Categories
Lajme FRI

Çfarë ardhmërie me borxhe na pret?

Cikli i dyfishtë zgjedhor edhe këtë vit i tolloviti llogaritë ekonomike – zbrazëtira në arkën shtetërore vështirë se do ta mbahet në nivelin e planifikuar, e pikërisht deficiti buxhetor praktikisht nënkupton – marrje të huasë, pa marrë parasysh se a bëhet kjo nga kreditorë të brendshëm ose të jashtëm. Pritjet dhe projektimet për deficitin buxhetor, gjegjësisht për borxhin publik, të institucioneve financiare të brendshme dhe të atyre ndërkombëtare, janë të ndryshme. Sipas Komisionit Evropian deficiti për këtë vit nuk do të jetë 3,5%, siç ka paraparë qeveria, por 4,2% e PBB-së. Edhe në hulumtimin më të ri të Qendrës për analiza ekonomike theksohet se qeveria projekton përqindje të rritjes dhe deficite buxhetore, të cilat vetë i tejkalon ose nuk i respekton.
Çka prognozon faktori ndërkombëtar?
Targetet e qeverisë për konsolidimin e deficitit buxhetor, gjegjësisht për ngadalësimin e tempos së marrjes së huave të reja vështirë se do të realizohen. Në “Raportin më të ri të pranverës”, Komisioni Evropian parashikoi rritje edhe të deficitit buxhetor edhe të borxhit publik. Me një projektim të ngjashëm doli edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Projektimet e Komisionit Evropian:
“Këtë vit, qëllimi për deficitin e përgjithshëm është përcaktuar në 3,5 përqind dhe në 3,2 për qind për vitin 2015. Megjithatë, burimi i kursimeve buxhetore për përkrahjen e konsolidimit është i paqartë. Programi ambicioz për investime publike, rritja e pensioneve dhe transferi i pagesave të tjera, si dhe rritja e mëtutjeshme që është paraparë për rrogat në sektorin publik, tregojnë se do të vazhdojnë presionet mbi shpenzimet e përgjithshme. Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj tatimeve të ulëta dhe planeve për zvogëlimin e përqindjes së të ardhurave në 31,3 për qind të PBB-së ndërmjet viteve 2014 dhe 2016. Në përgjithësi, deficiti mund të zgjerohet në viti 2014, e do të vazhdojë edhe më tutje nëse shpenzimet vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve”, thuhet në prognozë.
Ja se çka prognozon Komisioni Evropian:
Deficiti buxhetor:

2013 -4,1 %
2014 -4,2%
2015 -3,9%

Borxhi i përgjithshëm i qeverisë:

2013 36,0%
2014 38,7%
2015 40,8%

Projektimet e Fondit Ndërkombëtar Monetar:
Tashmë dy javë në Maqedoni është duke qëndruar ekipi i FMN-së i udhëhequr nga shefja e misionit Ivana Vlladkova Hollar. Në vizitë paszgjedhore, por në kontroll të rregullt, ekipi i FMN-së duhet të tregojë se a është ekonomia në kondicionin adekuat financiar që në kohë t’i paguajë borxhet, veçanërisht ato ndaj institucioneve të jashtme.
Si paraardhës i këtij kontrolli, në fillim të vitit  Bordi i drejtorëve të FMN-së e publikoi vlerësimin për atë se si qeveria e harxhoi huanë që e mori në vitin 2011, mu para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Bordi i drejtorëve të FMN-së pret përqindje pozitive të rritjes ekonomike, të cilat gjatë viteve të ardhshme do të arrijnë edhe deri në 4%, por njëkohësisht edhe rritje të mëtutjeshme të borxheve. Në vlerësim përmenden edhe kreditë që i marrin ndërmarrjet publike, prapa të cilave si garancë qëndron shteti.
“Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore nënshkroi linjë kreditore prej 550 milionë eurosh me bankën kineze Eksim, që duhet të paguhen gjatë periudhës 2014-2018. Banka maqedonase për zhvillim (BMPZH) ka nënshkruar marrëveshje për linjë plotësuese kreditore prej rreth 100 milionë eurosh nga BEI. Në përgjithësi, parashihet se borxhi publik do të rritet prej 41% në 49% të PBB-së gjatë periudhës prej vitit 2013 deri në vitin 2018” – shkruan në vlerësimin e FMN-së.
Sipa prognozave më të reja të FMN-së, që janë publikuar në takimet pranverore të fondit dhe të Bankës Botërore, ekonomia e Maqedonisë do të vazhdojë me përqindje rritëse të PBB-së, të cilat në vitin 2019 duhet të arrijnë në 4%.
Projektimet për rritje të PBB-së:

