Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi me sukses ligjëratën fetare me teolog Vladimir Kera nga Republika e Shqipërisë, me pjesëmarrje të madhe të të rinjve.
Programi u hap me leximin e ajeteve nga Kur’ani Famëlartë nga nxënësi Resul Ferati, ndërsa më pas fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i FRI-Shkup, z. Afrim Demiri, i cili theksoi rëndësinë e kësaj ligjërate dhe potencoi se FRI Shkup do të vazhdojë të realizojë aktivitete të shumta me qëllim të qëndrimit sa më pranë të rinjve dhe nevojave të tyre.
Ligjërata u realizua nga teolog Vladimir Kera, i cili para një numri të madh pjesëmarrësish trajtoi temën “Përgatitjet për arritjen e devotshmërisë në Ramazan”. Gjatë ligjëratës, u sollën shembuj praktikë nga Kur’ani dhe jeta e Pejgamberit Muhamed alejhi selam, duke theksuar se muaji i Ramazanit vjen si mundësi për ndryshimin e mendësisë, forcimin e besimit dhe ngritjen shpirtërore të besimtarit.
Në fund, të pranishmit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të zhvillojnë diskutim rreth temës.
Forumi Rinor Islam – Dega Shkup mbetet i përkushtuar që edhe në vazhdim të realizojë aktivitete të shumta edukative dhe fetare, para dhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Shkup, 24 janar 2026










