Kohë më parë, publicisti Veton Surroi në një forum në Vjenë për Kosovën kishte vecuar tri elemente që sipas tij e kërcënojnë Kosovën.
Surroi theksin e kishte vënë në: zaptimi i shtetit në prani të bashkësisë ndërkombëtare, mospërfundimin e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës dhe tek rritja e islamizmit politik si alternativë ndaj shtetndërtimit të korruptuar.
Në lidhje me islamin politik në Kosovë, Surroi citohet të ketë thënë se ai po e infekton gjithë debatin në Kosovë.
“Potenciali i këtij kërcënimi, i konkurrencës së Islamit politik karshi shtetit të zaptuar shihet në Siri. Deri më tani mbi pesë shqiptarë nga regjioni, dy nga Kosova janë vrarë në Siri. Sipas burimeve siriane, ata atje po luftojnë në një luftë që është krejtësisht e huaja për trevat shqiptare; po luftojnë në njësitet që besojnë në luftën doktrinare mes sunitëve kundër alevitëve (shiitë)”, ka thënë ai.
Edhe ish kreu i misionit të OSBE’së në Kosovë, William Wallker, në një intervistë kishte shprehur pikëpamjet e tij se rritja e Islamit radikal në rajon është një problem.
“Ky po bëhet problem gjithnjë e më i dukshëm në Kosovë. Nuk e di sa i përket Shqipërisë, por supozoj se edhe atje. Mendoj se kjo është diçka që të gjithë duhet ta përcjellin, të jemi të kujdesshëm që të mos përkeqësohet. Kur kam qenë herën e fundit në Kosovë , më thanë se bëhet fjalë për disa qindra njerëz të cilët janë duke luftuar në Siri. Nuk e di nëse dikush i rekruton dhe kush janë ata, por Ballkani nuk ka nevojë për njerëz të cilët do të trajnohen për luftime guerile dhe të cilët do të angazhoheshin në këtë luftë të përgjakshme civile, si ajo që po ndodh në Siri. Kur të kthehen në Maqedoni, Kosovë çfarë do të bëjnë pastaj? Do të sjellin me vete atë që e kanë mësuar? Kjo është e rrezikshme për rajonin. Shumë e rrezikshme. Unë e di se shumë njerëz që ishin në UÇK kanë shkuar në Irak për të fituar para, të mësojnë anglisht dhe kjo është në rregull. Por, pastaj e kuptova se disa prej tyre kishin shkuar në Afganistan dhe disa i përkisnin një grupi, e të tjerët palës tjetër. Dhe kjo është më një situatë ndryshe. Ndërkaq kjo shkuarja në Siri, sidomos me informacionet se grupet vahabi janë paraqitur në Kosovë, ndërkohë që kam dëgjuar se ka grupe edhe më radikale islamike në Kosovë, atëherë kjo është e frikshme”, është shprehur ish diplomati amerikan William Wallker.
Ndërsa, publicisti Baton Haxhiu në kolumnat e tij që ngjallën reagim të ashpër nga komuniteti mysliman, ndër të tjera shkruante se: Mënyra imponuese e hapjes së temës së shamisë është forma e parë mashtruese e fillimit të islamit politik. E islami politik dihet mirë ku e ka fillimin dhe ku fundin. Është e thjeshtë dhe e ditur botërisht. Fillimi është me shaminë dhe fundi është me luftën civile dhe me marrjen e pushtetit. E gjithë çështja është se ata kërkojnë që mos të jenë të vetmuar në atë që besojnë.
Almakos: Çfarë nënkuptohet me “Islam politik”?
Zeqirija Ibrahimi: Megjithëse është çështje teorike, me të cilën merren ekspertët e kësaj fushe, sociologët e politologët, unë do ta shpreh mendimin tim se si e percepton shoqëria shqiptare këtë term dhe çka mendoj unë për të. Islami politik nga shqiptarët, në përgjithësi, perceptohet si organizim politik që si synim të fundit e ka vendosjen e sheriatit. Ndërkaq, si shembull të sheriatit merren tipat e talebanëve në Afganistan, të ekstremistëve në Irak, po pse jo edhe të “revolucionarëve” të Iranit, për të konkluduar se synimi i organizatave politike islame të tilla është talebanizimi i shoqërisë shqiptare. Kujtoj se kemi të bëjmë me një frikë joreale, thjesht me një fobie, sepse kjo në shoqërinë shqiptare asnjëherë nuk do të ndodhë, sepse nuk ka shtrat ku mund të zërë vend kjo. Prandaj, pa drojë për këtë! Nuk po flasim këtu për atë se dikush qëllimisht mund të fryjë këtë.