2014 3,1%
2015 3,4%
2016 3,8%
2017 3,9%
2018 4,0%
2019 4,0%



 

Për tre vjet duhet të kthehen 1 miliardë euro…

Sipas “Strategjisë fiskale”, qeveria projektoi optimizëm më të madh për periudhën që vjen. Për dy vjet, sipas prognozave qeveritare, ekonomia do të ketë rritje prej 4,5%. Mëkëmbja e sektorit privat, sipas vlerësimeve, është faktori kryesor për këto pritje. Ja se çfarë përqindjesh të rritjes ekonomike parashesh qeveria:

2014 3,2%
2015 3,8%
2016 4, 5%

Njëkohësisht, qeveria projektoi zvogëlim të deficitit buxhetor, numra këto të shënuara në letër, mirëpo në realitet, gjendja është ndryshe.
Kështu, sipas “Strategjisë fiskale”, vitin e kaluar deficiti buxhetor ka qenë 3,6% e PBB-së (ky vit përfundoi me deficit prej rreth 4%, ndërsa sipas Komisionit Evropian ai ka qenë 4,1%), për këtë vit qeveria ka projektuar deficit prej 3,5% (sipas prognozave të KE-së ai do të jetë 4,2%), në vitin 2015 është projektuar deficit prej 3,2% (sipas prognozave të KE-së, 3,9%).
Sipas të dhënave, në vitet 2014, 2015 dhe 2016, për shkak të pagesës së borxheve të brendshme dhe të jashtme për financim vetëm të deficitit buxhetor, Maqedonia duhet të paguajë 950 milionë euro, gjegjësisht rreth 1 miliardë euro ndaj kreditorëve të vendit dhe të huaj.
“Borxhi shtetëror është planifikuar të ruhet në kornizat e projektuara, gjegjësisht të ketë rritje të matur që nuk do ta rrezikojë qëndrueshmërinë e financave publike, kështu që pritet që borxhi shtetëror të mos e tejkalojë nivelin prej 37,6% të PBB-së deri në fund të vitit 2016” – shkruan në “Strategjinë fiskale”.
Sipas të dhënave më të reja, të cilat janë në dispozicion nga Ministria për Financa, deri në fund të kuartalit të parë, gjegjësisht deri në fund të muajit mars, borxhi publik i qeverisë qendrore është 2 miliardë e 850 milionë euro ose 35,7% e PBB-së.
Еkspertët nga Qendra për analiza ekonomike në hulumtimin më të fundit theksuan se qeveria projekton përqindje të rritjes ekonomike dhe të deficitit buxhetor, të cilat pastaj nuk plotësohen gjegjësisht tejkalohen.
“Qeveria rregullisht parasheh përqindje më të larta të rritjes ekonomike me gabim të madh statistikor që tregon se vlerësimet makroekonomike janë me kualitet të ulët. Qeveria rregullisht e tejkalon planin e balancit buxhetor, nuk i respekton rregullat e saja fiskale dhe tregon anshmëri ndaj deficiteve buxhetore” – thuhet në hulumtimin e QAE-së.
Që të ruhet niveli i borxhit publik prej rreth 34% të PBB-së, sipas llogarive të ekonomistëve, këtë vit buxheti nuk duhet të përfundojë me minus në arkën buxhetore, por me suficit pak mbi zeron.
Portalb

Exit mobile version