Me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve – 8 Prilli, presidenti Gjorge Ivanov do t’i presë liderët e partive politike të romëve në Republikën e Maqedonisë.
Klubi i të rinjve në komunën e Shuto Orizares në kuadër të Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit me rastin e shënimit të Ditës botërore të romëve sot do të organizojë aksion për dhurimin e gjakut, ndërsa në klubin e Qytetarëve për Maqedoni Evropiane (GEM) do të mbahet debat publik me temë “Arsimi joformal është më i vlerësuar në tregun e punës sesa ai formal”.
Tetë prilli është shpallur si Dita ndërkombëtare e romëve në Kongresin e parë botëror të romëve të mbajtur prej 4 deri më 8 prill 1971 në Londër. Atëherë është miratuar flamuri rom, kënga “Gjelem, gjelem” është pranuar si himni i romëve dhe është përcaktuar që të gjitha dialektet në gjuhën rome të jenë të barabarta.
Gjuha rome ka prejardhje indoevropiane dhe rrënjët i ka nga penxhabi i vjetër ose dialekti hindi. Në botë jetojnë mbi 12 milionë romë të cilët në histori kanë pasur disa migrime të mëdha nga India drejt Evropës dhe Amerikës. Në vitin 1995 Këshilli i Evropës e pranoi shfrytëzimin e termit “romë” në dokumentet zyrtare.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2002, në Maqedoni jetojnë 53.879 romë ose 2,66 për qind e popullatës. Romët në Maqedoni janë të pranuar me kushtetutë si popull konstituiv, kanë parti politike, media në gjuhën rome, ndërsa Shuto Orizare është shembulli i vetëm në Evropë ku romët janë shumicë në komunë.
Categories