Categories
Lajme

Birmani, "ylli i Davidit" për myslimanët

Budistët në Mianmar (Birmani) kanë nisur që shitoret e tyre t’i shënjojnë me etiketat që përmbajnë simbole të caktuara, në mënyrë që t’i dallojnë nga banorët myslimanë të vendit.
Organizata Human Rights Watch (HRW) pohon se, raporti i fundit i Qeverisë së Mianmarit nuk merret fare me përgjegjësinë për dhunën etnike dhe fetare në vend. Në ndërkohë, në ish-kryeqytetin e Mianmarit po shtohen shenjat e diskriminimit fetar. Tregtarët në Yangon shfrytëzojnë numrat e shitoreve për të treguar përkatësinë e tyre budizmit, në fushatën që ndërlidhet me dhunën e paradokohshme kundër myslimanëve.
Nga ana tjetër, tregu në Yangon ka një pamje pothuajse normale. Por, nëse vizitori i huaj shikon pak më me vëmendje, nëpër stenda mund të shoh të ngjitura përplot etiketa me fotografi që simbolizojnë budizmin, dhe me numrin 969, i cili simbolizon vargjet e shkrimeve të shenjta budiste.
Tregtarët thonë se ato vetëm e simbolizojnë besnikërinë e tyre ndaj fesë.
“Në këtë mënyrë klerikët e vjetër na tregojnë se si ta ruajmë fenë. Nëse shkojmë të blejmë diçka, duhet të blejmë nga pjesëtarët e kombit tonë. Nuk duhet të përzihemi me myslimanë, e as të bëjmë biznes me ta. Në këtë mënyrë do ta ruajmë fenë tonë”, tregon për televizionin Al Jazeera, Han Tine, shitës në këtë treg.
Por ka edhe budistë që e pranojnë se i diskriminojnë myslimanët si klientë, siç bënë edhe taksisti U Soe Lwin.
“Në taksinë time mund të hyjnë vetëm budistët”, thotë shkurt ai.
Mijëra njerëz mbetën pa shtëpi
Ka edhe nga ata që fushatën me numrat 969 e shohin si reagim ndaj shkrimeve me numrat ‘786’, të cilat myslimanët i vendosnin para shitoreve dhe restoranteve të tyre ‘hallall’.
Sido që të jetë, fushata anti-myslimane ka marrë hov që nga dhuna e vitit të kaluar e budistëve ndaj myslimanëve, në shtetin Rakin. Asokohe u vranë mbi 200 njerëz, mbi 70 përqind e të cilëve ishin myslimanë.
“Janë këta njerëz të pafajshëm. I humbën shtëpitë dhe familjet e tyre. I humbën të gjitha. Ndjej dhembje të madhe për ta”, pohon Mohammed San Lim, tregtar mysliman me mish.
Kohë më parë, dhuna në Mandalay la pa shtëpi me mijëra njerëz – shumica myslimanë – dhe e detyroi qeverinë që të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.
Shumëkush fushatën 969 e lidh me murgun budist Wirathu, të cilin e akuzojnë për nxitje të dhunës ndaj myslimanëve.
Eksitojnë edhe mëdyshje të tjera për arsyen e vërtetë të dhunës. Kështu, disa atë e shohin si mënyrë për forcimin e ushtrisë.
“Disa grupe ende shpresojnë në kthimin e diktaturës, dhe mënyra më thjeshtë për arritjen e këtij qëllimi është shkaktimi i dhunës ndërmjet feve dhe kombësive të ndryshme”, thotë kleriku budist Shwe Nya Wa.
Por, pavarësisht asaj nëse numrat 969 vërtet nënkuptojnë përhapjen e islamofobisë, duket se blerësve dhe pronarëve budistë ata iu pëlqejnë. Një shitëse pohon se që nga muaji i kaluar, kur në derën e shitores ka vendosur etiketën 969, shitja i është rritur për 50 përqind.
Ndryshe, myslimanët përbëjnë afro katër përqind të popullatës së Mianmarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version