Categories
Lajme FRI

Cili është qëndrimi islam për dhunën kundër grave?

Dhuna kundër grave nuk nxitet dhe nuk lejohet në asnjë rrethanë. Në Kuranin e shenjtë ka dhjetëra ajete, që lartësojnë trajtimin e mirë të grave. Disa urdhërojnë në mënyrë specifike mirësjelljen ndaj grave (2:229-237; 4:19; 4:25). Këto ajete e bëjnë të qartë, se marrëdhëniet mes burrave dhe grave duhet të karakterizohen nga mirësjellja, respekti reciprok dhe përkujdesja. Disa ajete, ku Allahu u bën thirrje burrave dhe grave: “të mbrojnë miqtë e njëri-tjetrit”, i referohen atmosferës së mirësjelljes reciproke dhe mëshirës në shtëpinë martesore (30:21, 9:71). Ajete të tjera tregojnë mosaprovimin e dhunimit apo keqtrajtimit të grave. Surja 2, ajeti 231 e dënon bashkimin sërish me gratë pas ndarjes nëse ato lëndohen, surja 4, ajeti 15 specifikon bërjen be kundër gruas sesa ushtrimin e dhunës në rast dyshimi për tradhti bashkëshortore, surja 4, ajeti 19 ndalon martesën me forcë; surja 4, ajeti 29 ndalon qartë, që ta bësh gruan të ndihet e pasigurt; surja 5, ajeti 92 heq ndikimin ligjor nga betimet kundër grave, kur ato janë bërë gjatë zemërimit dhe surja 17, ajeti 90-91 kërkon përmbushjen e betimeve, marrëveshjeve verbale dhe premtimeve. Edhe në rast divorci, bashkëshortët udhëzohen të sjellin një person të familjes së tyre, që të përpiqen për një pajtim mes burrit dhe gruas (4:35). Nëse kjo nuk funksionon, udhëzimi është që ata të bashkohen me dinjitet dhe drejtësi, ose të ndahen në marrëdhënie të mira (2:229 dhe 231). Ai që shkel kufijtë e vendosur nga Allahu në Kuran, quhet mëkatar.
Përveç këtyre ajeteve është dhe fakti i pashmangshëm, që profeti (a.s) ka kundërshtuar fort që burrat t’i godasin gratë e tyre dhe se ai gjatë gjithë jetës së tij nuk ka goditur kurrë ndonjë fëmijë apo grua. Në predikimin e tij të fundit, profeti i këshilloi burrat: “Të jeni të sjellshëm me gratë – ju keni të drejta mbi to dhe ato kanë të drejta mbi ju”. Ai tha gjithashtu: “Trajtojini mirë gratë tuaja, jini të sjellshëm me to sepse ato janë partneret tuaja dhe ndihmëtaret tuaja të besuara” dhe një herë tjetër ai ka thënë: “Burrë i fortë nuk është ai që përdor forcën fizike, por ai që kontrollon zemërimin e tij”. (transmeton Buhariu) shumë të rëndësishme janë ajetet, që u japin grave të drejtën e vetëkotrollit. Surja 5, ajeti 44 i udhëzon besimtarët: “Mos u frikësoni nga njerëzit, vetëm Mua të më frikësoheni”. Surja 33, ajeti 35 u premton parajsën burrave dhe grave, që janë të sinqertë (ose modestë).
këto hadithe dhe ajete nuk merren parasysh nga ata që janë abuzivë dhe burrat citojnë gabimisht ajete të caktuara dhe një hadith, për të justifikuar kontrollin total të femrave. Interpretimet më të këqija shkojnë aq larg, sa pohojnë se gruaja është e paaftë mendërisht, emocionalisht, psikologjikisht dhe shpirtërisht, si dhe është e prirur për të bërë imoralitet, duke e vënë kështu në nevojën e vazhdueshme të kontrollit të burrave.
