Categories
Lajme FRI

Dej-juthizmi i burrit në raport me bashkëshorten

Dej-juthizmi si nocion identifikon mospasjen xhelozi të burrit ndaj bashkëshortes së vet, për diçka që, natyrshëm, duhet të xhelozojë.

Fjala ‘dej-juth’ (që në gjuhën shqipe njihet si ‘dojuz’ dhe është epitet shumë i keq), në hadithe të Pejgamberit a.s. ka ardhur pikërisht për një burrë që nuk xhelozon bashkëshorten e vet, qoftë kjo për sa i përket dukjes së saj, veprimeve dhe tipareve të saj, që moralisht janë të papranueshme dhe fetarisht të ndalueshme. Përveç kësaj, ‘dej-juth’ nënkupton burrin “i cili nuk xhelozon ndaj familjes së vet dhe as nuk turpërohet”. Prandaj, në gjuhën arabe, ‘dej-juth’ quhet “bashkëshorti i gruas së pandershme”.
“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë…” (En-Nisa, 34)
Ndërkaq, me ‘dej-juthizëm’ në këtë punim kemi të bëjmë me qëndrimin e secilit bashkëshort, që miraton zhveshurinë ekstreme të gruas së tij dhe nuk e kundërshton
atë, e as e xhelozon, pa marrë parasysh se burrat e huaj, pa pasur asnjë qëllim, shohin pjesët vitale të trupit të saj. Për këtë qëndrim të shëmtuar, bashkëshorti është fajtor i drejtpërdrejtë, sepse ndikimi i tij në familje duhet të jetë i pashmangshëm dhe autoritativ.

Burri është kryesues i familjes
Prej aspekteve që favorizojnë dominimin e burrit në familje, është fakti se ai është i pari i familjes. Sikurse çdo organizim tjetër në shoqëri, që ka të parin e vet, edhe familja ka nevojë për një udhëheqës, i cili bart barrën kryesore për të. Kur’ani famëlartë ka përcaktuar që në familje këtë funksion ta ketë mashkulli, pra burri. Allahu i Lartësuar në Kur’an ka thënë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë…” (En-Nisa, 34); ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdonjëri prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Imami (prijësi) është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe përgjegjës për tufën e tij, gruaja në shtëpinë e bashkëshortit të vet është përgjegjëse për tufën e saj…”
I pari i familjes, bashkëshorti, bart përgjegjësinë e udhëheqjes së familjes dhe ndërtimit të saj sipas dispozitave të fesë islame. Nga ky aspekt, atij i takon që të ushtrojë ndikimin e tij, që secili anëtar i familjes ta jetojë jetën sipas besimit islam. Rrjedhimisht, edhe ndaj bashkëshortes, që ajo ta mbulojë trupin e vet. Të vishet sipas rregullave të Sheriatit islam dhe të distancohet prerazi nga çdo formë e zhveshurisë. Me ‘zhveshuri’ kemi për qëllim ekspozimin e trupit të femrës (përveç pjesëve të lejueshmeve, siç janë: fytyra, duart dhe këmbët gjer në zogtha) ndaj meshkujve të huaj, me të cilët potencialisht lejohet martesa, pa marrë parasysh nëse kjo bëhet duke lakuriqësuar një pjesë të trupit, apo duke veshur rroba të ngushta, të tejdukshme dhe provokuese.
Buri e ka ’emanet’ bashkëshorten
Burri është ai që merr përsipër gruan dhe jo e kundërta. Allahu ka dashur që natyrshëm gruaja t’i ketë disa kufizime si krijesë, që burri nuk i ka. E, pikërisht për këto arsye, burri është epror i bashkëshortes: “…e burrave u takon një përparësi ndaj tyre (grave).” (El-Bekare, 228).
Kjo epërsi e burrit, nuk është fituar nga ana e tij, por është autorizim nga Krijuesi. Si e tillë, nuk është themeluar për t’i bërë privilegj burrit, ndonëse as kjo nuk mohohet, po më shumë për t’i dhënë përgjegjësi atij, e tëra kjo bazuar në favoret qeniesore të mashkullit kundrejt gruas. Meqë burri, në parim, është përgjegjës për të siguruar gjërat jetike të familjes,përfshirë ushqimin, pijen, veshmbathjen dhe gjërat e tjera që i nevojiten familjes dhe që duhen siguruar jashtë ambientit familjar. Gruaja, duke marrë parasysh edhe shenjtërinë e moralit, pastaj faktin se asaj jashtë shtëpisë nuk i lejohet të udhëtojë pa “mahremin” (mashkullin me të cilin i ndalohet martesa), pastaj se është e dobët fizikisht, nuk është e ngarkuar me sigurimin e jetesës.
