Leximi i lekturave shkollore apo edhe romaneve dhe librave tjerë për vetëkënaqësi dhe ngritje intelektuale ka kohë që është kthyer në demode. Të dhënë pas zhvillimeve teknologjike dhe përdorimit në masë të internetit, por edhe për mungesë të një tradite të kultivuar leximi, nuk ka mbetur thuajse asgjë nga tradita e dikurshme e frekuentimit të bibliotekave shkollore apo të qytetit, kurse duket se ai aktivitet po i dorëzohet përfundimisht historisë. Ishte një kohë kur nxënësit dhe studentët prisnin në radhë deri sa të merrnin në dorë një roman të caktuar, kur kërkesat e tyre shkonin përtej fondit të bibliotekave shkollore dhe kur të njëjtët abonoheshin nëpër bibliotekat e qytetit, ku zgjedhja gjithsesi se ishte më e madhe. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe me ndonjë përjashtim të rrallë nëpër biblioteka nuk futet thuajse askush, pasi në fakt edhe nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë lexuesit të ri. Bibliotekat janë braktisur jo vetëm prej vizitorëve por edhe prej librave. Arsimtarët, e veçmas ata të gjuhëve vërejnë se “nxënësve u mungon kultura e leximit”. Edhe kur u jep të lexojnë një roman, i cili gjendet lehtë nëpër biblioteka, nxënësit në masë më madhe mundohen ti shmangen detyrimit, tregon Sihana Nesimi, arsimtare e gjuhës shqipe në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup. Thjeshtë, plotëson më tej ajo, nxënësit nuk lexojnë edhe kur një libër apo roman nuk është e vështirë të gjendet, qoftë në shkollë apo në bibliotekat e qytetit.
“Nuk është aspak e vështirë të kuptosh se nxënësve, në përgjithësi u mungon kultura e leximit brenda familjes”, nënvizon Nesimi, duke plotësuar se ka edhe përjashtime nga ky përkufizim, por që janë shumë raste të rralla. Një pjesë të fajit, ajo ia hedhën edhe mungesës së kujdesit institucional, respektivisht mos aftësisë së Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) për të ecur në hap me kohën. “Ka pesë vjet që në shkollë nuk ka ndryshuar lista e lekturave dhe romaneve për nëmësit e arsimit tetëvjeçar”, pohon Nesimi. BZHA, në çdo fillim të vitit u dërgon shkollave plan-programin mësimor, i cili duhet të zhvillohet brenda një viti, si dhe listën e lekturave dhe romaneve që duhet të zhvillojnë nxënësit si pjesë e aktivitetit mësimor jashtë shkollor. Mirëpo, ashtu sikurse vërejnë edhe arsimtarë të tjerë BZHA mbetet çdo herë shumë prapa zhvillimeve botimeve përkatëse. Arsimtarët tregojnë se u japin nxënësve për të lexuar libra të tjerë dhe që nuk figurojnë në listën e lekturave dhe romaneve që sugjeron BZHA-ja. Sepse, ose ata libra janë shumë të vjetër dhe larg shijeve të kohës ose sepse të njëjtat nuk gjenden fare në bibliotekë e shkollës. Këtë përvojë ndan edhe arsimtarja Nesimi. Natyrisht që nuk përkufizohemi vetëm me librat që na rekomandohen nga BZHA, thotë ajo, pasi ka pesë vjet që nuk ka ndryshuar asgjë nga lista. “Unë, por edhe kolegët tjerë në shkollë, u japim nxënësve të lexojnë libra të tjerë, që mendojmë se mund të zgjojnë tek ta interesim më të madh për të lexuar”, pohon Nesimi. Mirëpo, sikurse tregon arsimtarja e gjuhës shqipe në SHF “Hasan Prishtina”, as kjo formë nuk është se ndryshon diçka të madhe në raportin nxënës-libër. Kur afron ora e bisedës letrare, nxënësit nisin kërkimet në internet. “Do të gjejnë në internet ndonjë kritikë letrare apo recensionin e librit në fjalë dhe do të vijnë të ‘përgatitur’ për orën kur duhet ta zhvillojmë atë roman. Do të kenë disa informacione bazë”, shpjegon Nesimi. Arsyetimi, më i shpeshtë i nxënësve edhe për këtë “marifet” është se nuk e gjenin romanin në bibliotekë dhe që kanë të drejtë deri te dera shkollës. Po të kërkonin në bibliotekat e qytetit, të ndonjë shok, apo të afërm, respektivisht po të bënin një përpjekje më shumë, edhe mund ta gjenin romanin edhe pse ky nuk është problem i tyre. Është në përgjegjësinë e shkollës që t’i sigurojë këta libra, sepse ato janë pjesë e programit mësimor të cilin duhet ta zhvillojnë. Shkollat, të cilat kontaktuam për të parë gjendjen e bibliotekave nuk ishin në gjendje të tregojnë përse kanë mungesa të mëdha librash dhe përse raftet e bibliotekave janë me tituj të para 20-30 viteve. Asnjëri prej drejtorëve nuk dinte të tregojë se kur është bërë furnizimi i fundit i shkollës me libra për bibliotekës dhe kur këta drejtorë kanë bërë kërkesë në MASH dhe BZHA për libra të rinj. Kërkesën e fundit nuk e mbante mend asnjëri prej drejtorëve dhe përgjegjësve që kontaktuam për këtë rast. Madje, kishte shkolla, në të cilat biblioteka nuk funksionin as formalisht, ndërsa në shumë të tjera nuk mund të gjendeshin bibliotekistë, sepse ose nuk kishin ardhur fare në shkollë, ose nuk u mbaronte koha e pirjes së kafesë. /koha/
EDITOR
12 years ago
previous article
Harxhojmë më shumë se sa fitojmë!
you might also like
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
1 day ago