Categories
Opinione

Drama “Vatan” nga Namik Qemal

Para themelimit të Republikës së Turqisë, letërsinë turke, me traditë më shumë se 1000 vjeçare, e karakterizonin poetët me vargjet e tyre plotë urtësi. Në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, filluan ndikimet nga perëndimi edhe në letërsinë turke. Me këtë rast filluan të shkruheshin drama dhe romane në osmanlisht-turqisht. Përderisa Shemsetin Sami (Frashëri) është i pari që shkroi një roman në turqisht, Namik Qemal e shkroi dramën e parë turke. Të dy këta gjigantë të letërsisë turke kishin disa pika të përbashkëta. Ata ishin thuajse moshatarë, e shprehnin prejardhjen shqiptare në veprat e tyre, merreshin me gazetari për çështje politike, ishin burokrat në hierarkinë osmane, përpiqeshin për emancipimin e gruas në shoqëri, e pasuruan letërsinë turke me drama dhe romane etj.
Drama e parë turke nga Namik Qemal me emrin “Vatan” u realizua në një teatër të Stambollit në vitin 1872. Kjo dramë, e që u botua po në të njëjtin vit, fillon me fjalinë:“Zeqija, një grua e ndjeshme nga Shqipëria, mban në dorë një libër”. Drama fillon me një ngjarje që ndodh në qytetin e Manastirit. Personazhe kryesor janë Zeqija (një shqiptare) dhe oficeri osman me emrin Islam (për të cilin mund të supozojmë se është shqiptar). Këta të dy personazhe shkojnë që ta mbrojnë një kështjellë nga sulmet e ushtrisë ruse, në një qytet osman të bullgarisë së sotme (gjatë Luftës së Krimesë). Në kështjellën në fjalë, ata e takojnë edhe babën e Zeqijes, i cili është komandant i ushtrisë osmane. Drama përfundon ashtu që këta shqiptarë, bashkërisht e japin kontributin e tyre të suksesshëm për mbrojtjen dhe shpëtimin e kështjellës nga armiku.
Përveç mesazhit politik që i përcillte publikut, drama në fjalë është një kryevepër për sa i përket tematikës romantike. Mirëpo pjesën romantike të dramës nuk do ta shtjelloj në këtë shkrim. Atë privilegj do t’ia lë dikujt tjetër për në të ardhmen. Qëllimi i këtij shkrimi është shtjellimi i mesazhit politik që dilte nga kjo dramë. Megjithatë, vlen të ceket se dialogët romantike në këtë dramë, mund të krahasohen me ato të dramës së Shekspirit  “Romeo dhe Xhuljeta”. Për ne, kjo është me rëndësi, pasi që karakteret në dramën “Vatan” janë shqiptarë nga Manastiri e jo italianë nga Verona; si dhe autori nuk është anglez por është shqiptar-osmanli.
Siç e thamë më lartë, drama “Vatan” fillon me personazhin e Zeqijes. Jo rastësisht ajo mban një libër në dorë. Autori përpiqej që edhe femra myslimane të edukohej me libra dhe që ata mundësisht të mund të shkonin në shkollë. Shqiptaren në fjalë, jo rastësisht e quanin Zeqije. E përkthyer në shqip “zeqije” don të thotë: e urtë (e mençur). Prandaj ajo shqiptarja e re, e urtë, e bukur dhe me libër në dorë duhej të ishte shembull për emancipimin e femrës në Perandorin Osmane. Mirëpo më e rëndësishmja që e karakterizon këtë dramë dhe që njëkohësisht e veçon ate deri në ditët e sotme, qëndron në faktin e përdorimit për së pari herë të fjalës “vatan”. Kuptohet që me përdorimin e fjalës apo nocionit “vatan”, autori e ndërlidhte me konotacionin politik të asaj kohe. Kjo për faktin se në Perandorin Osmane sovran ishte sulltani apo kalifi dhe si pasoj shteti osman ishte drejtpërdrejt i lidhur me figurën e tij. Ky fakt po ashtu nënkuptonte që besnikëria ndaj sovranit ishte e barabartë me besnikërinë ndaj shtetit. Namik Qemali, i frymëzuar kryesisht nga ndikimi francez, përpiqej që ta ndryshonte lidhjen e shtetasve osman me sulltanin dhe insistonte në lidhjen e tyre me vatanin. Pra, sipas tij, osmanlit nuk e hanin bukën e sulltanit por e hanin bukën e vatanit. Ata nuk duhej të binin shehid për sulltanin e as për dinin por për vatanin.