Njëherësh, kjo e privon atë që të pavarësohet në jetën e saj. Si e tillë, është e mbështetur në burrin e vet për çdo nevojë të saj dhe është emanet i tij prej Allahut. Kështu e ka saktësuar Pejgamberi a.s., në ligjëratën e tij në Haxhin lamtumirës, kur para të pranishmëve ka thënë: “Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm, sepse ato janë nën betimin tuaj dhe nuk e kanë të lejuar të bëjnë çfarëdo qoftë vetë. Allahu jua ka dhënë gratë emanet dhe Ai ju ka lejuar që t’u afroheni…”
Burri dikton veshjen e bashkëshortes
Fakti që burri është përgjegjës për çështje të rëndësishme, siç është sigurimi i jetesës, rezulton se ai ka të drejta të mëdha në familje, respektivisht ndaj bashkëshortes. Bazuar në këtë relacion, është themeluar dhe sistemuar sfera e marrëdhënieve ndërbashkëshortore, përfshirë fejesën, lidhjen e kurorëzimit, pastaj dhe të drejtën për shkurorëzim, etj., e në të gjitha këto raste burri ka epërsinë e iniciativës. Po ashtu atij i është dhënë e drejta që, në rast nevoje, të ndërmarrë edhe masa disiplinore ndaj gruas që tregon shenja kryelartësie apo mosrespekti.
Në këto rrethana, burri e ka të drejtën e tij të rezervuar për dukjen dhe përcaktimin e veshjes së bashkëshortes sipas rregullave të Sheriatit. Gruas i mbetet të zgjedhë masën dhe shijen, por jo sferën e mbulimit të pjesëve të trupit. Kjo është e rregulluar nga Allahu.
Kundrejt kërkesave sheriatike të burrit, gruas nuk i lejohet kurrfarë padëgjueshmërie. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Atyre (grave) kurrfarë padëgjueshmërie nuk u lejohet, e nëse megjithatë e bëjnë, Allahu ju lejon që t’i largoni prej vetes suaj, që të ndaheni prej tyre në shtrat, t’i rrihni, por jo shumë. Nëse heqin dorë prej kësaj dhe bëhen përsëri të dëgjueshme, duhet t’u jepni ushqim dhe veshmbathje si u ka hije.”
Fjala “el-ma’ruf” – si u ka hije, që ka ardhur në këtë hadith, e ka kuptimin “në përshtatje të plotë me fenë dhe traditën”. Prandaj, në marrëdhëniet bashkëshortore, bashkëshortja mbetet e obliguar, që t’u përshtatet ambicieve të burrit; të vishet sipas dëshirës së tij; të zbukurohet vetëm për të’ t’u përgjigjet kërkesave të tij; të përmbushë porositë e tij dhe ta respektojë atë maksimalisht. Për dëgjueshmërinë që gruaja duhet të tregojë ndaj bashkëshortit, më së miri tregon edhe ky hadith (Kajs bin Sa’d), i cili ka thënë: “Erdha te një vend i gjelbëruar, kur i pashë njerëzit se i bënin sexhde një Merzubani – Satrapi të tyre, e unë thashë: “O i Dërguari i Allahut, a mos të bëjmë sexhde ty?” (Pejgamberi a.s.) Tha: “Sikur të urdhëroja që ndaj dikujt prej njerëzve të bëhet sexhde, do t’i urdhëroja gratë që të bëjnë sexhde ndaj burrave të tyre, pasi Allahu u ka mundësuar të drejta tek burrat e tyre.”
