Shoqata e transportuesve Makamtrans ka vendosur që në çdo dy orë të mundësojë kalimin e lirë të automjeteve në vendkalimin kufitar në Bllacë, por vetëm nga 30 minuta. Vendimi sipas drejtuesve të kësaj shoqate vjen pas sinjaleve pozitive të qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës për kapërcimin e dallimeve rreth çështjeve doganore.
Biljana Muratovska ka thënë se bllokadat do të hiqen tërësisht në momentin kur dy qeveritë të arrijnë marrëveshje për heqjen e embargos nga pala kosovare për prodhimet e Maqedonisë dhe të taksave rrugore për shtetasit e Kosovës që ishte vendosur nga autoritetet e Shkupit si kundër përgjigje ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare.
Vendimi i shoqatës Makamtrans vjen disa orë para vizitës së paralajmëruar në Shkup të zv/kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuqi. Një ditë më parë nga qeveria e Maqedonisë shprehën besimin se kontesti mes dy vendeve do të zgjidhet shpejt ndërsa të njëjtën e deklaroi në Prishtinë edhe kryeministri I Kosovës, Hashim Thaçi. /Alsat-M/
Categories