Categories
Lajme

Çfarë të presin shqiptarët e Maqedonisë nga Qeveria Rama?

Konkretisht lindin pyetjet, se çfarë në fakt mund të presin shqiptarët e Maqedonisë nga Qeveria Rama?

 
Deklarata e fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama pas takimit me presidentin maqedonas Gjorge Ivanov në Tiranë u kritikua nga opozita shqiptare duke thënë se Rama ka vënë shenjën e barazisë mes pakicave maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve në Maqedoni. Ish kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë madje tha se deklaratat e tilla janë të rrezikshme.
Po e njëjta ku Rama thotë se “ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët” është diskutuar edhe në qarqet analitike në Maqedoni, konkretisht lindin pyetjet, se çfarë në fakt mund të presin shqiptarët e Maqedonisë nga Qeveria Rama?
“Ende është herët për të vlerësuar qeverinë Rama edhe ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse politikat e tija shkojnë në vijë të ndihmës institucionale siç ishte një paralajmërim të hapjes të një konsullate në Manastr dhe përshtypjes që u morr nga fjalimi në Prishtinë kjo do jetë një freskim në angazhimin e Shqipërisë si shtet fqinj në dobi të Maqedonisë gjeneralisht por edhe për qytetarët e saj shqiptarë në veçanti” thotë për Portalb, opinionisti Ramadan Ramadani.
Më optimist se Ramadani është analisti Edmond Ademi i cili thotë se me politikën e re të Qeverisë Rama duhet të presim një qasje më pozitive dhe një mbështetje më të madhe jo vetëm ndaj shqiptarëve të Maqedonisë por gjithë atyre që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë.
“Nga ajo që në fillim e shoh dhe nga kontaktet dhe informatat që kam si dhe nga ajo që Rama e diskutoi në Prishtinë mendoj se ekziston bazë e mirë që Qeveria shqiptare të bashkëpunojë jo vetëm në planin politik por edhe në sfera të tjera me shqiptarët e Maqedonisë. Presim një bashkëpunim më të gjërë edhe me sektorin civil shqiptar në Maqedoni dhe me individ që do të kishin dhënë kontribut në realizmin e programit të Qeverisë shqiptare vizavi shqiptarëve në Maqedoni.” shprehet për Portalb, Ademi.
Ndërkaq, duke analizuar qasjen e re të Qeverisë shqiptare, Ramadani thotë se hije të keqe jep mos-përcaktimi i një këshilltari të veçantë për Maqedoninë si me shembullin e Kosovës.
“Sepse sidoqoftë Maqedonia është shtet me rëndësi fqinj i Shqipërisë kurse shqiptarët e saj pjesë e rëndësishme e kombit shqiptarë që kanë nevojë për përkujdesje edhe nga shteti amë” thekson Ramadani.
Deklartatat e Ramës, paralelizëm apo?
Dy analistët thonë se deklaratat e Ramës nuk duhet shikuar në prizmin e vendosjes së barazisë mes pakicave maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve në Maqedoni.
“Nuk ka paralele mes pakicave Maqedonase dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Është një reagim i fryrë. Mesazhi kyç ishte se për herë të parë kryeministri shqiptar i thotë presidentit maqedonas publikisht se nuk është i kënaqur me trajtimin e shtetit të tij ndaj shqiptarëve. Deri më tani nuk e kemi pasur këtë rast ta thotë këtë publikisht Berisha” thotë Ademi.
“Paralelizmi nuk ishte direkt por ai ishte në qasje; që është një qëndrim fer në përputhje me rregullin e artë të bësh të tjerëve atë që do për vete. Paralelizmi pra ishte vetëm në qasje pasi Maqedonia dhe Shqipëria dallojnë esencialisht si shtete; Shqipëria është edhe shteti kombëtar i Shqiptarëve kurse Maqedonia është një shtet multietnik që në fillimet e konstituimit të saj dhe për më tepër nga presioni grek viteve të ’90 i ka të abroguara nenet kushtetuese që ishin në vijë të përkujdesjes ndaj pakicave maqedonase jashtë kufijve të Maqedonisë. Andaj edhe kujdesi i Ivanovit dhe të ngjashmëve për maqedonasit jashtë kufijve janë projekte private dhe jokushtetuese dhe si të tilla nuk janë njësoj me obligimin kushtetues që ka Rama si kryeministër i Shqipërisë për shqiptarët e Maqedonisë” thotë Ramadani.
Edmond Ademi më tej thekson se, sipas tij, në mesazhet e Ramës: i pari në Kosovë dhe i dyti në Maqedoni, shihet se për herë të parë pozita e shtetit shqiptar ndryshon.
“Rama shumë qartë e tha se shqiptarët e Maqedonisë janë tejet të diskriminuar se nuk funksionon marrëveshja e Ohrit. Për herë të parë kemi një qasje ndryshe në krahasim me Berishën ku ai gjithmonë thoshte se është i kënaqur me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se punët shkojnë mirë” shprehet për Portalb, Ademi. /Portalb

Exit mobile version