Xhani De Biazi nuk rresht kurrë së kërkuari talente për Kombëtaren shqiptare. Edhe pse deri tani ka grumbulluar më shumë se 40 futbollistë, nga të cilët gati gjysma për herë të parë, përsëri italiani kërkon ta forcojë skuadrën duke piketuar lojtarë, kryesisht kosovarë të lindur dhe rritur jashtë, shkruan “Panorama Sport”.
Bëhet fjalë për Adnan Januzajn, Alban Bunjakun, Ili Azemin etj, të cilët luajnë në ligat e para europiane dhe janë në një moshë fare të re e premtuese. Shumë prej tyre janë në skuadrat e dyta të klubeve më në emër, siç është Januzaj te Mançester Junajtid, por që vështirë se do pranojë të luajë për Shqipërinë këtë periudhë. Bunjaku ka shanse, ashtu sikurse dhe Azemi, pavarësisht se ky i fundit ka refuzuar para disa kohësh që të luajë hë për hë për Shqipërinë.
Ndërkohë, një punë e madhe mësohet se po bëhet nga ana e trajnerit për të afruar në skuadër mesfushorin shqiptar të PAOK-ut, Ergys Kaçe. Veç këtij të fundit, në të njëjtin rol, De Biazi ka shënjestruar Amir Abrashin. Mesfushori luan te Grashopers në Zvicër (në të njëjtën skuadër me Mërgim Brahimin, i cili refuzoi që të luante për Shqipërinë, paçka se ishte aktivizuar në një ndeshje jo zyrtare ndaj Iranit), por problemi i tij është se ai deri tani ka luajtur 11 ndeshje me përfaqësuesen U- 21 të Zvicrës dhe nuk ka qenë i pajisur me pasaportë shqiptare. Gjithsesi, ka të ngjarë që të përdoret skema “Basha” për ta afruar në Kombëtare.
Me thuajse të njëjtën problematikë është edhe mbrojtësi i Sampdorias, Shkodran Mustafi. De Biazi e ka takuar futbollistin për ta bindur atë të veshë fanellën kuq e zi, paçka se ai nuk ka dhënë një përgjigje të prerë pozitive. Mustafi, i cili vetëm para pak ditësh mbushi 21 vjet, nuk posedon pasaportë shqiptare, ndërkohë që FSHF-ja ishte interesuar rreth një vit më parë për atë.
Përveç Mustafit, një tjetër mbrojtës që pëlqehet nga De Biazi është kosovari me pasaportë suedeze, Ilir Berisha, i cili luan tek Orebro (kategoria e dytë) në Suedi.
Ky është një nga emrat më të rinj të listës së teknikut, i papërmendur më parë qoftë nga media, por edhe nga FSHF-ja. Sakaq, në listë është edhe Flamur Kastrati, sulmues me pasaportë norvegjeze, i cili luan aktualisht tek Erzgebirge Aue, në Bundesligën e dytë gjermane.
LISTA E DE BIAZIT
ILIR AZEMI
Sulmues, luan te Grojter Fyrthi në Gjermani. Vjeç 21.
ILIR BERISHA
Mbrojtës, luan tek Orebro në Suedi. Vjeç 21.
SHKODRAN MUSTAFI
Mbrojtës, luan te Sampdoria në Itali. Vjeç 21.
ERGYS KAÇE
Mesfushor, luan te PAOK-u në Greqi. Vjeç 19.
ARMIR ABRASHI
Mesfushor, luan te Grasshoper në Zvicër. Vjeç 23.
ADNAND JONUZAJ
Mesfushor, luan te Mançester Junajtid në Angli. Vjeç 18.
ALBAN BUNJAKU
Mesfushor, luan te Sevilja II në Spanjë. Vjeç 18.
FLAMUR KASTRATI
Sulmues, luan tek Erzgebirge Aue në Gjermani. Vjeç 21.
Categories