Në kuadër të manifestimit tradicional “Në gjurmët e më të mirëve 2025”, Forumi Rinor Islam nderoi disa personalitete të shquara, të cilët me veprën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqëri. Dekoratat u ndanë nga kryetari i FRI-së, z. Abdulhamid Mustafa, duke shënuar një nga momentet më dinjitoze të mbrëmjes.
Dekorata e parë, e kategorisë “post mortum”, iu dedikua 𝗗𝗿. 𝗞𝗮𝗱𝗶𝗿 𝗦𝗵𝗮𝗯𝗮𝗻𝗶𝘁, një personalitet i njohur shkencor, kulturor dhe kombëtar. Me një jetë të tërë në shërbim të arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare, Dr. Shabani mbetet një nga figurat më të rëndësishme të shoqërisë sonë. Dekoratën e mori djali i tij, Fitim Shabani, në shenjë respekti për trashëgiminë e të atit.
Për arritjet e jashtëzakonshme në sport, FRI nderoi 𝗪𝗼𝗺𝗲𝗻 𝗛𝗮𝗻𝗱𝗯𝗮𝗹𝗹 𝗖𝗹𝘂𝗯 ÇAIR, ekipin e vajzave që vitin e kaluar u radhit ndër 16 skuadrat më të mira të Evropës-një sukses historik për sportin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Dekoratën e pranoi trajneri Basri Latifi, si përfaqësues i ekipit.
Në fushën e mjekësisë, dekorata iu nda 𝗗𝗼𝗰. 𝗗𝗿. 𝗜𝗿𝗳𝗮𝗻 𝗜𝘀𝗺𝗮𝗶𝗹𝗶𝘁, një prej emrave më të dalluar të Pulmologjisë në vend. Me dhjetëra punime shkencore, pjesëmarrje në kongrese ndërkombëtare dhe kontribut të spikatur në edukimin e gjeneratave të reja të mjekëve, Dr. Ismaili u vlerësua për profesionalizmin dhe angazhimin e tij të pandalshëm.
Një tjetër dekoratë e rëndësishme iu akordua 𝗗𝗿. 𝗧𝗮𝘅𝗵𝗲𝗱𝗶𝗻 𝗲𝗳. 𝗕𝗶𝘀𝗹𝗶𝗺𝗶𝘁, imam, profesor dhe autor i mbi 25 librave. Me një karrierë që shtrihet mbi katër dekada në shërbim të dijes dhe jetës fetare, ai u vlerësua për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në edukimin islam, kulturën fetare dhe zhvillimin e institucioneve të rëndësishme fetare në vend.
Në kategorinë e donatorëve, Forumi Rinor Islam dekoroi kompaninë “𝗙𝗶𝗺𝗮𝗿 𝗕𝗮𝗹𝗸𝗮𝗻”,një nga mbështetësit e vazhdueshëm të projekteve rinore dhe komunitare. Dekoratën e pranoi z. Murat Nimani, si përfaqësues i kompanisë që prej vitesh kontribuon në zhvillim ekonomik dhe në mbështetjen e iniciativave të dobishme shoqërore.
Forumi Rinor Islam i përgëzon të gjithë të dekoruarit për kontributin e tyre të çmuar dhe i falënderon për vlerat që kanë sjellë në shoqëri. Kjo pjesë e manifestimit edhe një herë dëshmoi se “Në gjurmët e më të mirëve” mbetet vendi ku nderohen ata që me vepra e përkushtim shërbejnë dhe inspirojnë brezat.
Shkup, 26 nëntor 2025
