Categories
Fetva

Dallimi ndërmjet gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të zakonshëm

Pyetje: Si mund të bëjë gruaja dallimin ndërmjet gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të zakonshëm? A është kriter ngjyra e gjakut, koha e daljes së tij apo sasia që del, për përcaktimin e tij? Po nëse shfaqet ngjyra e zverdhur ose është e turbullt në ditët e menstruacioneve? Po nëse shfaqet në ditët e tjera? Duam një përgjigje të prerë dhe një rregull të qartë, që të kemi mundësi të bëjmë dallimin e duhur në këto çështje.
Myfti: Doktor Jusuf El Kardavi
Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Atij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin (a.s).
Një pjesë e dijetarëve e konsiderojnë ngjyrën e verdhë dhe ngjyrën e turbullt prej gjakut të menstruacioneve, kur ato vijnë në ditët e menstruacioneve, por nëse ato të dyja shfaqen në ditë të tjera, nuk konsiderohen si gjak menstruacionesh dhe gruaja është e pastër. Ndërsa disa studiues anojnë në mendimin, se gjaku i menstruacioneve është gjaku i zi, të cilin gruaja e njeh nga era e keqe dhe trashësia e tij. Ndërsa për sa i përket ngjyrës së verdhë, ngjyrës së turbullt dhe sekrecioneve nuk konsiderohen prej gjakut të menstruacioneve. Në këtë mendim kanë anuar një numër i konsiderueshëm studiuesish, prandaj edhe përgjigja e kësaj pyetje do të jetë në bazë të këtij mendimi. Kështu që, nëse gjaku i menstruacioneve mbaron duke ju larguar era dhe ngjyra (e zeza), atëherë ajo duhet të lahet (të marrë gusul) e nuk duhet t’i japë rëndësi ngjyrës së verdhë apo asaj të turbullt. Gjithashtu nëse e verdha dhe e turbullta i shfaqen përpara ditëve të menstruacioneve, nuk konsiderohet si gjak menstruacionesh, derisa t’i shfaqet gjaku i zi.
Çfarë duhet të veprojë gruaja, nëse sheh ngjyrën e verdhë apo ngjyrë të turbullt?
Doktor Jusuf El Kardavi duke sqaruar dispozitën fetare për sa i përket ngjyrës së verdhë dhe asaj të turbullt thotë:
Me ngjyrë të verdhë dhe të turbullt kuptojmë: lëngun e verdhë ose të turbullt. Disa kanë thënë: Ato të dyja ngjajnë me qelbin ku mbizotëron ngjyra e verdhë dhe ajo e turbullt dhe se ngjyra e tyre nuk konsiderohet prej gjakut me ngjyrë të ndezur apo ngjyrë të zbehtë. Nëse gruaja shikon ngjyrën e verdhë dhe atë të turbullt, pasi është pastruar (ka marrë gusul) nga menstruacionet, nuk duhet të konsiderojë atë si gjak menstruacionesh. Imam Buhariu transmeton se Umu Atijeh ka thënë: “Ngjyrën e verdhë dhe të turbullt nuk e konsideronim si gjak menstruacionesh”. Pra, në kohën e profetit (a.s) nuk e konsideronim si të tillë, duke qenë se ai ishte në dijeni të kësaj. Hafiz Inbu Haxher ka thënë: “Nëse kjo do të ishte gabim, atëherë do të zbriste shpallja që të saktësonte gabimin e tyre”. Në transmetimin e Ebu Daudit thuhet: “Pasi ishim pastruar dhe shikonim ngjyrën e verdhë dhe të turbullt nuk e konsideronim atë si gjak menstruacionesh”.
Imam Neveviu ka thënë: “Zinxhiri i transmetimit është i saktë sipas kushtit të Imam Buhariut”.
Nëse gruaja shikon ngjyrë të verdhë apo të turbullt në ditët e menstruacioneve: A duhet t’i konsiderojë ato të dyja si gjak menstruacionesh apo jo? Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit, se ato të dyja konsiderohen si gjak menstruacionesh, duke e argumentuar këtë mendim me nënkuptimin e hadithit të  Umu Atijes, sipas transmetimit të Ebu Daudit, pra që nuk konsideronin ato të dyja si gjak menstruacionesh. Po ashtu këtë mendim ata e argumentojnë edhe me fetvanë, që ka dhënë Aishja. Ajo ju kishte thënë grave, që të mos shpejtonin të pastroheshin derisa të shikonin kullimin e bardhë. Sipas medh’hebit Malikij, Shafi’ij dhe Hanbeli thuhet: “Kur të shikojë ngjyrën e verdhë dhe të turbullt në ditët e menstruacioneve, ato konsiderohen si të tilla dhe nëse i shikon pas ditëve të menstruacioneve nuk konsiderohen si gjak menstruacionesh”. Këtë mendim ka mbështetur edhe imam Neveviu.
Ndërsa imam Ebu Jusufi dhe imam Ebu Theuri kanë thënë: “Nuk konsiderohen si gjak menstruacionesh, veçse përpara tyre shfaqet gjak i zi, sepse Umu Atijeh ka thënë: “Ngjyrën e verdhë dhe të turbullt nuk e konsideronim si gjak menstruacionesh”.
Imam Ibnu Tejmije ka thënë një mendim tjetër në lidhje me medh’hebin e imam Ahmedit[1]: “Ngjyra e verdhë dhe e turbullt në asnjë rast nuk konsiderohen si gjak menstruacionesh”.