Ajo që te ne njihet si islam politik kujtoj se është importim i një frymë të vendeve arabe, të cilat, duke iu referuar vendeve si Egjipti, Tunizia, Libia etj., kujtojnë se kjo mund të ndezë edhe këtu. Ndërkaq e vërtetat është se ato lëvizje islamike po dështojnë edhe në ato vende ku trumbetohet se janë shumë të fuqishme. Për mua islam politik i suksesshëm është ajo që e ka ofruar Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Turqisë (e kryeministrit Erdogan), e cila nuk bën politikë me religjionin, por e cila për dhjetë vite e ka ngritur Turqinë për dhjetëra shkallë më lart në aspekt të standardit jetësor e të drejtave të njeriut.
Ndërkaq, mendimi im në lidhje me këtë çështje është se myslimanët e botës në përgjithësi kanë nevojë ta zhvillojnë më thellë mendimin politik dhe të dinë ta shtrijnë atë në shoqëritë përkatëse. Si e para kujtoj se nuk ka fare nevojë që të formohen organizata politike me atribute islame. Nëse mendimi politik islam është të luftohet për të drejtën e shamisë në shkolla, për mësim-besimin dhe për ndërtimin e një xhamie, siç pretendojnë sot disa “islamistë politikë” në Kosovë, kjo i bie se ata nuk e njohin thelbin e islamit dhe nuk kanë njohuri më të thella për filozofinë politike islame. Kjo i bie se ata që merren me financat publike, nuk merren me çështje islame, as ata që merren politikat bujqësore të shtetit, e as ata që bëjnë planifikimin e ujërave, e as ata që merren më shëndetësinë. Sipas mendimin tim, islame është të merresh pikërisht me lirinë e njeriut, të përpiqesh ta rregullosh jetën e njerëzve, të krijosh mirëqenie në shoqëri, të prodhosh vlera të mbara për mbarë shoqërinë pa marrë parasysh përkatësinë fetare e etnike të qytetarëve. Zaten edhe parimet bazë të sheriatit të gjitha e kanë referencë lirinë. Dhe, sipas atyre parimeve, kujtoj se më sheriatike është Zvicra, Suedia, Danimarka e Gjermania sesa Arabia Saudite, Egjipti, Kuvajti, Emiratet e vendet tjera që pretendojnë se janë vende të tilla.
Mendimi im është se myslimanët kanë nevojë ta zhvillojnë me tepër mendimin islam, sidomos për çështjet politike, në mënyrë që ta kuptojnë se ajo që ata e quajnë “islam politik” ka të bëjë fare pak me islamin e vërtetë.
Nëse na lejohet të bëjmë pak teori, qëllimi i islamit asnjëherë nuk ka qenë pushteti. Ideja për këtë tip të islamit politik, siç e shohim sot, lindi pas vitit 1924, me shuarjen e shtetit osman. Dhe, dëshira për ta ngritur hilafetin dhe, pastaj, lufta antikolonialiste e vendeve arabe, e prodhuan një lëvizje reaksionare që më vonë u importua edhe te ne. Synimi i saj është të krijohet shteti islam, duke pretenduar se ashtu vihet “rendi në tokë”. Ky bëhet “ideali më i lartë dhe më sublim”, për të cilin “ia vlen të viktimizohesh e të martirizohesh”. Ndërkaq harrohet se pushteti për myslimanin e mirë është vetëm mjet, e jo qëllim. Qëllimi i myslimanit është lumturia e njeriut në botë, që në gjuhën islame përkthehet se qëllimi i njeriut në botë është “adhurimi i Zotit”. Sepse, sipas mësimeve islame, adhurimi i Zotit prodhon detyrimisht lumturi.
