Më 24 korrik 2023, u realizua ceremonia e parë e duasë së hatmes në shkollën edukative “Haxhi Nazim Xhaferri”.

Fillimisht përgjegjësja e shkollës, Aishe Emini u dëshiroi mirëseardhje dhe informoi të pranishmit rreth punës dhe aktiviteteve të shkollës, ndërsa kryetari i fondacionit AXIS, hoxha Rufat Sherifi, përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi organizatorët për këtë punë.

Fjalën e rastit si dhe një këshillë mbi edukimin e fëmijëve e pati hoxha i nderuar nga diaspora, imam në xhaminë e Regensdorfit mr. Ferit Zekiri. Pasi uroi dhe përgëzoi nxënësit për përfundimin e hatmes dhe mësimin e çështjeve elementare të mësimbesimit, ai potencoi se fëmijët janë stolia e kësaj bote për prindin, por në të njëjtën kohë janë edhe amanet nga Allahu.

Programi i hatmes ishte i larmishëm me lexim të Kuranit, recitim të sureve, poezi, ilahi dhe prezantim të haditheve të përzgjedhura.

Në fund dr. Kujtim Kasami bëri duan e hatmes dhe për të pranishmit u shtrua një koktej modest.

Nuk munguan as dhuratat për nxënësit dhe mualimet në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, të cilat u ndanë me përkrahjen bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve tanë.

Kjo punë dhe ky event do të ishin pamundura pa angazhimin e mualimeve, prindërve dhe nxënësve tanë. Nuk duhet harruar as përkrahja materiale dhe shpirtërore e familjes Xhaferri të cilët të vazhdimësi janë aty për ne. Shprehim mirënjohje edhe ndaj drejtorit të Pallatit të Kulturës – Kërçovë, Mazllam Osmani, i cili mundësoi shfrytëzimin e sallave për këtë event!

I lutemi Zotit që aktivitetet e këtilla mos të na mungojnë, dhe të jenë ato një hap i madh për përmirësimin e gjendjes sonë të përgjithshme!

Kërçovë, 24 korrik 2023