Ajeti me të cilin abuzohet më shumë, është ajeti 34 i sures Nisa: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe ngaqë ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Allahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që u keni frikë kryelartësisë së tyre, këshillojini, madje largojini nga shtrati (e më në fund) edhe rrihini (lehtë, nëse nuk ndikojnë as këshillat e as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. Allahu është më i larti, më i madhi”. Ky përkthim i ngarkon burrat me detyrën e përkujdesjes dhe mbrojtjes fizike dhe financiare të grave dhe familjeve të tyre, përderisa Allahu i ka bërë më të fortë fizikisht se gratë, që është interpretimi i shumicës së dijetarëve. Gratë në këmbim të këtij kujdesi duhet të jenë të kujdesshme në ruajtjen e nderit dhe moralit gjatë gjithë kohës edhe kur nuk i sheh njeri, duke iu bindur kështu Allahut. Udhëzime jepen dhe për gratë, që nuk i marrin parasysh urdhrat e Allahut në lidhje me tradhtinë bashkëshortore dhe bëhen jo besnike ndaj burrave të tyre.
Fillimisht burri udhëzohet ta këshillojë gruan (të flasë me të) dhe pastaj ta largojë nga shtrati. Në rast se këto masa nuk funksionojnë, udhëzimi i fundit përkthehet shpesh “qëlloje atë”, (ose “godite lehtë”, kur merret parasysh suneti i profetit). Disa përkthyes shprehen, se nuk është e saktë të përkthehet “godite”, duke u bazuar në kundërshtimin e profetit për qëllimin e grave, që kuptohet dhe në këtë thënie: “Mos i goditni kurrë robëreshat e Allahut” (i gjetur në koleksionet e hadithit të Ebu Daudit, Nesa’i, Ibn Hibbanit dhe Bayhaqit) dhe në udhëzimet e tij në hutben e lamtumirës, ku e kufizon goditjen në goditje të lehtë (gajr muharrib – pa shkaktuar dhimbje) vetëm nëse gruaja është fajtore për nushuz, sjellje imorale të dukshme. Termi nushuz është i zbatueshëm gjithashtu edhe për burrat (4:128).
Formulimi i këtij ajeti thekson bindjen e gruas ndaj dëshirave të Allahut dhe jo dëshirave të qenieve të tjera njerëzore, por ata që e keqinterpretojnë këtë ajet, i japin burrit detyrën e policit të mbikëqyrjes ndaj grave të tyre. Ky ajet është keqkuptuar aq shumë, sa nuk është e pazakontë që burrat të mos i lejojnë gratë të shkojnë në dyqanin më të afërt, të bëjnë vizita në raste lindjeje, vdekjeje ose martese, të bëjnë vizitë tek mjeku, të arsimohen ose edhe të vizitojnë prindërit e tyre pa leje të posaçme. Ky ajet është përdorur gjithashtu për të përforcuar besimin e gabuar, se kauama e burrave si mbrojtës dhe ruajtës të grave të tyre, nënkupton jo vetëm bindjen e padiskutueshme ndaj burrave si individë, por edhe se vetëm burrat mund t’i drejtojnë gratë në çdo aspekt të jetës, në çdo nivel. Shkurtimisht, ky ajet është përdorur si vegël kontrolli dhe abuzimi plotësisht në kundërshtim me bazën islame të martesës dhe familjes.
