Dorëheqja e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha  nga të gjitha postet në parti, pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare është komentuar shumë këtyre ditëve. Ky debat krahas në Shqipëri është përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Vlerësimet për dorëheqjen e tij qenë të ndryshme, ndërkohë që objekt debati është bërë nëse  duhet, në raste të njëjta liderë partish dhe subjektesh tjera shqiptare, të ndjekin rrugën që zgjodhi kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Analisti Mersel Bilalli gjestin e kryeministrit shqiptar e konsideron pjekuri politike dhe morale të një  personaliteti që tregoi që ka një peshë të veçantë në organizimin politik shqiptar, sepse ai  dëshmoi kapacitetin demokratik dhe moral që të ndeshet me përgjegjësinë e vet edhe përkundër rezultateve evidente që janë arritur nën udhëheqjen e tij, edhe përkundër gabimeve që mund tëjenë bërë.
“Dorëheqja në kësi rastesh është praktikë në të gjithë vendet demokratike, domethënë  nuk është shpikur asgjë e re. Vetëm tek ne, pra  shteti udhëhiqet për tetë vjet udhë e pa udhë dhe kryetari i qeverisë di të lëvdohet rrejshëm. Kjo  flet për mungesën e kapacitet demokratik dhe moral”, thekson analisti Mersel Bilalli.
Ndërkaq, analisti, Ismet Ramadani thotë se dorëheqja  kryeministrit shqiptar nga postet partiake ka qenë e pritshme pas humbjes së zgjedhjeve. Megjithatë, edhe pse humbi ai shënoi historinë e demokracisë në Shqipëri, vlerëson Ramadani dhe shton se Berisha është shumë i dashur, i çmuar dhe i respektuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e gjetkë.
“Dorëheqja dhe shkuarja e Berishës  është madhështore. Ndërsa ajo që do të mbetet përherë në kujtesën  shqiptarëve është se ai ishte një lider i madh, një njeri që di t’i respektoj shqiptarët shprehet  Ramadani , duke përsëritur  faktin që krahas sukseseve në Shqipëri , Berisha  admirohej në Kosovë dhe Maqedoni.
Në këtë kontekst, analisti Ramadani vlerëson se dorëheqja e Berishës do të duhej të merrej si shembull, në të ardhmen nga liderët e partive politike shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni dhe kjo aq më tepër që në një mënyrë Berisha mbetet idhulli i tyre. Ndërkohë,  që shprehet se ky mund të jetë një moment vetëdijesimi, që  mossuksesin e tyre ata mos ua përshkruajnë të tjerëve, por vetvetes.
Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti  shkruan në Faceboook se dorëheqja e kryeministrit, Sali Berisha nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike, si një vendim dhe akt moral pas rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, është edhe një shembull i mirë për atë se çfarë duhet të bëjë  një lider me përgjegjësi dhe burrështetas i vërtetë, pasi të ketë dëgjuar verdiktin e popullit.
“Në kohët e dekadencave të rënda politike, kur duket se nuk dimë fort mirë të dallojmë shapin nga sheqeri, kur vija ndarëse mes idealeve dhe interesave konjukturale në veprimin politik duket se është zbehur shumë, vendimet e këtilla politike na vijnë si një apel dhe përkujtim – se politikanët nuk janë pushtetarë të përhershëm. Por ama, si demokratë të vërtetë, ata janë shërbyes të përhershëm të vullnetit të sovranit! Uroj që të gjithë ta mësojmë leksionin e demokracisë që na vjen sot nga Shqipëria.”, shkruan Ermira Mehmeti. /Portalb