• Prof. dr. Rami Memushi argumenton se reformat e drejtshkrimit që propozohen të kryhen janë pa një bazë shkencore

 

Debati për drejtshkrimin ka disa kohë që ka krijuar përplasje në qarqet e gjuhëtarëve. Heqja e zanores “ë” të patheksuar është, ndër të tjera, çështja që ka krijuar pakënaqësi. Prof. dr. Rami Memushaj argumenton se reformat e drejtshkrimit që propozohen të kryhen janë pa një bazë shkencore. Ndërkaq, sipas tij, kostot e kësaj reforme do të ishin të një vlere të pallogaritshme. Nga ana tjetër prof. dr. Primo Shllaku argumenton se rregullat e miratuara në Kongresin e Drejtshkrimit janë një produkt i politikave komuniste për një hegjemoni toske mbi shumicën gege.
Prof. Ramiu ku përqendrohet debati për një reformë të mundshme të gjuhës standarde? 
Debati më i madh është për drejtshkrimin. Por, si të thuash ky debat nuk është organizuar mirë sepse punët e gjuhës, kur flasim për atë standarde, duhen zgjidhur në mënyrën sa më demokratike. Kjo për faktin se gjuha është produkt mbarëkombëtar dhe jemi të gjithë pronarë të saj, jo vetëm gjuhëtarët. Prandaj duhet që këtu çdo gjë të zgjidhet mbi bazën e marrëveshjes. Duhet pranuar ajo për të cilën të gjithë janë dakord. Ndryshimet e miratuara nga mbledhja e qershorit të vitit të kaluar merreshin kryesisht me drejtshkrimin e zanores “ë” të patheksuar, kur ajo del në kufi temash me prapashtesat. Propozimi është që kjo “ë”, në këto raste kur një fjalë formohet nga një temë me “ë” dhe një prapashtesë që nis me bashkëtingëllore, si për shembull fjala “anëtar”, të mos shkruhet. Pra fjala “anëtar” të shkruhet thjesht “antar”. Gjithashtu propozohet dhe mosshkrimi i “ë”-së mbështetëse, për shembull “mjekësi” të shkruhet “mjeksi”. Mos shkrimi i “ë”-së në këto raste përfshin një numër shumë të madh fjalësh, të cilat mund të jenë me qindra e qindra. Pra, preket një pjesë e mirë e korpusit të fjalorit. E dyta, kjo nismë lë të hapur shtegun e mosshkrimit të “ë”-së edhe në fjalët e përbëra që kanë tema me “ë” dhe tema e dytë fillon me bashkëtingëllore si fjala “armëpushim”. Për këto lloj fjalësh është propozuar të shkruhen pa “ë”. Ndërkaq drejtshkrimi i ka dalluar mirë. Gjithashtu priten të tjera propozime, përveç zanores “ë”, në lidhje me zanoren “i” të patheksuar në grupet “ia”, “ie”, “io”, “iu” në fjalët e huaja. Në vend të “i”-së të shkruhet “j”. Këto janë rreth 900 fjalë sipas fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 2006, i cili ka rreth 48000 fjalë.
Po mbi çfarë baze është propozuar kjo tezë? 
Kjo tezë bazohet mbi faktin se në rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, thuhet se parimi themelor i drejtshkrimi të gjuhës shqipe është parimi fonetik, pra fjalët duhet të shkruhen ashtu siç shqiptohen. Mirëpo këtu kemi një ekzagjerim të këtij rregulli sepse që në atë kohë është kundërshtuar në gjë e tillë. Pra jo parimi fonetik, por ai fonologjik. Domethënë fjalët shkruhen me fonemat që kanë. Çdo grafemë përfaqëson një fonemë dhe kjo buron që nga alfabeti i gjuhës shqipes që është i tillë. Ndryshe nga shumë gjuhë të tjera, në gjuhën shqipe çdo fonemë jepet me një grafemë që mund të jetë njëshe ose mund të jetë dyshe si “sh”-ja, “zh”-ja etj. Pra, këtu i jepet një peshë më e madhe parimit fonetik. Por, në të vërtetët ne duhet të synojmë të ruajmë format e fjalëve sepse kështu ne ruajmë edhe lidhjen me traditën e shkruar të gjuhës shqipe. Pra, nëse ne do të ecim me këtë shpejtësi dhe do t’i referohemi shqiptimit, por pa pasur studime për shqiptimin, studime fonetike nuk janë bërë në Shqipëri, kjo, po qe se ndiqet me verbëri, mund të çojë në një gërryerje të formave të fjalëve dhe mund të bëjë që pas 100 ose 200 vitesh të mos lexohen veprat që janë shkruar sot. Pra nuk ka një bazë shkencore ky propozim për ndryshimin e fjalëve.
