpinë e perëndisë”, vijoi. /Start/