Categories
Lajme

Beteja për kontroll ndaj Egjiptit: Pse Saudia e Madhe i druan Katarit të Vogël?

Falë udhëheqjes pragmatike dhe politikës së jashtme parimore, Katari ia ka dalë që të imponohet si faktor i respektuar dhe lider në rajon (Getty)
Tensionet që i shpreh Arabia Saudite ndaj Katarit flasin për drojën e dinastisë Saud për humbjen e pushtetit, fuqisë dhe prestigjit, por para së gjithash të pozitës hegjemoniste në botën arabe.
Vendimi befasues për tërheqjen e ambasadorëve të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Bahreinit nga Doha, kjo në shenjë të protestës të këtyre vendeve ndaj politikës së jashtme të Katarit, përfundimisht nxori në sipërfaqe mospajtimet e mëdha brenda Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit. Arabia Saudite iu kërcënua Katarit se, nëse nuk i përmbush menjëherë kërkesat e saj, do të aplikojë edhe bllokadë tokësore dhe detare.
Riadi zyrtar kërkon nga Katari që t’i ndërpresë të gjitha lidhjet me Vëllezërit Myslimanë, të cilën e ka shpallë “organizatë terroriste”, ta mbyllë rrjetin televiziv “Al Jazeeera” dhe t’i mbyllë zyrat e dy instituteve hulumtuese në Doha – Brookings dhe Rand, që janë dy qendrat globale më me ndikim për politikën gjeostrategjike. Arabia Saudite, siç thuhet në mediat saudite, e akuzon Katarin për “destabilizim të fshehtë” të regjimit në Rijad. Në të vërtetë, Riadi i arsyeton pohimet e tij me drojën për “sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, ndonëse në fakt bëhet fjalë për drojën e humbjes së pushtetit, të fuqisë dhe prestigjit, por para së gjithash të pozicionit hegjemonist në botën arabe.
Kundërshtimi i reformave 
Për shkak të këtyre tensioneve, është paraqitur përçarje serioze brenda Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit. Në njërën anë është Arabia Saudite, e cila deri vonë ia dilte me sukses ta dominojë politikën e kësaj organizate, por në dëm të vendeve anëtare më të vogla. Në këtë e kanë mbështetur kryesisht edhe satelitët e saj – EBA dhe Bahreini. Në anën tjetër, pas Katarit qëndron Omani dhe Kuvajti, dy vende që kanë refuzuar mbështetjen e kërkesës saudite në betejën diplomatike kundër Katarit. Kjo praktikisht nënkupton se në horizont shihet shpërbërja përfundimtare e kësaj organizate multilaterale.
Një nga shkaqet e mospajtimit të Arabisë Saudite me fqinjët e saj të vegjël është sigurisht perceptimi i kërcënimit iranian dhe relacioni ndaj kësaj fuqie të rëndësishme regjionale, së paku kur bëhet fjalë për ardhmërinë e regjionit të Gjirit, por edhe të Lindjes së Mesme në përgjithësi.
Ekzistojnë disa faktorë që kanë sjellë deri në fragmentimin e Këshillit për Bashkëpunimit të Gjirit. Njëri ndër më të rëndësishmit është “Pranvera arabe”. Arabia Saudite, nga njëra anë, dhe Katari, nga ana tjetër, nuk e kanë perceptimin e njëjtë për “Pranverën arabe”. Sauditët kanë kërkuar nga Katari që ta ndërpresë mbështetjen financiare për Vëllezërit Myslimanë, të heq dorë nga mikpritja e tyre, ta mbështesë grusht-shtetin e Kajros dhe t’i bindet diktatit të “vëllait të moçëm” në Riad, por Doha këtë e ka refuzuar.
Kjo qasje arrogante e Riadit nuk është për t’u befasuar, kur kihet parasysh se monarkia saudite për dekada me radhë e ka mbështetur rendin autokrat arab ose status quo-në e Lindjes së Mesme, duke iu kundërvënë rreptë edhe reformave më të vogla, veçmas ndryshimeve revolucionare, që në fund të fundit, qoftë edhe pjesërisht, e prekin regjionin.