Madje edhe ajo që myslimanët e quajnë “shtet islam” kujtoj se është një utopi, sepse ai shtet asnjëherë nuk ka ekzistuar. As polisi i Medines, në kohën e Profetit Muhamed, nuk ka qenë shtet teokratik, e të mos flasim për formacionet e mëvonshme politike.
Kujtoj se religjioni është bindje personale, është marrëdhënie e njeriut me Zotin, që nëse është e sinqertë dhe e shëndoshë, prodhon mirëqenie edhe në relacionet e njeriut me njerëzit e tjerë, me menaxhimin e resurseve njerëzore, me menaxhimin e institucioneve etj., që me fjalë të tjera është jeta politike. Islami në aspekt shoqëror është liria, drejtësia dhe mirëqenia.
Almakos: Sa është e prekur me këtë fenomen shoqëria shqiptare, në veçanti ajo në Kosovë dhe Maqedoni?
Zeqirija Ibrahimi: Kujtoj se edhe te ne, sidomos në Kosovë, pra më pak në Maqedoni, ka prirje që të prodhohet një organizim politik me atribut islam, i cili nuk e ka parasysh asnjë fushë tjetër shoqërore, pos shamisë, xhamisë dhe mësim-besimit. Sikur shoqëria kosovare ka pastruar me lirinë politike, me mirëqenien ekonomike, me avancimin e arsimit, shëndetësisë, shkencës, kulturës, sportit, jetës sociale etj. Kur e vështrojmë kështu, kujtoj se janë disa qarqe të caktuara që duan të shfrytëzojnë euforinë e krijuar për shkak të disa diskriminimeve me prirje tendencioze ideologjike, për ta materializuar kështu mundësinë që vetë të futen në politikë (të marrin pushtet) nga dera e vogël.
Në gjykimin tim më shumë islame është “Vetëvendosja” që flet se si po kontrabandohet Kosova, si po humbet veriu, që flet për varfërinë, për cilësinë e dobët të arsimit, për politizimin e administratës etj., ndonëse ata mund të mos jenë njerëz fare fetarë, madje edhe ateistë, sesa një lëvizje e a.q. islamike që përveç shamisë, xhamisë dhe mësim-besimit nuk ka asnjë temë tjetër.
Ndërkaq sa u takon këtyre organizimeve politike në Kosovë, që pretendojnë me imazhin islam, kujtoj se ato janë lëvizje reaksionare dhe aspak afirmative, pa asnjë platformë gjithëpërfshirëse shoqërore, rëndom prodhuese të polarizimeve shoqërore, ndërsa janë krejtësisht jopremtuese e të pashpresa për shoqërinë shqiptare se mund të bëjnë diçka më shumë në aspekt të jetës shoqërore.
Në jetën politike nuk mjafton të jesh besimtar i mirë, të shkosh në faltore dhe të jesh respektues i fesë. Aty kërkohet të jesh në gjendje të prodhosh mirëqenie për të gjithë, e jo që paaftësinë ta shesësh si ndershmëri fetare. Fjala bie, për Turqinë nuk është e rëndësishme më se a është religjioz kryeministri, se në cilën xhami falet, se a e ka gruan me shami, porse cili është standardi jetësor që ai ua ofron qytetarëve të Turqisë.
Almakos: Kush e përfaqëson të ashtuquajturin “Islam Politik” në Kosovë dhe Maqedoni?
Zeqirija Ibrahimi: Ma merr mendja se në Kosovë këtë e ka shprehur hapur dhe nuk e ka mohuar LISBA, ndërsa edhe Partia e Drejtësisë, ndonëse më e butë në qëndrime, është po në ato frekuenca.
Në Maqedoni ende nuk ka një organizim të tillë dhe uroj që të mos ketë. Sepse ne më shumë se për firma që mbajnë shtesën “islame”, kemi nevojë për organizime politike që dinë ta artikulojnë drejt dhe ta mbrojnë mirë interesin tonë qytetar e kombëtar. Që, për fat të keq, me këto struktura politike kjo nuk po ndodhë as sot e kësaj dite./Almakos
Categories