Çfarë kostosh do të ketë nëse do të bëhej një ndryshim i standardit, sipas këtyre propozimeve? 
Një ndryshim i tillë do të ketë një kosto shumë të madhe. Nga përllogaritjet që kam kryer, deri tani të përafërta, i bie që të paktën 1 në 10 fjalë të fjalorit të shkruhet ndryshe. Atëherë kjo do të thotë që të gjithë fjalorët e botuar të gjuhës shqipe, fjalorët shqip gjuhë e huaj apo gjuhë e huaj shqip dalin jashtë përdorimit. Kështu, këtu kostoja është e dyfishtë. Nga njëra anë, botuesit, gjendjen që kanë do ta hedhin poshtë dhe nga ana tjetër duhet të bëjnë botime të tjera. Pastaj është legjislacioni, i cili duhet ndryshuar i tëri. Ndërkaq janë shumë manuale të përdorimit të përditshëm si dhe tekste të letërsisë së ndryshme, të cilat duhen ndryshuar. Kosto tjetër është ajo njerëzore. Nëse kryhet kjo reformë, sa kohë do të duhet që të përgatitësh korrektorë dhe redaktorë, të cilët do të merren me këtë punë? Kjo është gjithashtu një kosto shumë e madhe sepse do të kemi një largim nga tradita. Nuk do të jetë më si më parë sepse Kongresi i Drejtshkrimit fiksoi disa gjëra që kishin vite e vite që zbatoheshin.
Çfarë reformash mund të ndërmerren që drejtshkrimi t’i përgjigjet realitetit të sotëm?
Një përmirësim i drejtshkrimit është i nevojshëm, por i tillë që nuk prek strukturën e tij. Ndryshimet e propozuara janë të tilla që përmbysin shprehitë drejtshkrimore të ngulitura (në shkallë të ndryshme) te përdoruesit e këtyre brezave. Duhet të ndryshojnë vetëm fare pak rregulla të veçanta si dhe duhen riparë disa përjashtime nga rregullat. Duhet përditësuar edhe materiali ilustrues, sepse kanë ndryshuar realitetet politikoshoqërore: duhen hequr emërtime të institucioneve dhe të funksioneve që nuk janë më dhe duhen shtuar emërtime institucionesh, organizatash e funksionesh të reja që lidhen me realitetet e reja, si dhe emërtime gjeografike, data etj. jo vetëm të Shqipërisë politike, po edhe të Kosovës e Maqedonisë.