Në dramë, dashurin ndaj vatanit, autori e ndërlidh në personazhin e togerit osman me emrin Islam. Togeri në fjalë vendosën që të shkoj vullnetar në luftë, menjëherë pasi që kupton se shteti ka shpallur luftë. Islami, i cili ishte “i dashuri” i Zeqijes, ia shpjegon asaj arsyet e vendimit të tij duke i thënë:“Mua Zoti më krijoi, vatani më riti. Mua Zoti më ushqen. Për vatanin më ushqen”. Zeqija pasi që kupton se nuk mund ta bind Islamin që të heq dorë nga vendimi i tij, e dëshpëruar i drejtohet atij me këto fjalë: ”Për Vatanin… Çka mund të them? Shko, shko bej.[…]Në luftë shkon apo? Për Vatanin shkon apo? Më harro mua, harroje dhe dynjanë[…] Unë s’dua as edhe një letër prej teje. Inshallah kthehesh shëndosh”. Pas këtyre fjalëve, Islami i thotë asaj: “Mos harro që të lutesh për vatanin”.
Namik Qemali besonte në mundësinë e barazisë ndërmjet shtetasve në Perandorin Osmane. Ai ishte i vetëdijshëm që vetëm barazimi i gjithë shtetasve pa dallim feje, gjuhe apo kombësie do të shpëtonte Perandorin Osmane nga kolapsi. Prandaj dhe në të njëjtën kohë autori ka treguar kujdes ndaj ndjenjave të publikut të krishterë. Duke qenë i vetëdijshëm për simpatinë që shprehnin bashkështetasit e tij të krishterë për Rusinë, ai në asnjë rast nuk e përmend fjalën rus në dramë. Në vend të saj gjithmonë përmendën fjalën “dushmanët” (e që nënkuptonte rusët). Publikun e krishterë autori po ashtu përpiqej ta afronte duke mos e përmendur as xhihadin e as kalifin në dramë. Për ta përmbushur zbrazëtirën e injorimit të motivimit të xhihadit për në luftë kundër qafirëve, si dhe për ta kompensuar minimizimin e rolit të padishahut si kalif i myslimanëve, autori e pagëzon personazhin kryesor me emrin Islam. Personazhin në fjalë e veshën me virtyte dhe, i cili si luftëtar heq dorë nga të gjithë të mirat e kësaj dynjaje, si dhe është i gatshëm që ta jep jetën e tij për vatanin. Autori me këtë rast tentonte që të kënaqte edhe publikun osmanli-musliman.
Autori thuajse gjatë gjithë dramës nuk e përmend sulltanin. Mirëpo, në fund, si duket për ta kaluar censurën, e përmend ate me fjalët:”Edhe një kështjellë të padishahut (sulltanit) e shpëtuam. Rroftë padishahu”. Megjithatë autori e zbeh rëndësinë e sulltanit, pasi menjëherë pas kësaj ai e përfundon dramën me fjalët: “rroftë vatani, rrofshin osmanlitë”. Këta fjalë përsëriten tri herë.
Përpos suksesit të rrufeshëm të kësaj drame, autoritetet e atëhershme osmane i quajtën me të drejtë utopike idetë e Namik Qemalit dhe e ndaluan vazhdimin e luajtjes së saj në skenë. Kjo edhe për faktin se në atë kohë mendohej seriozisht për përqafimin e panislamizmit nga shteti osman, nismëtar i së cilës ide ishte shqiptari çam Hasan Tahsin Hoxha (Shemsetin Sami për H.T.H. shkruante:“panislamizmi lindi në trurin e tij”). Për atë shkak kulti i sulltanit apo i kalifit ishte i pacenueshëm dhe zëvendësimi apo analogjia e sulltanit me vatanin e dëmtonte mundësinë e përhapjes së kësaj ideologjie politike tek muslimanët jashtë Perandorisë Osmane. Në ndërkohë, 4 vjet pas publikimit të dramës “Vatan”, në Perandorin Osmane ndodhi grusht shteti dhe si pasoj osmanizma shndërrohet në ideologji shtetërore. Menjëherë hyri në fuqi kushtetuta osmane dhe u konstituua parlamenti i përbërë edhe me shumë deputetë të krishterë. Namik Qemali, me këtë rast, e dha kontributin e tij në përpilimin e kushtetutës osmane. Mirëpo kushtetuta osmane qe jetëshkurtër, pasi që pas hyrjes së saj në fuqi, filluan trazira të mëdha në Perandori. Në momentin kur mendohej se u zgjodhën problemet thelbësore të Perandorisë Osmane, filluan trazirat më të mëdha. Për të mos i lënë hapësirë Perandorisë Osmane që fuqizohej, me ndihmën kryesisht të Rusisë, u iniciua rebelimi i një pjese të madhe të të krishterëve osmanli në Evropë. Rebelimi në fjalë u shndërrua në luftë ndër-perandorake, e njohur si Lufta Osmano-Ruse. Kjo luftë përfundoj me vendimet e Kongresit të Berlinit, e si rezultat i së cilës Perandoria Osmane humbi shumë territore në Evropë. Popullsi e madhe e krishtere u shkëput nga perandoria dhe ata formuan shtetet e tyre kombëtare. Në ato rrethana të jashtëzakonshme, u lanë anash reformat në sistemin politik të perandorisë. Koncepti politik i osmanizmit përsëri e humbi rëndësinë dhe si rrjedhojë popullsia osmane vazhdoj të mbetej e ndarë në milete. Në ndërkohë, ideologjia politike e panislamizmi ngadhënjeu dhe ajo u shndërrua në doktrinë shtetërore osmane gjatë regjimit mbi 30 vjeçar të sulltan Abdulhamidit të II.