Një ajet tjetër i keqpërdorur është ajeti 53 i sures Ahzab: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Profetit, por vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë njëri me tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Profetin, por ai turpërohet prej jush, ndërsa Allahu nuk i turpërohet realitetit. E kur të kërkoni prej tyre (grave të profetit) ndonjë send, kërkojeni atë pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk u takon ta mundoni të dërguarin e Allahut e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë mëkat i madh tek Allahu”. Është e qartë, që ky ajet u drejtohet burrave myslimanë në lidhje me sjelljen e tyre vetëm me gratë e profetit. Megjithatë kalon tek arsyeja kryesore, që disa myslimanë besojnë se burrat dhe gratë duhet të ndahen në çdo vend dhe tek një justifikim për disa burra që të pretendojnë, se gjithë vendi publik u përket vetëm burrave. Kjo është e gabuar. Udhëzimi ka të bëjë vetëm me gratë e profetit dhe me sjelljen e duhur në shtëpinë e profetit. Ata që duan ta zbatojnë këtë ajet për të gjitha gratë myslimane, nuk pohojnë asnjëherë se të gjitha gratë myslimane nuk duhet të martohen më pas vdekjes së burrave të tyre (megjithëse në praktikë, kjo është ajo që pritet nga gratë në disa shoqëri myslimane, sipas zakoneve të tyre jo islame). Kufizimi i grave në kuzhinat e shtëpive të tyre gjatë festave, largimi i grave në dhomat e pasme, ku nuk ka dëgjim të mjaftueshëm ose aparaturat e dëgjimit nuk ekzistojnë fare në shumë xhami, ose më keq ndalimi i grave të shkojnë në xhami dhe ndalimet nga autoritetet politike në disa shtete, që nuk i lejojnë gratë të shkojnë në shkollë, vijnë të gjitha nga interpretimet e shtrembëruara të ajeteve të përmendura më parë.
Një hadith, që përdoret shpesh për kontrollin e grave, është: “Kur gratë udhëtojnë për në një vend të largët duhet të kenë me vetë një shoqërues”. Në kohën e profetit edhe udhëtimi 40 milje mund të ishte shumë i rrezikshëm, sepse rrugët ishin plot banditë dhe secili fis kishte rregullat e veta. Sundimi i ligjit i kalonte kufijtë fisnorë dhe ishte në përputhje me konceptin e ri në shekullin e VII në Arabi i paraqitur nga Islami. Sot gratë mund të udhëtojnë rreth botës me aeroplan për 19 orë dhe gjatë gjithë kohës do të jenë të sigurta mes shumë njerëzish. Ky hadith vazhdon të përdoret edhe nga disa liderë myslimanë në qytetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara, për t’i parandaluar gratë myslimane të udhëtojnë nga një qytet në një tjetër, nga njëra anë e qytetit në anën tjetër, ose të dalin vetëm nga apartamentet e tyre.
Pyetja e vërtetë është: “A e ka praktikuar, nxitur apo edhe dënuar profeti (a.s) kontrollin dhe mbikëqyrjen ndaj grave? Ai nuk e ka bërë këtë asnjëherë. Duke e ditur këtë, është në dorën e çdo mysliamni, si bashkëshort apo bashkëshorte, si pjesëtar i një familjeje të madhe ose anëtar i komunitetit, të krijojë një shoqëri të shëndetshme moralisht, psikologjikisht, fizikisht, ku familjet mund të rrisin anëtarë të kënaqur dhe kontribues për shoqërinë.
Fundi i dhunës: Ku fillojnë myslimanët? 
Le të jetë toleranca zero për abuzimin dhe dhunën kundër grave! Fjalët e një reklame të famshme të një fushate janë: “Nuk ka justifikim për dhunën në familje”. Nëse e kujtojmë këtë, e ardhmja për gratë e dhunuara do të ishte pozitive.
Studimet tregojnë, se sa më shumë vihet në dukje dhuna ndaj grave, aq më pak na shqetëson kjo gjë. Gratë myslimane duhet ta përmirësojnë dijen për besimin e tyre dhe pastaj të kërkojnë të drejtën e tyre, që të përcaktojnë veten sipas Kuranit dhe Sunetit, në vend të praktikave zakonore, traditave, pikëpamjeve ekstremiste, ose nga ata që besojnë, se gratë myslimane duhet të shpëtohen nga vetja e tyre.
