Categories
Opinione

Beteja për diasporën

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni kanë hapur shtigje të reja për partitë politike shqiptare dhe maqedonase. Në vend të paraqitjes së programeve të qarta për kërkimin e votës tek qytetarët e Maqedonisë, si partitë maqedonase po ashtu edhe ato shqiptare, po ushqejnë masat e gjëra popullore me luftëra e beteja të njëpasnjëshme dhe kundër njëri-tjetrit. Sikur popullata në vend të bukës të hajë bar e të mos kuptoj se këto armiq të sotshëm ndanin ndërmjet veti përfitimet e ndryshme ekonomike të një rrugëtimi politik.
Beteja për diasporën është shndërruar në thembrën e Akilit. Tash në vend të orientimit dhe integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE, partitë politike po ushqejnë masat me idenë e marrjes sa më shumë deputet, mundësisht deputetët e diasporës. Pse kaq shumë ia hipën çmimin deputetëve të diasporës, këtë gjë mund ta dinë vet kreatorët e këtij kurthi të radhës.
Deputetët e parë të diasporës që i takuan komunitetit maqedonas, si duket ishin pazar politikë që u bë në dëm të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë. Koncentrimi dhe orientimi i partive shqiptare për diasporën dhe harresa e problemeve të brendshme, na nxjerr në pah idenë e konsensualitetit që u nxor në pah për presidentin e shtetit. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do ta kuptojmë se a bëhet fjalë përsëri për pazar politikë në rastin e deputetëve të diasporës.
Gruevski kësaj radhe fitoren Gjorgje Ivanovit nuk dëshiron që ta arrij përmes ‘lëshimit pe’ ndaj kërkesave të shqiptarëve, por përmes platformës ‘ Dekada Rome’. Mjafton pozicionimi maestral i deputetit rom Amdi Bajram, ndaj kësaj çështjeje, që në raundin e dytë të zgjedhjeve, Stevo Pendarovski ta ketë më të vështirë.
Intensiviteti i BDI dhe RDK-së për deputetët e diasporës dhe indiferenca e PDSH-së në këtë pikë, le për të dyshuar për qasjen misterioze të kësaj partie në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare. Konventa e PDSH-së pa degën më të fuqishme të saj, atë të Strugës, orientimi drejtë zgjedhjeve presidenciale dhe akuzat e njëpasnjëshme të kësaj partie ndaj ministrave shqiptarë në pushtet nxjerr në pah ideologjinë e mbijetesës. Ne luftojmë sa për të mbijetuar. Qëllimi jonë nuk është ndryshimi i pozitës së shqiptarëve të Maqedonisë, por mbijetesa politike.
Beteja për diasporën tregon mos interesimin e qytetarëve të Maqedonisë për këto zgjedhje. Në këtë mënyrë Gruevski dhe Ahmeti, po përgatisin një lloj presioni mbi qytetarët e Maqedonisë nga vet mërgata shqiptare e maqedonase. Edhe një fëmijë i vogël e di se numrat e mërgatës shqiptare betonojnë fitoren e kandidatëve shqiptarë për deputet. Por, pazari politik është në proporcion të zhdrejtë me numrat dhe faktet.
Shqiptarët e Maqedonisë momentalisht gjenden në një udhëkryq historik. Ata në mes të një pozite të centralizuar partiake shqiptare dhe pa opozitë të mirëfilltë shqiptare, duhet që të balancojnë neutralitetin e tyre. Koncepti për diasporën është një akt i mirë politikë. Në këtë mënyrë të gjithë qëndrojnë në skenën politike duke fituar kolltukë e pasuri ekonomike, ndërsa popullata përsëri do të ngelet e zhgënjyer.
Sektori civil ose joqeveritar, me kohë duhej që të vilte diasporën për vete. Ajo nuk ka pasur asnjë mekanizëm lirie dhe filtrimi ekonomik dhe shoqëror në Maqedoni. Diaspora dhe frytet prej saj, mund që të rigjallëronin këtë sektor kaq të rëndësishëm shoqëror. Me iniciativat e politikës për diasporën dhe neglizhimin e saj nga sektori civil, ky i fundit ka humbur edhe shpresën e fundit për rimëkëmbjen e shoqërisë shqiptare të Maqedonisë.
Vergilij ka thënë:” Fata viam invenient. Ose: Fati do ta gjej vet rrugën.”
Në këtë frymë, ajo që duhet të ndodh do të ndodh, njerëzit mund që ta mbështesin shpresën e tyre. Përndryshe të gjitha sinjalet pozitive gjenden shumë larg realitetit vizual dhe konceptual për një jetesë me mirëqenie ekonomike dhe politike.

Exit mobile version