Ndërsa imam Ibnu Hazmi konsideron si gjak menstruacionesh vetëm ngjyrën e zezë dhe të kuqërremtë. Ai dhe një pjesë e mirë e dijetarëve të medh’hebit “Dhahirij” janë të mendimit se gjaku i menstruacioneve konsiderohet vetëm gjaku i zi, që ka erë të keqe. Ndërsa llojet e tjera, e kuqja, e verdha, e turbullta dhe ngjyra e mishit nuk konsiderohen si të tillë dhe si pasojë në këto raste nuk zbatohen rregullat dhe dispozitat, që kanë lidhje me menstruacionet. Mendimin e tij e ka argumentuar me hadithet që përkufizojnë domethënien e fjalës “menstruacion”, apo që bëjnë dallimin ndërmjet atij dhe istihadas[2] dhe se gratë e njohin gjakun e menstruacioneve se ai është i zi, i trashë dhe ka erë të keqe. Gjithashtu Ibnu Hazmi ka marrë si argument për mendimin e tij hadithin e imam Muslimi, në të cilin thuhet, që Aishja transmeton se profeti (a.s) i ka thënë Habibe bintu Xhahshit, që ka qenë mustehadah: “Kjo nuk është gjak menstruacionesh. Kjo është enë gjaku. Prandaj lahu dhe falu”.  Aishja ka thënë: “Ajo lahej në govatë tek dhoma e motrës së saj Zejnebes, derisa ngjyra e kuqe mbizotëronte ndaj ujit”. Ndërsa përsa i përket thënies së Aishes drejtuar grave: “Derisa të shikojnë kullimin e bardhë” këtë transmetim vetë Aishja e ka kundërshtuar e po ashtu e kanë kundërshtuar edhe sahabijet e tjera. Katade transmeton se Aishja ka thënë: “Ngjyrën e verdhë dhe të turbullt nuk e konsideronim si gjak menstruacionesh”.
Imam Buhariu transmeton se Umu Talha ka pyetur Aishen, e cila ka thënë: “Gjaku i menstruacioneve është i kuqërremtë i zi”. Imam Buhariu transmeton, se Umu Atije ka thënë: “Ngjyrën e verdhë dhe të turbullt nuk e konsideronim si gjak menstruacionesh”. (në asnjë lloj rasti). Ali ibnu Ebu Talib ka thënë: “Nëse pasi është pastruar, shikon si ngjyra e mishit apo pikë gjaku si gjaku i hundës, le ta dijë se ajo është goditje prej goditjeve të shejtanit, prandaj të spërkatet me ujë, të marrë abdes dhe të falet.” Po kështu është transmetuar edhe nga tabi’inët.
Seid ibnu El Musejb ka thënë për gruan, që shikon ngjyrën e verdhë dhe të turbullt: “Të lahet dhe të falet”.
Ibrahim En Nehai ka thënë: “Të marrë abdes dhe të falet” po kështu ka thënë edhe Mekhuli.
Autori i librit “Er Reudah en Nedieh” ka marrë si argument hadithin e Fatime bintu Ebu Hubejshin, ku thuhet: “Gjaku i menstruacioneve është i zi dhe njihet”.  Këtë hadith e transmetojnë imam Ebu Daudi dhe imam Nesaiu. Imam Ibnu Hazmi e ka saktësuar. Imam En Nesai transmeton të njëjtën gjë nga Aishja. Imam Tabaraniu dhe imam Darakutni transmetojnë nga Ebu Umameh: “Gjaku i menstruacioneve është vetëm i zi”.
Ai (Ibnu Hazmi) ka thënë: “Të gjithë këto hadithe vërtetojnë, se ngjyra e verdhë dhe e turbullt nuk janë gjak menstruacionesh, kurdo që të shfaqen në ditët e menstruacioneve apo pas tyre. Kjo nuk është në kundërshtim me atë, që është transmetuar në librin e “El Meuta”, ku thuhet se gratë kishin shkuar tek Aishja me peceta me ngjyrë të verdhë dhe të turbullt, për ta pyetur nëse duhet ta falnin apo jo? Ajo u përgjigjej: “Mos shpejtoni të pastroheni, derisa të shikoni kullimin e bardhë”. Megjithëse ky është mendim i saj, nuk bie në kundërshtim me atë që kemi thënë më parë, sepse ajo nuk u ka thënë atyre, se ngjyra e verdhë dhe e turbullt janë gjak menstruacionesh. Ajo vetëm i ka urdhëruar ato, që të presin ndonjë shenjë, që tregon mbarimin e menstruacioneve e ajo shenjë është kullimi i bardhë. Kur të shfaqet kullimi i bardhë, ajo çfarë del pas tyre nuk është më gjak menstruacionesh. Gjithashtu argument tjetër është, se kohën e pritjes nuk e ka bërë në varësi të ngjyrës së verdhë dhe të turbullt. Kjo është mjaft e qartë e nuk mund të fshihet”.[3]
Përktheu: Elton Harxhi


[1] Brenda një medh’hebi përfshihen një sërë mendimesh të dijetarëve që mendimet e tyre janë të papajtueshme për çështje të caktuara. Në rastin konkret një mendim i këtij medh’hebi e konsiderojnë ngjyrën e verdhë dhe të turbullt prej gjakut të mestruacioneve, ndërsa imam Ibnu Tejmijeh ka mendim tjetër (sh.pk.).
[2] Është lloj gjaku që del jo në ditën e menstruacioneve (sh. pk.).
[3] Doktor Jusuf El Kardavi në përgjigjen e kësaj pyetje është me mendimin e Ibnu Hazmit që ngjyrën e verdhë dhe të turbullt nuk i konsideron si gjak menstruacionesh. Gjaku i menstruacioneve është vetëm gjaku i zi dhe i kuqërremtë. (sh. pk.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version