Propozimi i Zëvendës ndihmës sekretarit shtetëror amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, për hapjen e një dialogu për propozimin e fundit të ndërmjetësuesit në kontestin për emrin, midis Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, jo vetëm midis qeverive por edhe në opinionin publik, ka shkaktuar reagime të ndryshme.
Ish Ministri i Jashtëm, Denko Maleski e ka quajtur të nevojshëm nisjen e këtij debati, por është shprehur skeptik në lidhje me inicimin e tij nga ana e qeverisë. Ai ka vlerësuar se në Ballkan ka shumë mite, të cilat bëhen pengesë në rrugën për zgjidhjen praktike të problemeve.
Maleski, në këtë kontekst ka përmendur mitet për shtetet e mëdha, që sipas tij janë edhe mitet për Maqedoninë historike dhe Shqipërinë historike, çështje këto për të cilat, sipas tij, duhet të bisedohet hapur, në mënyrë që të hapet rruga drejt integrimeve Euroatlantike.
“Pushteti vështirë se do të mund të iniciojë një debat të tillë të hapur, sepse ajo mitologji është bërë pjesë e shumë elementeve të politikës së vendit, siç është tema e antikitetit, identitetit antik etj. Ata vështirë se do të heqin dorë nga kjo, sepse kanë investuar edhe personalisht në të gjithë këtë punë, ndaj ky veprim mund të rrezikojë pozicionin e tyre personal si politikan. Megjithatë, shpresoj se do të gjenden edhe aty njerëz që do të përkrahin një qëndrim të këtillë politik, që publikisht dhe në mënyrë të hapur të flitet për problemet”, thekson Denko Maleski.
Analisti Albert Musliu, ndërkaq vlerëson se propozimi i Reeker-it është qëllim mirë, ndërsa shton se qeveria e Gruevskit po krijon mjegull, sepse çështja e emrit qëndron lart në agjendën politike, por jo në atë ekzekutive të Maqedonisë.
“Identiteti nuk ka qenë temë e negociatave për emrin. Debati publik nënkupton arritjen konsensusit, sepse kështu askush nuk mund ta keqpërdor dhe as ta abstraktoj të vërtetën lidhur me negociatat për çështjen e emrit . Ky ka qenë e dhe synimi i Reeker-it”, thekson Musliu.
Ai vlerëson se çështja e emrit po përdoret për politikë ditore dhe se qeveria flet për këtë çështje vetëm kur kjo i nevojitet asaj, ndërkohë që nuk ka një angazhim standard në këtë drejtim.
“Pse duhet të kundërshtohet kjo ide, kur kryetari i VMRO-DPMNE propozoi një referendum për çështjen e emrit. Referendumi përfaqëson debat edhe më të gjerë”, thekson analisti Musliu duke shtuar se në këtë debat do të duhej të kyçej edhe pala shqiptare./PORTALB
Categories