Ndërkombëtarët duket se janë dorëzuar përballë qindra mijë njerëzve që përjetojnë urinë çdo ditë
Joshua Hersh, Huffington Post
Në këtë qytet të vogël turk pranë kufirit verior të Sirisë, punonjësit e ndihmave ankohen se një katastrofë humanitare po ndodh vetëm 45 minuta larg, por ndihet sikur është përtej së arritshmes.
Është një problem që ka shkatërruar përpjekjet për të zbutur një nga pasojat më të rënda të luftës civile të Sirisë që vazhdon – uria e gjithëpërhapur dhe mungesa e mjeteve mjekësore në të gjithë vendin e rraskapitur nga lufta – dhe që kërcënon se do të ashpërsohet ndërsa dimri afrohet.
Temperaturat ranë pranë nivelit të ngrirjes këtë javë, ndërsa rajoni u përball me sezonin e tretë të ftohtë në mes të një lufte pa fund. Ndihmat humanitare me destinacion Sirinë përballen me një numër të madh pengesash, thonë ekspertët dhe punonjësit e ndihmave, ku pengesa më e madhe është dhuna e paparashikueshme dhe rreziku i madh i rrëmbimeve në veriun e kontrolluar nga rebelët, të cilët kontrollojnë pjesën dërrmuese të zonës, por janë të paarritshëm nga perëndimorët.
Por një pengesë tjetër është politika, krahas pjesëve të rrënuara të ligjit ndërkombëtar, të cilat teknikisht detyrojnë organizatat ndërkombëtare të dorëzojnë ndihma në çdo pjesë të Sirisë – përfshirë atë që kontrollohet nga forcat rebele – përmes kanaleve zyrtare të qeverisë së Sirisë.
Për të bërë këtë, shefja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndihmën humanitare Valerie Amos, i rikujtoi Këshillit të Sigurisë në një seancë informuese të martën se qeveria e Sirisë duhet të heqë disa nga pengesat më të rënda mbi vizat për punonjësit e ndihmave, të respektojë premtimin për heqjen e pengesave në rrugë me postblloqe përgjatë rrugëve të veriut.
Informacioni i dhënë nga Amos nuk jepte shumë shpresë. “Ne nuk kemi parë asnjë progres këtu”, u tha ajo gazetarëve, pasi informoi Këshillin e Sigurisë.
Sipas llogarive të vetë OKB-së, kjo do të thotë se rreth 250 mijë civilë në nevojë brenda Sirisë nuk janë të arritshëm për ndihmat ndërkombëtare. Disa pjesë të vendit ku luftimet kanë qenë veçanërisht të ashpra, përfshirë qytete të mëdha si Damasku dhe Homsi, nuk kanë pasur shpërndarje ushqimesh tashmë që prej gjashtë muajsh.
Grupimet e ndihmave që punojnë në Siri po japin alarmin. Ata po kërkojnë një reagim më të ashpër politik dhe diplomatik për të detyruar qeverinë e Sirisë të lejojë qarkullimin e ndihmave, duke i kërkuar aleatëve të Sirisë si Irani dhe Rusia të bëjnë presion të drejtpërdrejtë mbi qeverinë e presidentit Bashar Asad.
“Panorama humanitare që OKB ka pikturuar është mes më të errëtave që kemi parë në një gjeneratë dhe për shkak të vështirësisë për të arritur njerëzit në nevojë (për të mbledhur informacion) realiteti duket se është edhe më keq”, tha Ian Basin, drejtori i organizatës ndërkombëtare të ndihmave dhe avokatisë publike Avaaz.
“Nëse iranianët po hapen ndaj botës me të vërtetë, Presidenti Rouhani ka një mundësi të madhe këtu, duke nxitur Asad të hapë kanalet e ndihmave për të gjithë ata që janë në nevojë. Sirianët po qajnë për ndihmë dhe ne nuk mund t’u kthejmë kurrizin”.
Në të njëjtën ditë me raportin e Amos, Human Rights Watch publikoi një raport të ri, duke akuzuar si fajtore për dështimin në shpërndarjen e ndihmave të dyja palët në luftë, por më shumë qeverinë. Grupimi tha se forcat qeveritare kanë rrethuar disa pjesë të kontrolluara nga rebelët në vend dhe i kanë bllokuar nga kontaktet me pjesën tjetër të botës.
Destabiliteti dhe dhuna e shkaktuar nga grupimet rebele ka bërë pak për të lehtësuar furnizimin me ndihma të civilëve brenda vendit.
Në një raport të vetin, ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar Xhaafari, argumentoi se shkaqet e vërteta të krizës humanitare shkaktohen nga aktorë të jashtëm si Arabia Saudite dhe Turqia, që kanë mbështetur grupimet rebele gjatë konfliktit.