Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetorit, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) organizoi një panel diskutimi me temë “Liria e shprehjes – sfidë për Republikën e Maqedonisë”. Në këtë debat ishin të ftuar z. Muhamed Zeqiri, kryeredaktor i Tv Alsat-M; znj. Lidija Bogatinova, kryeredaktore në Tv Kanal 5; z. Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, dhe Lidija Dimova nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Foto Debati 3
Debat i organizuar nga QMBI mbi lirinë e shprehjes

Debati kishte zgjuar një interesim të veçantë te gazetarët, profesorët universitarë dhe studentët, të cilët në numër të konsiderueshëm ishin mbledhur në sallën e Hotelit “Stone Bridge” në Shkup.
Gjatë paraqitjeve të tyre, debatuesit fillimisht diskutuan mbi situatën e përgjithshme rreth të drejtave të njeriut në përgjithësi, kurse mbi lirinë e të shrehurit në veçanti, në Republikën e Maqedonisë, me çrast u theksua situata e palakmueshme në këtë sferë dhe u përmendën raste dhe forma të ndryshme të presionit mbi gazetarët dhe mediumet. Në debat, mes tjerash, u paraqitën edhe vërejtjet e shumta që vijnë nga Komisioni Evropian përmes Raportit të progresit për Maqedoninë, ku sipas znj. Dimova, të njëjtat rekomandime dhe vërejtje përsëriten katër-pesë vjet me radhë, ndërsa institucionet tona shtetërore nuk ndërmarrin asnjë hap përmirësimi në këtë aspekt. Gjatë debatit iu bë një vështrim kritik edhe reklamimit qeveritar në disa mediume të caktuara, duke e përshkruar këtë veprim si një mënyrë direkte për të heshtur mediat dhe për t’i futur ato nën kontroll. Sipas kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, z. Naser Selmani, shuma të cilën Qeveria e ndanë për këtë qëllim arrinë rreth 20 milion euro, që paraqet 1% të buxhetit vjetor të Republikës së Maqedonisë, ose një shumë e barabartë me buxhetin që ndahet për mbrojtjen e vendit. Kryeredaktori i Tv Alsat-M, z. Muhamed Zeqiri përmendi akuzat e shumta që u bëhen gazetarëve nga subjekte dhe persona të ndryshëm, të cilën në mënyrë direkte kërcënojnë punën e gazetarëve dhe lirinë e të shprehurit. Ai po ashtu ngriti shqetësimin se gazetarët dhe mediat që insistojnë në kërkimin e sqarimeve prej zyrtarëve shtetërorë në lidhje me punën e tyre, bëhen objekt i presionit në forma të ndryshme. Kryeredaktorja e Kanal 5, znj. Lidija Bogatinova, kritikoi qëndrimet e subjekteve dhe qarqeve të caktuara vendore që dërgojnë raporte të ndryshme deri te institucionet evropiane, dhe në këtë mënyrë kontribuojnë negativisht në përpilimin e raporteve të Bashkimit Evropian për Maqedoninë.
Foto Debati 4
Debat i organizuar nga QMBI mbi lirinë e shprehjes

Në pjesën e dytë të këtij debati pati edhe inkuadrim të publikut, i cili u kyç me pyetje, mendime dhe vlerësime të ndryshme rreth temës në fjalë.
Përndryshe, gjatë këtij aktiviteti u promovua edhe numri i parë i revistës shkencore CENTRUM, e cila botohet në kuadër të Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional. Në fjalën e tij të rastit, kryetari i QMBI dhe njëherit kryeredaktor i revistës CENTRUM, z. Muhamed Murtezi, sqaroi se ideja e revistës buron që nga aktiviteti i vitit të kaluar të QMBI me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, gjegjësisht Konferenca shkencore e organizuar me këtë rast. Në këtë drejtim, ai sqaroi se të gjitha punimet shkencore të kësaj konference janë përmbledhur në numrin e parë të revistës, duke shpresuar që në këtë mënyrë të jenë në shërbim të shtresave të ndryshme të shoqërisë, të cilat në ndonjë farë mënyre kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Po ashtu, z. Murtezi theksoi se revista CENTRUM do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë njerëzit e shkencës dhe dijes, kurse në faqet e saj do të zënë vend tema dhe punime shkencore të lëmive të ndryshme shoqërore dhe natyrore.
Foto Debati 2
Revista CENTRUM

Në përmbyllje të këtij debati të organizuar, të gjithë të pranishmëve iu nda falas numri i parë i revistës shkencore CENTRUM.
CENTRUM kopertina
Revista CENTRUM