Burri është përgjegjës për zhveshurinë e Bashkëshortes
Nga ajo që u tha më lart, u vërtetua se burri është i pari i familjes dhe mban përgjegjësinë për bashkëshorten e tij, në të gjitha aspektet, pra edhe për (zh)veshjen e saj. Përderisa koncepti i veshjes së gruas ndodh sipas miratimit të burrit, kjo do të thotë se edhe zhveshuria e saj ndodh me dijen e tij. Këtu fillon përgjegjësia e burrit për veshjen e keqe të gruas apo për lakuriqësimin e pjesëve vitale të trupit të saj. Ai është përgjegjës për lejimin e një veshjeje të këtillë dhe për mospengimin e saj. Sepse, burri, ashtu sikurse di të ngrejë zërin e tij kundër ndonjë veprimi të gruas në cilësinë e saj si amvise, po ashtu ai di të ngrejë zërin edhekundër (zh)veshjes së saj. Veçanërisht kur dihet se burri është mirëmbajtës i familjes, ndërsa gruaja është vartëse e tij. Pra, faji kryesor qëndron tek burri, i cili nuk e obligon bashkëshorten e tij që të duket si i ka hije njeriut.
Le të themi se ka prej burrave, që nuk kanë vetëdije të mjaftueshme islame, sa të binden se gratë e tyre të vënë mbulesën islame. Por ata, për një arsye a një tjetër, kanë një vetëdije të arsyeshme se gruaja nuk guxon të dalë jashtë shtëpisë së saj me veshje ekstravagante dhe zhveshje ekstreme. Megjithatë,me këtë qëndrim të tyre, sado pak të matur, tregojnë një përgjegjshmëri bashkëshortore, ani pse mbulesa është rruga e vetme e mirë, dhe e kundërta e saj është mëkat. Meshkujt e këtillë duket se kanë një vlerësim të pranueshëm për shenjtërinë e moralit publik, pasi ushtrojnë ndikim te bashkëshortet e tyre, që ato ta mbulojnë pjesë dërrmuese të trupit të tyre dhe të mos e vërë trupin e zhveshur të tyre në diskurs të marketingut moral.
Prandaj, këta tipa burrash mund të shpëtojnë nga të qenët ‘dej-juthistë’. Mirëpo, në anë tjetër, çfarë mund të thuhet për ata bashkëshortë, bashkëshortet e të cilëve manifestojnë zhveshuri ekstreme, e ata i gëzohen kësaj? A thua e bëjnë këtë që gratë e tyre të duken sa më atraktive për meshkujt e tjerë?! A thua dëshirojnë që gratë e tyre, me zhveshjen e tyre të imitojnë kulturat e brishta të kohës, që janë bërë sinonim i çmoralizimit?! A janë të vetëdijshëm burrat e këtillë se, ç’u duhet njerëzve të huaj shpalosja e gjoksit, ravijëzimi i trupit e belit, për sa kohë që ata, po edhe gratë, e dinë se interferimi i imazhit të tyre, është i rezervuar për atraksion seksual? A mos do të thotë kjo se me këto veprime synohet oferta e (ç)moralit dhe gatishmëria për imoralitet? Çfarë synohet në të vërtetë?! …
Për hir të prirjes nga e mira, mund ta pranojmë se asnjëri prej këtyre qëllimeve nuk synohet! Por, megjithatë,mbase është i vërtetë konstatimi në vijim: gratë që demonstrojnë zhveshje ekstreme dhe provokuese, me dukjen e tyre jonormale dhe me trupin e tyre, përgjithësisht synojnë tërheqjen e vëmendjes së meshkujve për respektim ndaj tyre, duke u bazuar në konceptin e provokimit emocional dhe epshor.
Prandaj, të gjithë ata bashkëshortë që lejojnë dhe miratojnë një dukuri të këtillë të bashkëshorteve, kanë treguar haptazi mjerimin e burrërisë, pafuqishmërinë e tyre, që gruan ta kenë atraksion vetëm për vete dhe, si të tillë, janë bërë pjesë e dej-juthizmit. Sepse, me këtë miratim të tyre, ata kanë rrënuar konceptin e mirëqenies së njeriut, dhe për këtë kanë përgjegjësi para Allahut.
Thuhet se xhelozia e mashkullit për ruajtjen e përvetësimit të femrës, është një instinkt i lindur tek të gjithë meshkujt, prej njerëzve dhe kafshëve, përveç një lloji prej tyre, me sa kemi dëgjuar a lexuar, që është derri. Të gjitha kafshët xhelozojnë në përvetësimin e femrës, madje dëshirojnë që asnjë mashkull tjetër të mos afrohet pranë saj, përveç derrit, i cili nuk mërzitet për këtë. Ky është një leksion i mirë për njeriun. E burri që nuk e xhelozon bashkëshorten e vet dhe as që turpërohet për të pahijshmet e saj, si dhe për shfaqjen e pjesëve vitale të trupit të saj, në hadithet e Pejgamberit a.s. është quajtur dejjuth. Ai, në Ditën e Gjykimit do të ketë dënim të rëndë.
