Besnikëria siç është definuar, është çdo gjë me të cilën je ngarkuar për kryerjen apo ruajtjen e saj.
Myslimani obligohet që të jetë besnik në çdo gjë. Mbajtja e sekreteve apo të jesh besnik është një obligim madhor me të cilin është ngarkuar njeriu. Për shkak të përgjegjësisë së madhe që ka ky obligim, deshi All-llahu dhe e fisnikëroi njeriun me këtë cilësi. Kjo cilësi është ajo e cila e plotëson imanin dhe e ngrit njeriun tek All-llahu. Ky është një obligim të cilin nuk mundën ta pranojnë qiejt, toka, kodrat… por njeriu ishte ai i cili u ngarkua me këtë. Kjo, për ta dalluar nga krijesat tjera për nga gjuha, të menduarit…
Thotë All-llahu: Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm.” (El-Ahzab: 72)
Duhet ditur se besnikëria është prej moralit të Pejgamberëve. Nuhu, Hudi, Salihi, Luti, Shuajbi…për të gjithë All-llahu na ka lajmëruar se ata kur janë dërguar tek populli i tyre iu kanë thënë: Unë jam për ju pejgamber besnik.
Gjithashtu, Pejgamberi a.s., ishte ai i cili ishte ngritur me edukatën dhe moralin e tij nga All-llahu xh.sh., saqë në mesin e banorëve të Mekës njihej me titullin ‘Besnik’ para dhe pas pegamberisë. Ky ishte Pejgamberi a.s., që ishte aq i kujdesshëm ndaj amaneteve që kishte saqë kur bëri hixhretin e obligoi Aliun r.a., të qëndronte në vendin e tij dhe t’ua shpërndante amanetet që kishte… Ky ishte Pejgamberi a.s., tek i cili ruheshin çdo sekret qoftë ajo pasuri apo diçka tjetër.
Po ashtu Xhibrili ishte besniku i shpalljes saqë All-llahu e ka përmendur në Kur’an ku thotë:
Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (pejgamber).” (Esh-Shuara’:192-194)
Ky ishte Enes bin Malik për të cilin tregon Thabiti r.a.: Erdhi Pejgamberi a.s., derisa unë isha duke luajtur me fëmijë. Na përshëndeti me selam dhe më dërgoi mua që t’ia kryej një nevojë të tijën. U vonova për tek nëna ime dhe me tu kthyer, ajo më tha: Përse u vonove? I thashë: Pejgamberi a.s.,më dërgoi t’ia kryej një nevojë të tijën. Ajo më tha: Çfarë nevoje kishte? I thashë: Ajo është fshehtësi. Ajo më tha: Mos e lajmëro askënd për fshehtësitë e Pejgamberit a.s. Enesi ka thënë: Pasha All-llahun nëse e kisha lajmëruar dikë, do të kisha lajmëruar ty o Thabit.
Por, a thua si është gjendja jonë? A jemi prej atyre që i mbajmë sekretet  dhe i ruajmë të tjerët? Apo jemi prej atyre që i shfaqim ato dhe i dëmtojmë të tjerët?
Pra, nëse e ruan atë, e dërgon në vendin ku është kërkuar, dhe e kupton vlerën e mbajtjes së sekreteve atëherë vetëm se ke shpëtuar dhe kjo është një mençuri… Thotë All-llahu xh.sh., në Kur’an: “Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.” (Esh-Shems: 9)
Ndërsa, në një ajet tjetër thotë All-llahu:
All-llahu ju urdhëron që t’u jepni amanetet të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. All-llahu dëgjon dhe sheh si veproni.” (En-Nisa:58)
Nëse shikojmë këtë ajet vërejmë se këtu amaneti është përmendur në shumës. Pra, nga kjo kuptohet se kjo fjalë përfshin në vete shumë gjëra e jo sikur që e kuptojnë disa se amaneti është vetëm atëherë kur një njeri i lë pasurin tek ai dhe kur vjen koha për dorëzimin e tij, ai e kthen atë ashtu të plotë sikur që e kishte marr.
Pra, besnikëria nuk është vetëm në pasuri, por ajo është edhe në të folur, në dëshmi, në mbajtjen e sekreteve të tjerëve, në të shikuar, në të dëgjuar…
Nëse na kërkohet që të flasim atëherë duhet që të jemi të sinqertë në atë se çka flasim. Jo rastësisht Pejgamberi a.s., është njohur si besnik sepse në krahët e tij është pritur një shpallje e cila do ta ndryshoj të gjithë njerëzimin. Në qoftë se  ky nuk do njihej si besnik, kush do t’i besonte fjalëve të cilat ishte urdhëruar që t’i transmetonte tek njerëzit.
Të njëjtën pozitë e kemi edhe ne. Ne e kemi marr misionin e Pejgamberit a.s., ndërsa nëse tek njerëzit njihemi si jo besnik atëherë si do të jetë rezultati i thirrjes sonë??
Nëse dikush të flet diçka dhe thotë se ky është një sekret i imi atëherë ajo duhet të jetë sekret i atyre dyve dhe nuk lejohet që ta kuptoj edhe një i tretë. Nëse vije dikush që të kërkon t’i ndihmosh për ndonjë brengë që e ka kapluar dhe ti nuk je prej atyre që i banë sekretet e tyre. Si do të jetë shërimi i asaj brenge? Si do të besoj dikush që t’i tregon brengat e tij?
Ndërsa ti thërret në rrugën e Pejgamberit a.s., shëmbëlltyrën e besnikëve…
Gjithashtu, ruajtja e orarit(terminit) është besnikëri, nëse të jep një shok i juaji një kohë të caktuar për tu takuar, për ty është që të shkosh saktë në kohën e caktuar, mos u vono e as mos prish terminin.
Pra, kështu rritet dashuria dhe besnikëria në mesin e shoqërisë myslimane dhe bëhet një shoqëri e pastër, e shëndoshë dhe e mbrojtur nga armiqtë.
Prej fryteve të besnikërisë janë:
– Ajo është prej plotësimit të imanit.
– Besnikun e do All-llhu dhe gjithashtu e duan edhe njerëzit.
–  Ajo është njëra prej cilësive më madhore, me të cilën e ka cilësuar All-llahu robin e Tij.
Dhe ata të cilët me kujdes i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë edhe premtimin e dhënë.” (El-Mu’minun:8)
– Besnikëria është bërthama e fesë, por edhe provim prej All-llahut.
(Përgatiti: Zenel Hajdini)