“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”(El Huxhurat: 13)

“All-llahu nuk shikon as trupat tuaj e as format tuaja, por Ai shikon zemrat tuaja”. (Muslimi)

All-llahu xh.sh. e vlerësoi njeriun si krijesa më e lartë në mesin e krijesave të Tij, të njejtin e paisi me mirësi të panumërta.

Sigurisht, nga mirësia e Tij është se njeriun e krijoi që të ketë nevoja të ndryshme, e dikë që të ketë nevoja më specifike.

Por duke u bazuar më lartë, në fjalët e All-llahut xh.sh. dhe thënjen e Profetit a.s. do ta kuptojmë se Ai na ka krijuar të gjithëve të veçantë por të barabartë.

Për më tepër na ka ftuar që të garojmë për përmirësimin dhe ngritjen e brendësisë sonë dhe jo pamjes apo dukjes sonë.

Ne e kemi për obligim që personat të cilët kanë nevoja të veçanta ti ndihmojmë dhe ti trajtojmë në një mënyrë të veçantë nëse do të dëshironim të fitonim shpërblimet e Tij, shembulli më i mirë për këtë ishte Muhamedi a.s. i cili kishte një tretman të veçantë me këtë kategori dhe jo vetëm për respektimin e tyre por ka bërë përpjekje për integrim të tyre në shoqëri nëpërmjet të: edukimit, dhënien e pozitave që i meritonin etj. Rast i njohur ishte rasti i Abdullah el Mektumit i cili edhe pse ishte i sprovuar me verbëri ai e trajtoi në mënyrë të veçantë saqë e bëri dhe muezinin e tij personal, që në atë kohë sikurse edhe sot ishte një privilegj i madh.

Të nderuar, këto persona janë fëmijët tanë, le ti trajtojmë dhe pranojmë në mesin tonë me dashuri dhe respekt, le ti përkrahim që të integrohen në shoqëri në mënyrë të barabart me ne, me të gjitha veçoritë që i kemi midis veti.

Në emrin tim dhe në emër të anëtarëve dhe aktivistëve të Forumit Rinor Islam, ju urojmë ditën e personave me DOWN SYNDROME dhe ftojmë të gjitha institucionet përkatëse që të marrin të gjitha masat e duhura për trajtim dhe integrim të kësaj kategorie në shoqëri.

Xhabir Emini, kryetar
Forumi Rinor Islam