Aid El-karnij
Diktatorët dhe ekstremistët janë fatkeqësia dhe kobi më i madh i botës islame. Përsa i përket ekstremistëve, ata përfaqësohen nga havarixhët të cilët i drejtuan shoqërisë tehun e shpatës, derdhën gjak të pafajshëm, vranë njerëzit, mbollën panik mes tyre dhe deformuan imazhin e islamit. Sakaq diktatorët, janë ata që persekutojnë njerëzit, rrënojnë vendin, shkelin të drejtat e njerëzve dhe injorojnë ligjet e Zotit. Ekstremistët nuk i kuptojnë tekstet, nuk e njohin argumentin dhe nuk i respektojnë të diturit. Kurse diktatorët nuk njohin ligj, nuk kanë ndërgjegje dhe zemrat i kanë të boshatisura nga mëshira. Ekstremistët e kanë kufizuar islamin në botëkuptimin e tyre të ngushtë dhe të deformuar, kanë braktisur njëzëshmërinë (ithma), refuzojnë gjykimin në bazë të logjikës, mendjes dhe argumentit. Diktatorët injorojnë çdo zë tjetër përveç zërave të tyre, kanë hequr çdo imazh tjetër përveç imazhit të tyre dhe luftojnë çdo interes tjetër përveç interesave të tyre.
Njerëzit e mençur dhe të emancipuar, si dhe vendimmarrësit nga të katër anët, i kanë refuzuar të dy palët e mësipërme të botës islame. Ata i kanë refuzuar ekstremistët bashkë me terroristët, si dhe diktatorët zullumqarë dhe despotë. Ekstremistët përndiqen nga umeti islam në çdo shpellë, guvë dhe bodrum ku fshihen, pasi dyshohen. Sakaq diktatorët, përndiqen nga popujt e tyre në sheshet publike, xhamitë dhe universitetet. Atyre u ngrihen trekëmbësha në çdo rrugë dhe sokak, pasi ata janë në luftë me jetën. Ata e shkelën me këmbë drejtësinë, lirinë, nderin dhe pavarësinë e popujve. Ne të botës islame, çdo problem dhe krizë që e kemi, na vjen prej këtyre dy kategorive. Aksidentet, trazirat, krizat, padrejtësitë, frika, fukarallëku, papunësia, korrupsioni financiar dhe administrativ etj… janë vepër e ekstremistëve dhe diktatorëve. Prandaj Kurani fisnik i ka shpallur luftë ekstremizmit në fe dhe diktaturës politike, duke e dënuar ashpër shkatërrimin dhe aktet keqbërëse në tokë.
“Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” (Fexhr, 6-14)
Të gjithë ata që merren me politikën e Sheriatit islam, theksojnë se të gjithë problemet dhe krizat, e kanë burimin tek ekstremistët dhe diktatorët. Kështu, sektet e devijuara, e kanë braktisur shoqërinë islame për shkak të ekstremizmit në fe. Kurse qeveritarët diktatorë, kur i shfuqizuan dispozitat e Sheriatit, gjë e cila u prit me protestat dhe revolta popullore, shkaktuan gjakderdhje, vranë njerëz, rrënuan vendin, dëmtuan ekonominë dhe prishën rendin.
Vetëm duke respektuar drejtësinë dhe duke ndjekur të mesmen, vendoset rendi dhe paqja. Moderizmi i shoqërisë, është duke iu përmbajtur metodologjisë së mesmes së artë, larg ekstremizmit dhe indiferentizmit. Kurse drejtësia e qeveritarëve realizohet duke respektuar dispozitat e Zotit, librin e Tij dhe traditën profetike.
Lindja dhe Perëndimi na kanë vënë në shënjestër me shkencëtarët, institucionet ndërkombëtare të drejtave të njeriut, lëvizjet civile etj… për shkak të ekstremistëve dhe diktatorëve. Perëndimi dhe Lindja nuk kanë asgjë me xhamitë tona, madje na kanë lejuar ti ndërtojmë në vendet e tyre. Ata nuk i luftojnë universitetet tona dhe nuk kanë asnjë problem me mënyrën tonë të jetesës. Të gjithë të keqen me ne, ata e kanë për shkak të ekstremistëve dhe diktatorëve. Nëse umeti mysliman, me të diturit, kadilerët, mendimtarët, shkrimtarët, qeveritarët dhe reformatorët e tij, do të merreshin me ekstremizmin dhe diktaturën, duke ndërmarrë reforma rrënjësore për tu dhënë fund një herë e përgjithmonë këtyre fenomeneve, gjendja jonë padyshim që do të përmirësohej dukshëm.
Në një vështrim retrospektiv, gjejmë se drejtësia është themeli i çdo civilizimi dhe lulëzimi, saqë Ibnu Tejmije, Ibnu Halduni dhe të tjerët theksojnë se:”Zoti e mbështet një shtet të drejtë, edhe pse është jobesimtar, sakaq nuk e mbështet një shtet zullumqar, edhe pse është mysliman.”
Sëmundja e botës islame sot, është pikërisht ekstremizmi i të rinjve dhe adoleshentëve tanë, si dhe persekutimi dhe shtypja që ushtrojnë qeveritarët tanë diktatorë. Këtyre, mund tu shtojmë një të tretë: Mungesa e reformatorëve dashamirës.
Shkurtimisht, ky ishte një sekret mes meje dhe jush lidhur me problematikën e ekstremistëve dhe diktatorëve në botën tonë islame. Lidhur me ekstremistët fetarë, thotë Zoti në Kuran:” O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj.” (Nisa, 170)
Kurse lidhur me diktatorët, Kurani thotë:” Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin.” (Neml, 52)
Categories