Departamenti i Femrës pranë Forumit Rinor Islam shtroi iftar në restorantin “Kapri”, në Shkup. E veçanta e këtij iftari ishte se mblodhi në një sofër së bashku anëtaret, aktivistet dhe veprimtaret e të gjitha degëve te cilat veprojnë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.
Këtë iftar e begatuan edhe më shumë mysafiret si shumë përfaqësuese të organizatave joqeveritare, përfaqësuese të institucioneve të ndryshme, bashkëpunëtore, studente.
Pas iftarit mysafiret i përshëndeti përgjegjësja e Departamentit të Femrës, Zubejda Murtezi, e cila në fjalimin e saj përshëndetës theksoi: “Ramazani është muaj i rizgjimit, muaj ky që na jep mundësinë e ndryshimit të vetes, rizgjimit të vlerave humane, morale dhe çdo mirësie që na formëson neve si qenie njeri. Aktivizimi, ngritja dhe vetëdijësimi i femrës në këtë muaj të bekuar poashtu është një aspekt shumë i rëndësishëm në rafshin individual, familjar dhe shoqëror. E gjithë kjo duke pas parasysh rolin e saj si femër, si bashkëshorte, si nënë dhe si veprimtare në shoqëri.Veprimtaria jonë si femra kontribuese në shoqëri qoftë shkak për më shumë bashkëpunime tona në të ardhmen.”
Më pas me disa këshilla të pranishmeve iu drejtua edhe teologeja Esma Sherifi Kurti e cila tha: “Ky muaj i bekuar është një mundësi, një fushatë me të cilën mund ta ruajmë dhe ta rizgjojmë familjen si një institucion. Disa prej vlerave më madhështore që përçon muaji i bekuar Ramazan është që arrin t’i rizgjojë familjet, t’i bëjë më stabile në shoqëri, t’i ngritë në aspektin shpirtëror, arsimor, t’i bëjë më të organizuar dhe t’i ofrojë më shumë me njëri-tjetrin.”