Transmeton Abdullah Ibnu Omer se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Tre vetave Allahu ua ka ndaluar Xhennetin: konsumuesit të alkoolit, i cili vdes pa u penduar, fëmijës që nuk i përmbush detyrimet e veta ndaj prindërve, dhe dej-juthit (joxhelozit ndaj familjes së vet), që miraton të keqen (ndytësinë) në familje.”

Burri është përgjegjës për (mos)ruajtjen e familjes
Bashkëshorti i cili pajtohet me veprimet e pahijshme të gruas së vet, ka rënë në mëkat edhe nga aspekti i mosruajtjes së familjes së tij nga veprimet që Allahu i ka cilësuar se janë të ndaluara dhe çojnë në zjarr të Xhehennemit. Kundrejt kësaj, Allahu i lartësuar ka urdhëruar në Kur’an: “O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tahrim,6).
Porosia e ajetit, i adresohet pikërisht të parit të familjes – burrit. Po ashtu, më lart është cituar se Pejgamberi a.s. ka thënë: “burri është përgjegjës për tufën e tij…” Bashkëshorti është i obliguar që të ruajë vetveten e tij dhe familjen e vet prej atyre punëve që janë të dëmshme dhe që janë shkak i dënimit me zjarr. Allahu i Lartësuar, bashkëshorten ia ka lënë emanet burrit, e burri, në këtë rast, jo vetëm që nuk kujdeset në mënyrën më të mirë për këtë emanet, por ai atë e bën simbol të së keqes. Sepse, derisa bashkëshorti përkrah gruan e vet, moralisht dhe materialisht, në veprimet e pahijshme të saj, që ajo të promovojë pa kurrfarë turpi ekstravagancë dhe veshje joislame, ai është bashkëpjesëmarrës në të keqen e saj. Përgjegjësia e tij, pa dyshim, është e madhe dhe rëndohet, në proporcion me imazhin e keq që përshfaq bashkëshortja. Sepse, mbulesa nuk bëhet vetëm për arsye individuale, po bëhet, mbi të gjitha, për të ruajtur moralin publik, respektivisht për të penguar rënien e moralit dhe përhapjen e imoralitetit.
Veç kësaj, me veshje të pahijshme dhe joislame, bashkëshortja shndërrohet në një ikonë destruktive edhe për fëmijët, të cilët janë të prirur t’i ndjekin prindërit. Në të gjitha rastet, jo vetëm bashkëshortja, po edhe bashkëshorti, për shkak të pozitës së tij qendrore në familje, nuk mund të shfajësohet dot nga përgjegjësia.
———————————————————————————————————————————————–
(1) “El-Mu’xhemul vesit”- 1, (grup autorësh), Stamboll, Turqi, 1989/1410, fq. 306. 
(2) Dr.Ruhi El-Balbaki, “El-Mevrid”- kamus arebij-inklizij, 1997, Bejrut, fq. 558.
(3) Sahihul Buhari, kitabul xhum’ati, babu: el-xhum’atu fil kura vel mudun, nr. 844.
(4) Dr. Jusuf Ramiç “Hutbe të zgjedhura të Muhamedit a.s.” – përkthim Nexhat Ibrahimi e Miftar Ajdini, botimi i dytë, 1417/1997, Prizren, fq. 105-106.
(5) Dr. Jusuf Ramiç “Hutbe të zgjedhura…” op.cit. fq.104.
(6 ) Emri ‘Merzuban’, që përkthehet si Satrap, është emri i një gjykatësi të një province të vjetër persiane.
(7) Suneni i Daremiut, kitabu: es-salatu, babu: en-nehju en jesxhude liehadin, nr. 1427.
(8) Musnedi i Ahmedit, kitabu: musnedul muketh-thirine mines-sahabeti, babu: Musnedu Abdilah bin Omer bin El-Hattab, nr. 5117.
Orhan Bislimaj 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version