Armando Sadiku, njeriu që ka realizuar 16 gola këtë sezon në kampionat me Luganon, i ka shënuar dy herë Juventusit në miqësoren e djeshme që përfundoi 3-3 në qendrën stërvitore të Vinovos.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luajti gjithë pjesën e parë, kurse në të dytën u fut në minutën e 75-të të lojës. Në minutën e 80-të ai barazoi shifrat në 2-2, pas një goditjeje me kokë, ndërsa në të 87-ën kaloi Luganon në avantazh pasi ekzekutoi saktë një penallti. “Ishte emocionuese të sfidoja Anelkanë dhe Kualjarelën”, ka thënë Sadiku pas ndeshjes për “Panorama Sport”.
Dy gola Juventusit, a e kishit imagjinuar ndonjëherë këtë?
Jo, në fakt nuk e kisha imagjinuar. Por ishin gola në miqësore, do të doja që gola të tillë t’ia shënoja në turne zyrtarë.
Pra nuk u emocionuat që luajtët kundër tyre dhe u shënuat?
U emocionova pa masë. Të luash në fushë me Matrin, Anelkanë dhe Kualjarelën është fantastike.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?
Që ishin shumë të thjeshtë dhe shumë profesionistë. Megjithatë, ishin edhe pak të çuditshëm.Pse?
Sepse ishin shumë të sjellshëm jashtë fushe, por sapo zbrisje në fushë ishin shumë të ashpër. E kam fjalën sportivisht.
Pse çfarë ndodhi në fushë?
Nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme, por ngaqë edhe ishin të fortë fizikisht të vrisnin në çdo përplasje. Po ju them se pata vetëm një rast kundër tyre dhe atë e shënova. Nuk kishe shanse t’i afroheshe portës.
Tjetër çfarë ju bëri përshtypje?
Sistemi i sigurisë. Ishte gjelbërim ngado, por nuk ndihej asgjë. Madje i kishim marrë masat që të mos kishte asnjë person tjetër veç stafeve aty afër.
Pra nuk pati ndonjë menaxher që t’ju shihte?
Jo, jo nuk pati asnjë menaxher dhe asnjë tifoz të thjeshtë.
Ku do të luani sezonin e ardhshëm?
Nuk e di, sinqerisht. Kam disa oferta, por tani jam fare i paqartë.
/Panorama Sport/
EDITOR
12 years ago
previous article
Ja çfarë nuk dini rreth sheqerit…
you might also like
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
3 days ago