Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia e Drejtësisë, Jeton Svirca, ka thënë se kërkesa e tij dhe deputetëve tjerë nga partia e tij ka qenë që të largohet pjesa e Projektligjit për Zhurmën që ka të bëjë me aspektet fetare.
Svirca ka bërë me dije se çështja e këtij ligji mund të rregullohet shumë shpejtë. Ai njofton se Bashkësia Islame dhe Ipeshkvia e Kosovës kanë tashmë një disponim për nivelizimin e thirrjeve të tyre fetare.
“Kërkojmë që ky ligj ta largojë pjesën për të cilën ne kemi konsideruar që është jo adekuate të asocohet ashtu. Ne kemi kërkuar që ligji për zhurma t’i heqë ligjin për ezanin dhe kambanat”, ka thënë Deputeti Svirca në emisionin ‘Interaktiv’ në KTV.
“Ne jemi deklaruar se kjo çështje mund të rregullohet shumë lehtë”.
“Ne vlerësojmë se është ofendim që ezani të konsiderohet si zhurmë në ligj”.
“Ne kemi informata se BIK ka shpërndarë një qarkore ku u ka bërë thirrje të gjithë imamëve që ta nivelizojnë zërin e thirrjes së ezanit. Pra BIK dhe Bashkësia Katolike janë të gatshme të arrinë në nivelizim por në formën se si ata dëshirojnë duke mos u ndjerë në një ligj që thirrjen për lutje e ka konsideruar si zhurmë”.
Por, a mundet që toni i ezanit të ulet në kohët e mëngjesit të hershëm dhe mbrëmjes së vonshme?
“Faktikisht në kohën e sabahut dhe të jacisë niveli i zërit është më i ulët se sa në thirrjet tjera për besimtarët”, tha Svirca në KTV.
Duke folur për fenomenin e shkuarjes së kosovarëve për të luftuar në Siri, Deputeti Svirca tha se PD e sheh këtë sit ë drejtë individuale të atyre që vendosin të shkojnë për të luftuar.
“Shkuarja për të luftuar në Siri është e drejtë individuale, por kjo nënkupton se PD e përkrah këtë luftë. PD nuk i paragjykon veprimet e tyre”.
“Përderisa personat që kanë shkuar dhe do të kthehen në Kosovë dhe e respektojën Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nuk duhet të kemi frikë”.
“Në rast se ka rrezik nga ta, shteti duhet t’i përdorë mekanizmat e veta për verifikimin e rrezikut”.
“Personat që kanë shkuar në Siri kanë pasur ndjenjën solidare”, ka thënë Svirca.
Categories