Ajo që i jep shpresë regjimit në Riad është fakti se “Pranvera arabe” nuk ia doli të prodhojë demokraci funksionale, të cilat do të mund të shërbejnë si shembull dhe si kërcënim për pjesën e mbetur të botës arabe. Demokracia e re në Egjipt u ngulfat menjëherë, qeveria e Tunizisë edhe më tej është jostabile, ndërsa lufta në Siri u shndërrua në përplasje afatgjate sektare pa fitues të qartë në skenë. Duke druajtur se erërat e “Pranverës Arabe” mund të shpërthejnë edhe në Mbretëri, regjimi despotik i Riadit, në aleancë me vendet e dëgjueshme – Emiratet dhe Bahreinin, investoi 32 miliardë dollarë ndihmë për fuqitë kundërrevolucionare të Egjiptit.
Lufta e hapur
Për dallim prej Arabisë Saudite, Katari ka marrë qëndrim të kundërt dhe, bashkë me Turqinë, e ka gjykuar grusht-shtetin në Kajro dhe u ka ofruar mikpritje anëtarëve të Vëllazërisë Myslimane. Në lidhje me Sirinë, ndonëse të dyja vendet janë për rrëzimin e regjimit të Asadit, ndërmjet tyre ekzistojnë dallime serioze në pikëpamje të ardhmërisë së saj politike.
Përveç kësaj, në përpjekjet për fuqizimin e dominimit të pushtetit monarkik në botën arabe mbi lëvizjeve revolucionare dhe demokratike, Arabia Saudite para do kohe u ka ofruar status special për anëtarësim në Këshillin për Bashkëpunim të Gjirit edhe Marokut dhe Jordanisë. Ky propozim e ilustron më së miri jo vetëm dyfytyrësinë, por edhe dëshpërimin tipik të politikës saudite.
Maroku, që gjendet në veriperëndim të Afrikës, përveç që është monarki, me asgjë tjetër nuk i përmbush kushtet për anëtarësim në organizatën regjionale për bashkëpunim të Gjirit, që para së gjithash është e kushtëzuar nga faktorët gjeografikë, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për bashkëpunim specifik të sigurisë në regjionin e Gjirit Arab. Ndonëse gjendet afër Gjirit, kjo vlen edhe për Jordaninë.
Për shkak se Doha ofron strehim për fuqitë demokratike arabe, autoritete saudite e përjetojnë Katarin si platformë për destabilizimin e fqinjëve të Gjirit. Duke e marrë parasysh se në Arabinë Saudite dhe në Emirate jeton një numër i madh i simpatizuesve të Vëllezërve Myslimanë, qeveritë e këtyre dy vendeve druajnë se ata mund të gjejnë strehim në Katar dhe që andej të realizojnë destabilizimin e këtyre vendeve.
Katari vëren kërcënim real kundër sigurisë së tij më shumë në Riad, me të cilin është në aleancë formale, sesa në Teheran, kundër kërcënimit të të cilit është themeluar Këshilli për Bashkëpunim të Gjirit.
Arabia Saudite nuk ia del ta fsheh pakënaqësinë dhe zilinë për shkak të faktit se Katarit i ka shkuar për dore në marrjen e pozicionit të sponsorit të lëvizjes islame në regjion. Ndonëse para disa viteve edhe vet u ofronte strehim islamistëve, kur kjo ishte oportune për familjen Saud, sot regjimi i Riadit u ka shpallur atyre luftë të hapur, duke i shpallë terroristë, por duke harruar se përmes shërbimeve të tij sekrete, në bashkëpunim me Agjencinë Qendrore për Informim dhe Shërbimin Informativ Ushtarak të Pakistanit (ISI) ka qenë kumbar i drejtpërdrejtë në krijimin e një nga fatkeqësitë më të mëdha terroriste në botën moderne: Al-Kaidas. /almakos/

Exit mobile version