Shefi i diplomacisë turke, Ahmet Dautoglu, ka deklaruar se Ankara nuk do të kërkojë falje ndaj Serbisë për shkak të deklaratës së kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan se “Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi”, sepse ajo nuk përmban ofendime por vetëm ndjenja pozitive.
Në një intervistë për gazetën “Blic” e dhënë për t’u qartësuar fjalia kontestuese vitin e kaluar në Prizren, Dautoglu ka thënë se përmendja e Kosovës nga ana e Erdoganit nuk ka pasur karakter politik, e as ka qenë shprehje e politikës ekspansioniste.
“Bëhet fjalë për definicion kulturor. Kur thoni në gjuhën turke se ‘Kosova është vendi im i dytë’,  kjo tregon afërsi kulturore. Sinqerisht mendoj se kjo duhet të mjaftojë të tregojmë qëllimet tona të mira kundrejt qeverisë dhe popullit serb”, ka sqaruar Dautoglu, duke shtuar se “një fjali e vogël nuk guxon të nxirret jashtë kontekstit të fjalimit të plotë”.