“Mozaiku rinor” këtë javë sjell edhe një projekt në Kërçovë, teksa vazhdon realizimi i “Eurekës” dhe “Inceptit” në degët tjera.

 

Me fillim nga kjo javë fillon realizimi i projektit të tretë të “Mozaikut rinor”, “Talentium”, në qytetin e Kërçovës, ku ky projekt rikthehet pas disa vitesh dhe realizohet për herë të dytë. Takimi i parë i këtij projekti u zhvillua me dr. Kujtim Kasami, i cili trajtoi temën “Komunikimi verbal dhe joverbal”. Ky projekt në Kërçovë do të realizohet me nxënësi e viteve të treta të shkollave të mesme dhe pjesëmarrësit e projekteve të vitit të kaluar.

 

Pjesëmarrësit në projektin “Eureka” nga Shkupi këtë fundjavë kanë realizuar trajnimin e fundit. Së bashku me përgjegjësit e projektit ato realizuan vizitë te Kryqi i Kuq, për tu njohur më hollësisht me reagimet në raste emergjente, ndërsa pjesëmarrësit e projektit “Incept” pritën në Shkup Arsim Jonuzin, i cili trajtoi temën “Menaxhimi i kohës dhe vetes”.

 

Në Tetovë vazhdon realizimi i “Eurekës” dhe këtë javë përpara nxënësve pjesëmarrës ishte Abdulhamid Mustafa me temën “Modeli i një të riu të suksesshëm”.

 

Në qytetin e Kumanovës, ku tashmë është bërë përmbyllja e projektit “Eureka”, është në realizim projekti “Incept”. Këtë të shtunë tema e trajnimit ishte “Perceptimi”, të cilën e trajtoi Liridon Ismaili.

 

Vlen të përmendet që gjatë javëve në vijim pritet të bëhet mbyllja solemne e projektit “Eureka”, ku do të bëhet shpërndarja e certifikatave për nxënësit.

 

17 dhjetor 2022