Në vend se në administratën publike, të rinjtë duhet ta kërkojnë punësimin në sektorin privat. Analizat tregojnë se më shumë tërheqëse për të rinjtë, është punësimi në administratë. Për këtë, qeveria tenton që të nxisë të rinjtë të hapin bizneset e tyre personale. Sipas ministrit të ekonomisë Valon Saraçini, studentët do të fitojnë subvencione deri në 310 mijë denarë, për planet biznesore që kalojnë përzgjedhjen.
Në anketën e para dy viteve,shumica e studentëve si vend më tërheqës për punë e shohin administratën publike, dhe në pyetjen “çka pas diplomimit”, vetëm 8% kanë deklaruar se duan të fillojnë biznes personal. Kjo sipas meje dhe sipas statistikave nuk shkon në kahjen e duhur dhe nuk premton ardhmëri të mirë për shtetin duke marrë parasysh se administrata publike nuk nxit kreativitetin e të rinjve. Qëllimi ynë përmes këtyre programeve është nxitja e shpirtit sipërmarrës tek të rinjtë”, u shpreh Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore thonë se analizat e tyre tregojnë ecuri pozitive dhe se pjesa më e madhe e studentëve që kanë diplomuar në këtë universitet, kanë vazhduar punën në sektorin privat.
“Fatmirësisht kur jemi te studentët e UEJL-së të dhënat flasin se mbi 50% e studentëve tanë janë të punësuar në sektorin privat, dhe vetëm 40% në sektorin publik, dhe kjo për universitetin është tregues i mirë sepse sidomos sektori privat kërkon kritere të larta kualiteti, dhe gëzohem në suksesin e studentëve tanë”, deklaroi Zamir Dika, rektor i UEJL-së.
Shuma e përgjithshme e parave të ndara për mbështetjen e ideve biznesore të studentëve është 6,8 milionë denarë. Afati i aplikimit përfundon më 25 shkurt. Vitin e kaluar janë shpërblyer 4 ide biznesi në bazë të cilave janë hapur firma.
Categories