Osmanizma si ideologji politike mori hov përsëri me ngadhënjimin e revolucionit xhonturk në vitin 1908. Me atë rast hyri në fuqi përsëri kushtetuta osmane si dhe u konstituua parlamenti i ri pas një pauze 30 vjeçare. Namik Qemali nuk jetonte më që t’i shihte frytet e ideologjisë së tij. Mirëpo ai kishte lënë pas tij shumë admirues. Njëri prej tyre ishte edhe shqiptari-osmanli Ibrahim Temo, e që kishte qenë themelues i lëvizjes xhonturke. Ibrahim Temo në kujtimet e tija e shpjegon frymëzimin që kishte marrë nga vepra e Namik Qemalit dhe se fotografin e tij e kishte varur në fakultetin ku studionte në Stamboll. Se sa e thellë ishte e ngulitur osmanizma në fazën e parë të lëvizjes xhonturk mund ta kuptojmë edhe nga proklamata e parë, e lëshuar nga po kjo lëvizje, pas fillimit të revolucionit xhonturk në Manastir me në krye shqiptarin Nijazi bej Resnja. Në proklamatën në fjalë, e që u drejtohej kryesish osmanlive (shqiptarëve) musliman, thuhej:“O fëmijë të vatanit! O vëllezër osmanli![…]Ju e dini që bullgarët, serbët dhe vllahët nuk janë armiqtë tuaj. Përkundrazi ato janë besnik, ata janë vëllezërit tanë. Prandaj është detyra jonë e shenjtë që të mbrojmë jetën,pronën dhe nderin e tyre. Zoti ynë-Allahu dhe profeti ynë-Muhamedi na kanë obliguar. Dojini dhe respektoni[…]Vetëm mosnjohja jonë ndaj tyre i bën ata armiq tanë. Jo, ato nuk janë armiq tanë, ata janë miq dhe vëllezër tanë.[…]Të bashkohemi do të thotë të bëhemi vëllezër dhe të mundemi të ju ndihmojmë! Të jemi të lumtur ta rrëzojmë këtë qeveri dhe ate të i ja besojmë njerëzve të ndershëm dhe të zgjedhur nga populli!” Fjalori që përdorej në këtë proklamatë, e veçanërisht fjalët”o fëmijë të vatanit”, ishin risi për shqiptarët. Shqiptarët-osmanli e ndienin veten si fëmijë të sulltanit e jo të vatanit. Mbase Sulltani, kur u drejtohej të pranishmëve, fillonte me fjalët: o fëmijët e mijë. Kjo ishte edhe arsyeja që shumica e shqiptarëve, nga respekti për Sulltanin, në shumë raste brohoritshin: “e duam  babën (sulltanin)”. Fillimi i proklamatës me fjalën vatan, vetëm që shprehte ndikimin ideologjik të Namik Qemalit në lëvizjen xhonturke. Mirëpo sikur që lufta Osmano-Ruse e zbehu ideologjinë e osmanizmës, po ashtu edhe në këtë rast, me ndihmën e Rusisë, u nxitë Lufta Ballkanike në vitin 1912. Me ç’rast ideologjia e osmanizmës pësoi goditjen përfundimtare. Elita xhonturke e kohës u përshëndet nga mundësia e barazimit të shtetasve osman të krishterë me ata mysliman dhe e pranoj ideologjinë politike të panturqizmit; njëkohësisht duke mos u shkëputur edhe nga panislamizmi.
