Fëmijët e moshës së shkollës, të cilët jetojnë si refugjatë jashtë Sirisë janë gjithmonë e më shumë të ekspozuar ndaj abuzimeve, punëve të rënda dhe mungesës së edukimit, lajmëroi Organizata e Kombeve të Bashkuara në një raportim të publikuar ditën e premte.
300 mijë fëmijë sirianë që jetojnë në Liban dhe Jordani janë të privuar nga arsimi, sipas të dhënave të “UNHCR”-së.
Shumica e tyre nuk shkojnë në shkollë për të ndihmuar familjet me punë, duke nisur që prej moshës 7-vjeçare.
Gjendja e emigrantëve nuk paraqitet shumë më e mirë as në vendet e tjera ku janë shpërngulur.
Gjysma e 2,2 milionë refugjatëve sirianë janë fëmijë dhe shumë janë bërë pre e dhunës psikologjike dhe fizike.
Organizatat humanitare kanë kërkuar prej kohësh më shumë ndihmë psikologjike për të traumatizuarit nga lufta, por në këtë fushë është bërë shumë pak për të ndihmuar refugjatët sirianë.
Raportimet flasin gjithashtu për një rritje alarmuese të shfrytëzimit të vajzave siriane në prostitucion apo të shitjes së tyre nga familjet për martesë.
Lufta civile në Siri, e nisur në Mars 2011, i ka kushtuar jetën të paktën 120 mijë personave, ndërsa 40% e popullsisë prej 22 milionë banorësh e Sirisë ka braktisur shtëpitë, duke u shndërruar në refugjatë lufte brenda apo jashtë vendit. / Top Channel
Categories