Shqiptarët në disa komuna në Maqedoni për shkak të përçarjes së votës do të humbin shumicën në këshillat komunale.
Në Strugë dhe Kërçovë do të jetë humbja e sigurt, për shkak të unitetit të faktorit politik maqedonas të pozitës dhe opozitës.
Në këto dy komuna pas arritjes së koalicionit për listë të përbashkët midis VMRO-DPMNE dhe LSDM, pritet që të sigurohet shumica e mandateve të këshilltarëve komunal, të cilët do të kenë në kontroll dhe do të drejtojnë qeverisjen lokale.
Ndërsa situata e njejtë do të jetë edhe në komunat e tjera ku shqiptarët nuk përbëjnë shumicën, por janë mbi 20 për qind. Rreziku i humbjes së ndikimit dhe numrit të këshilltarëve do të ndodhë edhe në komuna të tjera si Kumanovë, Resnjë, Butel, Gazi Babë, Dollnen, Krushevë, Resnjë, Hanet e Mavrovës.
Komuna e vetme ku shqiptarët pjesërisht kanë arritur unitet është komuna e Manastirit, ku para disa ditëve u promovua koalicioni midis BDI – RDK dhe DR. Por, megjithatë në këtë komunë garon me listën e saj edhe PDSH-ja.
Këshilli komunal është institucion i rëndësishëm në vetëqeverisjen lokale, i cili miraton projekte dhe propozime strategjike të komunës dhe se është bllokues i punës së kryetarit të komunës. Ky rrezik më i madh pritet të jetë evident në Strugë dhe Kërçovë, ku pritet të fitojnë kandidatët e partive shqiptare. Deri tani partitë shqiptare si BDI, PDSH dhe RDK nuk kanë arritur marrëveshje për lista të përbashkëta sidomos për këto dy komuna. Secila nga partitë kërkon nga oponentët tërheqjen e listave të këshilltarëve. (INA)
Categories