Categories
Lajme FRI

Burmali Xhamia pse s'ndërtohet pa leje, si Car Dushani?

Në vendin e rrethuar prej kohësh, ekskavatorët vazhdojnë të punojnë, sigurisht edhe duke zhdukur nga nëntoka gjurmët e mbetura të Burmali Xhamisë dhe objekteve rreth saj. Nga BFIM theksojnë për “Lajm” se kurrë nuk kanë hequr dorë nga Burmali Xhamia dhe se një ndër prioritetet e këtij institucioni është që t’ia kthejë Shkupit xhaminë e rrënuar nga pushteti i atëhershëm
Pas ngritjes pa leje të përmendores së Car Dushanit, shumë qytetarë në rrjetet sociale kanë parashtruar pyetjen nëse institucionet do të silleshin në të njëjtën mënyrë  edhe nëse fillon ndërtimi i Xhamisë Burmali?
Mirëpo si duket institucionet kanë qasje të dyfishtë kur janë në pyetje përmendoret serbe dhe objektet fetare islame. Edhe burime qeveritare të konsultuara nga “Lajm”, kanë pranuar se po të fillojë ndërtimi i Burmali Xhamisë, institucionet nuk do të rrinin duarkryq si në rastin e Car Dushanit, por do me siguri do të pengonin ndërtimin e kësaj xhamie edhe atë në vendin ku ka qenë para se të rrënohet nga okupatorët serbë.
Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm përmendorja e car Dushanit dhe ndërtimi i kishës në Qendër të Shkupit, e cila është në përfundim e sipër, me të madhe po punohet edhe për ndërtimin hotelit apo shtëpisë së oficerëve në vendin ku dikur ishte Burmali Xhamia, ose Bukuroshja e Ballkanit siç e quajnë udhërrëfyesit e kohës.
Pasi u ndërprenë punimet për një periudhë të shkurtër, kur Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM) paralajmëroi protesta masive në mars,të cilat nuk i mbajti për shkak të zgjedhjeve lokale,  punimet kanë nisur sërish, madje edhe me më shumë vrull. Në vendin e rrethuar prej kohësh, ekskavatorët vazhdojnë të punojnë, sigurisht edhe duke zhdukur nga nëntoka gjurmët e mbetura të Burmali Xhamisë dhe objekteve rreth saj.
Nga BFIM theksojnë se kurrë nuk kanë hequr dorë nga Burmali Xhamia dhe se një ndër prioritetet e këtij institucioni është që t’ia kthejë Shkupit xhaminë e rrënuar nga pushteti i atëhershëm. Nëse Qeveria nuk e mban premtimin dhe vazhdon ta lejojë investitorin grek të vazhdojë me ndërtimin e hotelit që është pjesë e Shkupit 2014, BFIM do ti aktivizojë protestat që nuk i mbajti në mars për shkak të premtimeve që mori nga Qeveria. “BFIM  nuk ka hequr dhe nuk do të heqë dorë nga Burmali xhamia. Nuk jemi dorëzuar prej atij projektit dhe nuk do të dorëzohemi kurrë.  E gjithë bota islame është e informuar për gjithçka që ndodh rreth Burmalisë, edhe Ankaraja, edhe Liga Botërore Islame. Kryetari në çdo takim që ka edhe me ambasadorët edhe me personalitetet e tjera tregon se një nga prioritet e BFIM-së është Burmalija”, tha për “Lajm” zëdhënësi I këtij institucioni, Abaz Islami.
Ai sqaron se BFIM i anuloi protestat e parapara për në mars për një kohë të pacaktuar, me shpresë se qeveritarët do ta mbajnë premtimin. “BFI i anuloi protestat e parapara në mars për shkak të zgjedhjeve lokale, por edhe pse mori premtime se kjo çështje do të zgjidhet. Nëse nuk zgjidhet ne do ti riaktivizojmë, ose do të dalim me masa të reja.”, thotë Islami, duke shtuar se në ditët në vijim BFI do të informojë për masat që do të marrë në lidhje me këtë çështje.
Në fillim të vitit 2012 Ministria e Transportit dhe Lidhjeve si dhe Komuna Qendër, i dhanë leje biznesmenit grek Kondominas, për ndërtimin e Shtëpisë së Oficerëve në sheshin e Qytetit të Shkupit, mbi themelet e xhamisë së Burmalisë.
Burmali Xhamia u ndërtua në vitin 1495 në anën e djathtë të lumit Vardar pranë Urës së Gurit në qendër të Shkupit. Ajo ishte njëra nga xhamitë më të bukura të Shkupit e cila u rrënua nga fanatikët ortodoks në vitin 1925. Në të njëjtin vit bashkë me Burmalinë u  rrënuan 120 xhami në Shkup.

Exit mobile version