Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare prezantoi rezultatet kryesore të studimit: “Demokracia shqiptare në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013”.
Sondazhi është zhvilluar në 12 qytetet kryesore të vendit, ndërsa janë shpërndarë 1200 pyetësorë.
Qytetarët pyeten që nga besimi tek institucionet, ku kryeministri rezulton të ketë besueshmëri të lartë, e deri tek korrupsioni, ku gjykatat zënë vendin e parë.
Sipas të dhënave të ofruara nga ky sondazh, rezulton se për shumicën prej të anketuarve, shqetësimi kryesor rezulton të jetë kriza ekonomike (33%), e ndjekur nga mungesa e zbatimit të ligjit (15%), ndërsa në vend të tretë renditet korrupsioni me 11% të të pyeturve.
Në këtë kontekst, shqetësim kryesor për ta mbeten të ardhurat e pakta ekonomike me (28%), e pasuar nga papunësia dhe varfëria. Megjithatë, rreth gjysma e të pyeturve thonë se standardi i tyre i jetës është mesatare. Nga ana tjetër, për rreth 42% të të pyeturve, situata ekonomike në vend është e keqe, e pasuar nga 24% që mendojnë se kjo situatë është shumë e keqe.
Shqiptarët kanë një dëshirë të madhe për t’u larguar nga Shqipëria, pasi 61% të tyre thonë se do të largoheshin, nëse do t’u jepet mundësia, kundrejt 28% që thonë të kundërtën. Shqiptarët nuk besojnë shumë edhe tek cilësia e arsimit, ku universitetet publike renditen më lart se ato private. Megjithatë, për shumicën prej tyre (47%) kur pyeten se si do të vlerësonin cilësinë e arsimit publik në vend, thonë se ajo është mesatare. E njëjta pyetje është bërë edhe për arsimin privat, ku vetëm 30% thonë se kjo cilësi është mesatare.
E kundërta ndodh me shëndetësinë ku spitalet private kanë nivel më të lartë cilësie se sa ato publike. Sipas të dhënave të ofruara. 37% e qytetarëve të pyetur mendojnë se cilësia e shërbimit në institucionet shëndetësore publike është e ulët, ndërsa 34% e mendojnë për spitalet private. Nga ana tjetër, 31% mendojnë se cilësia më e mirë është në spitalet private, kundrejt 5% që mendojnë si më cilësore spitalet publike.
Edhe kësaj here, drejtësia ka nivelin më të ulët të besueshmërisë. Pyetjes së bërë nëse “sistemi i drejtësisë jep drejtësi?”, 73% e qytetarëve thonë që kjo nuk është e vërtetë, kundrejt vetëm 16% që e besojnë këtë. Edhe më i lartë është numri i atyre që besojnë se duhet dhënë ryshfet për të marrë drejtësinë që kërkojnë. 75% e tyre mendojnë se për të pasur drejtësi, duhet të paguajnë. Sistemi i drejtësisë shihet si mjaft i lidhur me politikën, ku 67% e qytetarëve mendojnë se për të pasur drejtësi duhet të kenë lidhje politike për të influencuar më pas tek gjykatat.
Teksa ndodhemi përpara zgjedhjeve, qytetarët japin mendimet e tyre edhe për prioritetet që duhet të ketë Parlamenti. 23.6% e tyre thonë se ai duhet të përqendrohet tek funksioni i mirë i shtetit, e pasuar nga mundësitë për punësim dhe lufta ndaj korrupsionit. Në vijim të kësaj, qytetarët mendojnë se qeveria e re e dalë nga zgjedhjet duhet të përqendrohet më shumë tek zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës (28.8%), e ndjekur nga kërkesa për rritjen e standardeve për shërbimet publike si në arsim dhe shëndetësi dhe më pas punësimi i të rinjve dhe lufta ndaj varfërisë.
Për sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, sondazhi thotë se 71% do të votojnë. Teksa kur pyeten se përse nuk do të votojnë, pra pjesa abstenuese, shumica prej tyre, thonë se nuk besojnë që zgjedhjet do të ndryshojnë diçka (39%), dhe po aq është numri i atyre që besojnë se zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme.
Për sa i përket besueshmërisë, në vend të parë, shqiptarët besojnë median, e pasuar nga institucionet fetare, ndërsa në vend të tretë renditet kryeministri dhe më pas shoqëria civile. Ndryshe, partitë politike renditen të fundit për sa i përket besueshmërisë dhe një shkallë më lart, gjykatat.
Për sa i përket bashkimit me Kosovën, 55% e shqiptarëve janë pro. 16% thonë se nuk do të votonin nëse do të zhvillohej një referendum i tillë, teksa 14% shprehen kundër. /S.Lleshi/Start/
EDITOR
12 years ago
previous article
Daçiç: Shqipëria para Serbisë në BE?! Serbët duhet të vetëvriten
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
12 months ago