Në kuadër të fushatës “Ta njohim Muhamedin a.s.” pjesë e aktiviteteve të shumta që u realizuan ishin edhe ligjëratat nëpër xhami, të cilat u organizuan nga Departamenti i Femrës pranë Forumit Rinor Islam – Dega Shkup.

Ligjëratat në fjalë u realizuan në xhaminë Nur në Shkup si dhe në xhaminë e fshatit Satapetkë. Para të pranishmeve, në xhaminë Nur ligjëroi teologeja Ajshe Ademi Bunjaku, e cila e elaboroi temën “Muhamedi a.s shëmbëlltyra e njerëzimit”, duke treguar për figurën e tij dhe si duhet jetuar ne duke marrë shembull atë në të gjitha sferat e jetës.

Ndërkaq në xhaminë e fshatit Satapetkë ligjëroi teologeja Advije Shazi me temë “Sakrificat e Muhamedit a.s në përçimin e mesazhit Hyjnor”, e cila duke shkëputur shumë fragmente nga jeta e Muhamed Mustafasë tregoi më detajisht për vështirësitë, sakrificat dhe torturat që ka hasur gjatë përçimit të mesazhit Hyjnor, dhe vendosmërinë e vazhdueshme për ta përcjellur këtë mesazh.