Me këtë titull e fillon sot e përditshmja “Dnevnik” shkrimin e saj ku raportohet se mediet shqiptare janë sikur të bashkë koordinuara për të sulmuar shtetin e Maqedonisë. Në këtë tekst citohen deklaratat e akademik Abdylmenaf Bexhetit, si dhe Nasir Selimit që kanë të bëjnë me diskriminimin e kompanive shqiptare nga shteti i Maqedonisë, informon Almakos.
Më poshtë Almakos ju sjell një pjesë që “Dnevnik” ka publikuar nga deklaratat e të lartëpërmendurve:
“S’ka biznes të suksesshëm pa ndonjë “mik” në pushtet: Numri më i madh i firmave që i kanë shqiptarët janë të madhësive të vogla dhe të mesme. Këtu para se gjithash mendohet për biznesin e vogël të llojeve të ndryshme dhe zakonisht sukses të madh janë evidente në tregtinë me pakicë, prodhimtari dhe në sektorin e shërbimeve. Por, fatkeqësisht këto mbeten vetëm në margjina kur bëhet fjalë për pozitë dominuese të kompanive shqiptare në tregun e Maqedonisë.
Në Maqedoni ka mbi 20 kompani shqiptare të cilët që nga pavarësia e Maqedonisë zhvillojnë më sukses biznesin e tyre por asnjëra nga këta për dallim nga kompanitë Maqedoni nuk posedojnë aksione në industrinë e metaleve, minierave, mediave, kompanitë farmaceutike, si dhe spitalet e bankat. Pikërisht kjo sipas ekspertëve ekonomik ka bërë që kompanitë pronarët e të cilëve janë shqiptarë të Maqedonisë me veprimtarinë e tyre që e ushtrojnë kanë shumë pak pozitë dominante apo nuk kanë fare pozitë dominuese në tregun e Maqedonisë.
Për ekspertin për çështje ekonomike Abdylmenaf Bexheti ekzistojnë shumë faktorë që shqiptarët nuk e gjejnë hisen e tyre në tregun e Maqedonisë edhe pse pa fajin direkt të shqiptarëve.
“Të gjitha kompanitë që mbijetojnë sot janë të gjitha të ngritura mbi sakrificat individuale dhe familjare të tyre dhe me asgjë asnjëherë qeveria dhe agjencitë e saj nuk kanë përkrahur këtë strukturë. Së dyti edhe vet shqiptarët kanë një pjesë faji se nuk arritën edhe pas 20 vitesh të organizohemi në sistem koorporativ-koncentrim kapitali dhe “të bashkuar të bëjmë fuqinë” thotë Bexheti…
Për ekspertin ekonomik Nasir Selimi fakti se në listën e njëqind kompanive më të mëdha eksportuese në Maqedoni gjinden vetëm dy-tre kompani me pronarë shqiptarë flet qartë se këto kompani janë larg asaj që duhet të jenë.
“Gati 90 për qind e top njëqind kompanive eksportuese të Maqedonisë janë maqedonase dhe nga Shkupi. Nga ana tjetër eksporti ka rëndësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e ekonomisë së një vendi. Ndoshta maksima e njohur “blej shqip”, duhet të zëvendësohet dhe plotësohet me maksimën “eksporto shqip” e cila është akoma më e dobishme se e para” thotë Selimi…”
Gjithashtu kjo e përditshme thekson se mediet shqiptare kanë inicuar edhe kampanja të tjera intenzive për mospërfaqësimin e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë si për: Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, Bankën Popullore të Maqedonisë, Gjyqin Themelor, Këshillin Gjyqësorë, Sekretariatin e Qeverisë e për shumë institucione tjera./Almakos
Categories