Kohë më parë, saktësisht në përmbyllje të vitit 2013 si dhe në fillim të vitit  2014 dolën në dritë dy libra të rinjë të poetit, shkrimtarit, publicistit,  hulumtuesit, përkthyesit dhe studiuesit Mexhid Yvejsit nga Gjakova.
Shkrimtari Mexhid Yvejsi me krijimtari letrare filloi të merret qysh në moshën rinore dhe vazhdon tani edhe më me vrull  në moshën e tij të pjekur, të fillimit të pleqërisë së tij. Krijimtaria e tij letrare përfshin një periudhë 50 vjeçare, apo plot gjysmë shekull, gjatë së cilës ka shkruar mbi 1500 punime të ndryshme të llojeve të ndryshme letrare. Shkruan poezi, prozë, tregime, shkrime publicistike, hulumtime, studime, monografi, punime shkencore,  studime fetare…
Lirisht mund të thuhet se  shkrimet e tij janë publikuar në të gjitha trojet shqiptare si dhe në diasporën shqiptare. Përveç krijimtarisë letrare merret edhe me përkthime, ashtu që nga gjuha angleze ka përkthyer poezi, libra, shkrime, publicistikë etj. Gjer tani ka  shkruar 25 libra të profileve të ndryshme letrare, nga të cilat i ka  botuar  15 libra, e disa prej tyre janë ribotuar edhe për herë të dytë dhe të tretë. Prej shkrimeve dhe poezive të shumta, disa  janë përkthyer në gjuhë të ndryshme sikurse në gjuhën angleze, boshnjake, turke, arabe dhe perse.
Shkurt e shqip, plot gjysmë shekulli me laps në dorë në fillim,  pastaj makinë me shkrim, e tani me llaptop në dorë, Mexhid Yvejsi vetëm shkruan, shkruan e shkruan ditë e natë, sado pak për të udhëzuar, për të frymëzuar popullin e vet  shqiptar, nga gjiri i të cilit lindi dhe i takon me shpirt, me vepër,  me guxim, me njohuri, me dituri, me krijimtari..
Libri i tij i botuar në përmbyllje të vitit 2013 ka titullin :
” 101 Personalitete (Fetare, atdhetare, kulturore, letrare)” ku janë përfshirë 101 personalitete shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare si dhe nga diaspora shqiptare, të cilët me veprimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të veçantë dhe me këtë libër autori Mexhid Yvejsi i bën ata të mbeten përherë të shënuar dhe kurrë të harruar në historinë e popullit shqiptar. Libri fillon me fjalën hyrëse në të cilin autori përveç tjerash shkruan:”Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar zanafillën e përbashkët të të gjitha qytetërimeve, të cilët gjatë shekujve janë çapitur në mënyra e trajta nga më të ndryshmet. Ky pohim mund të qëndrojë në themel të konceptit të ekzistencës së një bashkësi njerëzore të vetme, ndërsa kapërcimi i kufijve në hapësirë dhe në kohë nga ana e kombeve dhe e sistemeve ekonomike, çon drejt globalizmit kulturor. Një sërë zhvillimesh të sotme sjellin argumente në mbështetje të idesë në themel të procesit të globalizmit qëndron pikërisht kultura”.
Më tutje autori në parathënie të librit jep disa të dhëna tejet interesante për kulturën, religjionin, Islamin ndër shqiptarët, Islamin në Evropë, Ulematë shqiptar etj.    Pas kësaj vijon përmbajtja e librit, monografia e 101 personaliteteve të shquara shqiptare, për të cilët autori veç e veç përshkruan. Karakteristika e veçantë e kësaj monografie  nga autori është në atë se disa nga këta personalitete autori i ka njohur  për së afërmi, duke pas rast të bisedojë dhe të kuvendojë me ta, me ç’rast edhe shkrimet që i ka bërë për disa personalitete, janë të dorës së parë, dhe të shkruara në mënyrë origjinale nga vet kujtimet dhe bisedat me ta. Këtu edhe qëndron veçoria e këtij libri, që e bën edhe më interesant për lexuesit shqiptar. Nga 101 personalitete të përfshirë në libër do të përmend disa  personalitete të paraqitura në monografi nga të gjitha trojet shqiptare  dhe nga diaspora shqiptare me të cilët ka pas rast autori të takohet, të bisedoj dhe të kuvendojë me ta: hafiz Ymer Guta, myderiz Hasan Dashi, myderiz Sali Myftia, imam Beqir Maloku, baba Qazim Bakalli, agronom Ago Agaj, myderiz Tahir Thaçi, hafiz Bajram Agani, baba Rexhep Beqiri, hafiz Tahir Kolgjini, hafiz Fahri Ilijazi, inxhiner Xhafer Deva, myderriz Hasan Nahi, dr.Rexhep Krasniqi, hafiz Selim Yvejsi, mulla Sadri Prestreshi, imam Isa Hoxha, haxhi Hasan Vuçitërna, imam Vehbi Ismaili, hafiz Safet Basha, mulla Sherif Ahmeti, hafiz Sabri Koqi, dr. Faik Luli, mr. Hamdi Thaçi, inxh. Idriz Vuçitërna, mr. Hajdar Salihu, prof.Jashar Salihu, mulla Jakup Hasipi, sheh Zejnel Abidini. Personalitet tjerë të cilët janë të përfshirë në këtë  monografi,  do të veçoja disa sosh si p.sh.: Muhamed Kyqyku, Hasan Tahsini, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Rexhep Voka, Ali Riza Ulqinaku, Rrystem Shporta, Vehbi Dibra, Ymer Lutfi Paqarizi, Musa Shehu, Mehmet Akif Ersoj, Hafiz Ali Korça, Hoxha Kadri Prishtina, Hafiz Ibrahim Fehmiu,Mulla Idriz Gjilani, Dr. Hasan Kaleshi, etj.
Libri i dytë i tij i botuar në fillim të vitit 2014 është me titull:
” Rrënjët Tona  (Monografi) (një familje me pesë mbiemra)”, ku autori Mexhid Yvejsi  paraqet një monografi  të shkurtët të familjes së tij. Një karakteristikë e veçantë që e bën librin interesant për lexuesit, është se si një familje e njëjtë nga trungu, veçohet me pesë mbiemra të ndryshme që kanë momentalisht, e i përkasin të së njëjtës familje. Në fjalën hyrëse të tij Mexhid Yvejsi shkruan përveç tjerash: ” Monografia  në të shumtën e rasteve është një ese shkencore, përshkrim i gjatë i shkruar në formën e një libri apo ditari. Ajo është një përkufizim i një dokumenti të vetëm që formon një tekst të plot në vetvete. Askush nuk ka të drejtë të krenohet me pamjen e vet, sepse nuk e ka krijuar atë. Askush nuk ka të drejtë të krenohet me prejardhjen e vet, sepse nuk e ka zgjedhur atë. Për librin kanë thënë se është i vetmi kopsht që mbillet për të tjerët…”.
Në parathënie autori Mexhid Yvejsi jep disa shënime tejet interesante për historinë e mbiemrave, mbiemrat tek shqiptarët, mbiemrat në Gjakovë, përkufizime për familjen dhe përkufizimin e saj sipas sociologëve, antropologëve, familjen në Islam, kuptimin e pesë mbiemrave të një familje, për trungun e familjes së tij me pesë mbiemra, familja Efendia,Murtezai, Ilijasi, Thaçi dhe Yvejsi. Përmbajtja e librit përshin personalitetet dhe portretet e familjes me pesë mbiemra, nga të cilat do të veçoja në këtë shkrim disa sosh si p.sh.: hafiz Yvejs Efendia, hafiz Ismail Efendija, hafiz Iljaz Efendija, dr. Talat Efendia, dr. Ekrem Myrtezai, hafiz Fahri Iljazi, dr. Ali Iljazi, myderriz Tahir Thaçi, mr. Hamdi Thaçi, hafiz Selim Yvejsi dhe vet autorin Mexhid Yvejsi. Nga një familje me pesë mbiemra do të theksoja edhe personalitete të cilët kanë lënë gjurmë në krijimtari të llojeve të ndryshme, që janë:dr. Talat Efendija, Masar Myrtezai, dr. Ekrem Myrtezai, dr. Ali Iljazi, mr. Hamdi Thaçi dhe Mexhid Yvejsi.
 
