Categories
Lajme

Berisha nuk njeh rezultatin e 23 qershorit: Hetim, ndryshe cenohet stabiliteti i vendit

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha pavarësisht se në deklaratën ku dha dorëheqje nga drejtimi i PD-së, pranoi rezultatin e zgjedhjeve, së fundmi ai shprehet se nevojitet hetim pasi rezultati është i manipuluar.
Në një postim të fundit në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri shkruan se, rezultati i 23 qershorit mbetet i manipuluar dhe se hetimi dhe transparenca janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Nuk dihet se çfarë nënkupton Berisha me “stabilitet të vendit”, por kjo mbetet për t’u parë në shtator, shkruan shekulli.
“Të dashur miq, Edi Rama sot pranoi botërisht se, ka vjedhur 1250 vota në Lezhë. Ai papritmas tërhoqi kërkesën e paraqitur në gjykatë për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës pasi u gjet se në 14 kuti të këtij qarku kishte vjedhur me dhunë, terror dhe para droge 1250 vota dhe natyrisht me përsëritjen e zgjedhjeve, indirekt, u kërkohej ndjese qytetarëve të Lezhës.
Natyrisht, tërheqjen ai e bëri vetëm e vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhianët për vjedhjen e votës më 23 qershor dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe në qarqe të tjera.
Por pavarësisht nga kjo tërheqje, zgjedhjet e 23 qershorit, rezultati i tyre, mbeten fund e krye i manipuluar. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Përpara për votën e lirë të shqiptareve”, shkruan Berisha. /Indeksonline/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version