“Gegnishtja, lokomotiva e gjuhes shqipe” 
Flet prof. dr. Primo Shllaku, drejtor ekzekutiv i Institutit për Promovimin e Vlerave të Gjuhës Shqipe Rregullat e Kongresit të Drejtshkrimit, për profesor Primon janë vendosur për të krijuar një “hegjemoni toske” ndaj “gegëve”, të motivuar nga sistemi komunist, duke krijuar një standard të gjuhës shqipe të padrejtë, sipas tij, për shumicën dërrmuese gege. Ai është i mendimit se standardi i gjuhës shqipe duhet medoemos të reformohet sepse, sipas tij, nuk është gjithëpërfshirës, duke argumentuar se në themelet të tij është “tosknishtja”. Profesori jep të kuptojë se standardi është tërësisht “toskënisht” me ngjyresa shumë të lehta “gegnishteje”. Reformimin e mundshëm, profesori e përshkruan si një hapje ndaj “gegnishtes”, e cila, sipas tij, do të jetë prishja e murit të madh ndarës ose segregativ të standardit me “gegnishten” . Ai shprehet se “gegënishtja” ka qenë shumë inovative për sa u përket “ë”-ve, duke u çliruar nga ato për shkak të veçorisë së saj reduktive. Profesori vijon të shpjegojë më tej se “ë”-të në drejtshkrim janë vetëm rëndesë. Vënia apo heqja e tyre nuk e ndryshon fjalën. Ai shpjegon se edhe “tosknishtja” ka tendencë të heqë “ë”-të e patheksuara, e ndikuar ose e tërhequr, siç shprehet, nga lokomotiva e madhe gege. Reformat për “ë”-në e patheksuar që mund të ndërmerren, prof. Primo i cilëson pozitive sepse po ndjekin trendin e “gegnishtes”. Në lidhje me koston e pallogaritshme ekonomike që mund të ketë zbatimi i reformës, ai shprehet se kosto më të lartë do të paguajë gjuha shqipe nëse nuk reformohet standardi. Për të, Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972 është një dështim për faktin se aty nuk u arrit të dallohej se trendi i gjuhës shqipe në ditët e sotme do të ishte “gegnishtja”. Si rrjedhojë, profesori arsyeton se reforma e standardit është një domosdoshmëri duke e cilësuar standardin e gjuhës shqipe si anti-produktiv. Reformat e mundshme që mund të ndërmerren, ai i vlerëson në bazë të volumit të materialit të ndryshuar ose siç shprehet të riparuar dhe të masës së prekjeve të strukturave të paracaktuara të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Për të, ndryshimet do të ishin pozitive nëse ato shkojnë në drejtim të arritjeve historike të “gegnishtes”. Në të kundërt, ato nuk do të jenë pozitive në rast se ndryshimet nuk do të motivoheshin në drejtimin e tyre të vërtetë. Prof. dr. Primo Shllaku është një partizan i flaktë i reformimit të standardit të gjuhës shqipe me modelin e “gegnishtes”.
 
Historia Rregullat e gegnishtes në vitin 1917 
(Pjesë nga rregullorja) PARATHÂNË Mbas porosís së marrun prej të Naltes Komandë m. e r. të XIX Trup Ushtrije me urdhnin E. V. Nr. 128/I më 24. II. 17, i cili po shtypet këtu ngjitun, Komisija letrare shqipe ka vijuem kërkimet e veta mbi fonetikën e dialektit t’Elbasanit me qellim që me i dhânë nji trajtë mâ të caktueme orthografís së gjuhës së shkrimit. Tue u-mbështetun mbi këto kërkime Komisija letrare dau që me i përmirsuem në disa pika Rregullat e orthografís, sidomos për sa u përket formavet të dyzueme, nga të cilat zgjodhi ato, që mâ tepër i pëlqejnë fonetikës së djalektit të marrun për themel. Po shtypë pra nji botim të dytë të Rregullavet t’orthografís me përmirsimet e pëlqyeme, të cilat nuk i sjellin asndonji ndryshim themeluer Rregullavet të përparshme… § 7. Mbi tingllin e vogluem “ë”:
Ë-ja mund të gjindet ja ndë mest ja në fund të fjalvet.
1. a) Ndë mest të fjalvet do të shkruhet aty ku e lypë etymologjija e ku shqyptohet në tosknishte; për shembull: shëndet, rrëfye, këndue etj.
2. b) Në fund të fjalvet ë-ja ka vjeftje etymologjike; e fonetikisht shenjon qi zânorja e rrokjes së përparshme âsht sasije të mesme. Shkodër, Tetuer 1917 Komisija Letrare Shqipe  Kongresi i Drejtshkrimit 1972
Këshilla për zbatim dhe thirrje frymëzuese:
• Kongresi porositi që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si edhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.
• Kongresi shprehu besimin e tij të plotë se kjo thirrje do të përkrahet me entuziazëm dhe do të frymëzojë arsimtarët, shkrimtarët, punonjësit e shkencës dhe të kulturës, gjithë inteligjencën dhe të gjitha masat punonjëse, që me veprimtarinë e tyre krijuese ta zhvillojnë, ta pasurojnë e ta ngrenë gjithmonë më lart gjuhën tonë letrare kombëtare. /shekulli/