Drama “Vatan” vazhdon që të jetë aktuale në Republikën e Turqisë, për faktin se nga ajo ishte i frymëzuar edhe Mustafa Qemali. Nga kujtimet e tija kuptojmë që ai këtë dramë e kishte lexuar në kohën kur censura osmane e kishte ndaluar botimin dhe realizimin e dramës në fjalë. Ai, dramën “Vatan”, e dinte thuajse përmendësh. Në këtë dramë, rolin e Islamit, Mustafa Qemali ka mundësi që ta ketë ndierë si të tijën. Kjo pasi që sikurse Islami edhe ai vetë ishte shqiptar, ishte shkolluar në Manastir, ishte ushtarak dhe luftonte për vatan. Mustafa Qemalin me siguri që e kanë frymëzuar fjalët e Islamit në dramë, i cili, para nisjes për në betejë, u thotë ushtarëve të tij këto fjalë: “Me nijet që të vdes shkoj. […]A jeni hazër që të vdisni për vatanin?”. Prandaj dhe Mustafa Qemali thotë diçka të ngjashme në luftën e Çanakkales. Sipas kujtimeve të njërit nga komandantët osman, Mustafa Qemali, në momentin më kritik të njërës prej betejave të shumta në Çanakkale, iu drejtohet ushtarëve të tij me këto fjalë: “Nuk iu urdhëroj që të sulmoni por iu urdhëroj që të vdisni! Përderisa ne do të vdesim, do të na vinë përforcimet”. (Në atë betejë, ku kishte edhe shumë shqiptarë, ushtarët e tij e zmbrapsën armikun me sukses. Në luftën e Çanakkales të vitit 1915 shqiptarët e dhanë kontributin e tyre në mbrojtjen e Stambollit ashtu siç e kishin dhënë edhe afër 500 vjet më parë kur e pushtuan ate së bashku me turqit). Edhe pse lufta e Çanakkales dhe roli i Mustafa Qemalit është mitizuar nga historiografia turke dhe sot është e vështirë që të dëshmohet nëse në të vërtet ai i ka urdhëruar ushtarët e tij që të vdesin, citati i lartpërmendur nga drama “Vatan”, lenë hapësirë për ta pranuar këtë ngjarje si të vërtetë.
Namik Qemali po ashtu respektohej shumë nga “rilindësit” shqiptarë. Kostantin Çekrezi te libri “Albania the past and present” të botuar në vitin 1919 në New York, krenohej me Namik Qemalin. Ai shkruante se një filozof i përmasave të mëdha ishte shqiptar. Bashkëpunëtori i Çekrezit, Kristaq Floqi, po ashtu ishte i motivuar nga Namik Qemali. Drama “Vatan” e motivoi Floqin që në vitin 1914 të shkruaj një dramë shqipe me titullin “Fe e Kombësi”. Kristaq Floqi në dramën në fjalë vetëm që e zëvendëson atdhe-dashurinë e Namik Qemalit me komb-dashurinë. Ai përpiqej t’u shpjegonte shqiptarëve se vatani i tyre, pavarësisht asaj se a ishte Perandoria Osmane ose Greqia, nuk mund të ishte më e rëndësishme se sa kombësia. Në dramën e Floqit, personazhi i Ganiut thotë:“Si mjerë ay i zi që s’njeh vehten e ti e kombësinë,/ Është fatzi, është i lik, ay s’beson as Perëndinë!” Sipas Floqit ai që s’besonte në kombësi ishte i barabartë me qafirin. Teoria e Floqit për komb-shtetin po ashtu ishte e ndikuar nga Namik Qemali. Kjo pasi që te drama “Vatan” ndeshim diçka të ngjashme. Në dramën në fjalë Islami thotë:”Sipas meje vatani me imanin (besimin) shkojnë së bashku. Ai që se donë vatanin gjithashtu se donë as Allahun (Zotin)!” (Bence vatan, iman ile beraberdir. Vatanini sevmeyen, Allahini da sevmez!) Në të dy rastet dallohet përpjekja e autorëve për ta barazuar dashurinë ndaj vatanit apo kombësisë me besimin në Zot. Kjo ishte faza fillestare e nacionalizmit, e që filloj në thuajse në të njëjtën kohë si te shqiptarët po ashtu edhe te turqit. Ky nacionalizëm manifestohej me ngritjen e kultit të atdhedashurisë apo komb-dashurisë si diçka e shenjtë apo hyjnore. Atdhedashuria ishte ide politike që ngadhënjeu në Evropë me formimin e shteteve kombëtare dhe përhapjes së idesë politike të nacionalizmit. Mirëpo njëkohësisht pasojat e saj ishin fatale për Evropën pasi që në shk.XX, në luftërat ndërmjet shteteve të Evropës, u shkaktua vrasja e dhjetëra milion njerëzve.
Një vit pas botimit të dramës Vatan, Shemsetin Sami e shkroi dramën “Besa”. Ai, në dramën në fjalë, po ashtu në një rast e përdorën fjalën vatan. Megjithatë pikëpamjet e tija politike dallonin nga ata të Namik Qemalit. Përderisa Namik Qemali përpiqej për osmanizmin, ndërsa Hasan Tahsin Hoxha përhapte panislamizmin, Shemsetin Sami përhapte idenë politike të panturqizmit. Mirëpo për ate do të shkruaj në një rast tjetër; kur do ta shtjelloj edhe dramën “Besa”.

Exit mobile version