15 librat e botuara gjer tani të shkrimtarit Mexhid Yvejsi janë:

  1. “Prej errësirës në dritë”, Shkup, 1997,
  2. “Në shërbim të Zotit, të popullit” Gjakovë, 1998,
  3. “Lavdi Zotit, Kosova do të jetojë”, Prizren, 1999,
  4. “Pse nuk duhet të kremtohet 2000 vjetori”, Gjakovë, 2000,
  5. “Ilaçi i lumturisë”, Gjakovë, 2000,
  6. “Për Fe e Atdhe”, Gjakovë, 2001,
  7. “Kështjellat e gjakut tonë”, Gjakovë, 2002,
  8. “Ylematë e Gjakovës, Mburoja e Kosovës”, Gjakovë, 2003,
  9. “Rrëfime të vërteta”, Prishtinë, 2004
  10.  “99 emrat e bukur të Allahut”, Gjakovë, 2010,
  11. “Prejardhja e festave”, Gjakovë, 2011,
  12. “Në dritë të njohjes”, Gjakovë, 2012,
  13. “Hafizët e Gjakovës, krenaria e Kosovës”, Gjakovë, 2013,
  14. “101 personalitete” Prishtinë, 2013,
  15. “Rrënjët tona”, Gjakovë, 2014.

Dhashtë Zoti që shkrimtari Mexhid Yvejsi të ketë shëndet dhe jetë, dhe të vazhdojë me shkrimin dhe botimin e librave të tjerë, së paku një në vit!
 
Faik MIFTARI
 101
rrenjet