Punimet për xhaminë e re në Tiranë, duhet të kishin nisur, por në realitet nuk ka ende asnjë veprim konkret.
Ishte paralajmëruar që puna të nisë brenda muajit maj, por pranë vendit ku ndodhej dikur Namazgjaja, përveç rrethimit, nuk është ngulur ende lopata e parë. Opozita thotë se xhamia është Kali i Trojës, pasi në atë zonë do të ndërtohen pallate.
“Ngritjen e pallateve pranë Xhamisë së Namazgjasë e kemi denoncuar kohët e fundit. Rezulton se sipas planit urbanistik pranë zonës së Xhamisë së Namazgjasë do të ndërtohen edhe pallate me 8 kate. Edhe për xhaminë edhe për pallatet nuk është bërë publike asnjë leje, asnjë plan zbatimi dhe asnjë procedurë, edhe pse e kemi kërkuar të bëhen publike. A do të ndërtohet në parkun e Namazgjasë? Dhe kur them në parkun e Namazgjasë, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e xhamisë. Xhamia është Kali i Trojës për pallatet që do të ndërtohen te parku i Namazgjasë”, deklaroi Artan Lame, specialist në trashëgiminë kulturore, anëtari i grupit të punës për Programin e Partisë Socialiste, cituar nga “Shqip”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, akuzoi opozitën për shpifje, teksa nuk sqaroi se kur mund të nisnin punimet. “Detashmenti i PS në mediat shqiptare vazhdon të shpërndajë shpifje për këtë çështje. Kompleksi i z. Rama që për 11 vite nuk e bëri Xhaminë, vendosi të mos e bënte Xhaminë ka dalë në sipërfaqe si vaj mbi ujë. Xhamia ka marrë leje nga KKT. Bashkia e Tiranës do e mbështesë Komunitetin Mysliman në çdo fazë, që nga faza e gërmimeve, punimeve të nëndheshme, parkimit e deri tek faza e ndërtimit të Xhamisë dhe këtë nuk e fut dot në thes asnjë, me asnjë lloj shpifje.  Janë shpifje totale, të marketuara, të prodhuara nga makina propagandistike e z. Rama që për 11 vjet zgjidhi të mos e ndërtojë Xhaminë dhe që lind nga paragjykimet që ky njeri ka për Komunitetin Mysliman por jo vetëm”, theksoi Basha.
Për rastin reagoi edhe Aleanca Kuqezi, e cila e denoncoi atë duke e konsideruar si skandalin e radhës së qeverisë. “Prej 23 vitesh shtetasi Berisha dhe ish-kryebashkiaku Rama mashtruan popullin për Xhaminë e re, dhe nuk e ndërtuan asnjëherë atë, nuk hodhën as edhe një lopatë për rrethimin e Namazgjasë. Sot Aleanca KuqeZi publikon foto të rrethimit të Namazgjasë ku nuk ndërtohet e as nuk gërmohet prej 23 vitesh, fakte këto që i tregojnë popullit shqiptar se SA dhe SI i mashtrojnë Berisha dhe Rama çdo ditë. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se qeveria e shtetasit Berisha dhe kreu i PS Rama, i kanë mashtruar prej vitesh dhe vazhdojnë ti mashtrojnë çdo ditë e më shumë duke mos mbajtur asnjë nga premtimet e tyre elektorale”, tha sekretari i përgjithshëm i AK-së për Tiranën, Besnik Koçi.
“Mijëra besimtarë myslimanë po diskriminohen, por Aleanca KuqeZi nuk mund ta lejojë një gjë të tillë pasi ata meritojnë një trajtim të barabartë me komunitet e tjera fetare në vend.  Aleanca KuqeZi u bën thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë të shkojnë në votime, por të mos votojnë mashtruesit e fushatave elektorale Berisha dhe Rama, por të votojnë KUQeZI”, shtoi ai. /Start/