Familjet duhet të ruajnë vija të hapura komunikimi mes gjithë anëtarëve të saj; shumë të dobishme janë takimet e rregullta familjare, ku secili lejohet të shprehet pa asnjë ankim. Martesa duhet të shihet si një ortakëri dhe kontratat martesore duhet të specifikojnë një premtim për një familje, ku nuk ekzistojnë dhuna dhe abuzimi. Prindërit duhet t’u kërkojnë fëmijëve vetëm atë që është e mirë dhe që është në përputhje me konceptet kuranore. Familjet e mëdha nuk duhet ta mbulojnë më abuzimin, dhunën dhe incestin në emër të “ruajtjes së nderit të familjes”. Përveç të gjithave, familja, ashtu si individi, duhet ta ketë Allahun në qendër.
Sektori i Parandalimit të Dhunës në Familje në Kanadapublikoi këtë vit një raport të plotë për dhunën në familje. Për myslimanët është shumë e rëndësishme nevoja, që identifikuan për të “rikonceptuar pushtetin në atë mënyrë, që të bëhet dallimi mes pushtetit krijues dhe dhunues dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë e zgjeron vëmendjen në pushtet, për të lëvizur përtej dinamikës së pushtetit në marrëdhëniet individuale tek strukturat e pushtetit”. Ky mendim duhet të kuptohet nga niveli personal tek niveli global. Komunitetet duhet t’i shohin rastet individuale të dhunës në familje nga pikëpamja e natyrës së strukturës botërore të pushtetit dhe nga pikëpamja e komunitetit si i tërë, për të zbuluar nëse struktura e pushtetit në komunitet po nxit aktualisht një leje për të qëlluar.
Imamët duhet të jenë mbrojtësit e sigurisë së grave, të mos i fajësojnë më gratë dhe ta pranojnë kur nuk kanë njohuritë speciale, në mënyrë që t’i ndihmojnë realisht gratë e dhunuara. Anëtarët e komunitetit duhet të nxiten që të marrin përgatitjen profesionale dhe diploma për këshillim. Komuniteti është përgjegjës për krijimin e protokolleve për trajtimin e dhunës shtëpiake, rrjete me agjencitë ekzistuese myslimane dhe jomyslimane, që mund të sigurojnë trajnime dhe të krijojnë shtëpi të sigurta për gratë dhe fëmijët e dhunuar.
Të paktën dy herë në vit, çdo xhami ose qendër e komunitetit duhet të paraqesë një Program të Vetëdijes së Dhunës në Familje dhe Abuzimit për Familjet Myslimane, që do t’u mësojnë identifikimin e rrezikut, të dhunës dhe abuzimit, planifikimin e sigurisë për situata të ndryshme, planifikimin i sigurisë për vizitat e pakontrolluara nga një dhunues, teknikat e zgjidhjes së problemeve dhe informacione për këshillimin, të vëna në dispozicion për gratë e goditura dhe familjet e tyre. Aktivistët, avokatët dhe këshilltarët e komunitetit mysliman duhet të takohen në çdo qytet, për të krijuar protokolle për komunitetet e tyre, të cilat do të mundësojnë identifikimin e hershëm të abuzimit dhe një gatishmëri për ta kthyer situatën në mbrojtje të viktimave nga abuzimi i mëtejshëm ose fajësimin e viktimës. Aty ku është e mundur, duhet të krijohen strehime dhe agjenci shërbimi për familjet myslimane.
Në vitin 1993 Këshilli i Amerikës së Veriut për Gratë Myslimane ishte organizata e parë kombëtare myslimane e këtij lloji, kudiskutohej abuzimi dhe dhuna kundër grave dhe fëmijëve gjatë një konvente kombëtare. Në vitin 1995 në Plainfild, Indiana dhe në vitin pasues në Çikago, shoqëria islame e Amerikës së Veriut organizoi konferenca për anëtarët e shërbimit social, që drejtonin tema të ndryshme, përfshirë dhe këshillimin familjar, divorcin dhe çështjet e fëmijëve. Konferenca e fundit u zhvillua me më shumë se 200 anëtarë.
http://ekuiliber.com/2013/11/25/cili-eshte-qendrimi-islam-per-dhunen-kunder-grave/

Exit mobile version