Categories
Lajme

E pranojnë grekët: Po, çamët kanë vuajtur genocidin

• “Po. Grekët kanë ushtruar genocid ndaj popullsisë çame”. Këtë radhë kanë qenë akademikët-historianë grekë, të cilët për herë të parë kanë pranuar se çamët shqiptarë kanë vuajtur pasojat e dhunës dhe dëbimit.
 
Studimi i tyre dëshmon për fakte që zbardhin të vërtetën. Të dhënat janë bërë me dije në një takim që studiuesit kanë zhvilluar me përfaqësues të forumeve dhe studentë, në një nga auditorët e Universitetit të Padios në  Athinë. Por lajmi është publikuar edhe në televizionin më të madh grek “Alpha”. Sipas këtij televizioni, studimi i historianëve pranë Institutit të Qendrës së Grupimeve të  Minoriteteve për çamët dhe historinë e tyre në rajon ka ndezur gjakrat nga forumet ekstremiste të karakterit fashist si “Hrisi Avgise” (Agimi i Artë) dhe organizatës së “Voriopirotëve”. Në sallë pati reagime të ashpra kur studiuesit deklaruan për herë të parë publikisht “se më tepër se 50 mijë çamë u larguan në mënyrë të dhunshme prej grekëve, të cilët u vranë, u çnderuan dhe u vodhën pasuritë e tyre. Ndërkaq 75 çamë u pushkatuan padrejtësisht në Paramithia nga grekë”. Kaq mjaftoi dhe një pjesë e të pranishmëve reaguan duke kundërshtuar me forcë të dhënat e studiuesve. Madje, njëra prej forcave ekstreme argumentoi faktin e pushkatimeve të çamëve, duke i cilësuar aleatë të okupatorit. Por kjo u hodh poshtë nga historianët akademikë grekë, të cilët theksuan se ndryshe nga sa është bërë publike deri tani, nuk kanë qenë çamët bashkëpunëtorë të nazistëve, por minoritarët grekë që jetonin në Shqipëri ishin aleatë të okupatorëve. Sipas tyre, përveç fakteve historike, këtë e tregon numri tepër i vogël i të pushkatuarve në radhët e minoritarëve grekë në Shqipëri, krahasuar me numrin e të pushkatuarve në radhët e çamëve. “Në sallë u dëgjua zhurmë dhe thirrje, por njëri nga akademikët grek i sqaroi të pranishmit ekstremistë se pikërisht grekët “vorio-epiriotë” iu bashkuan forcave naziste gjermane dhe si aleatë arritën të kryejnë reprezalje ndaj popullsisë vendase shqiptare”, ka raportuar televizioni “Alpha”.
Studimi
Sipas historianëve, studimi i tyre është i bazuar në fakte dhe dëshmi, të cilat tregojnë qartë genocidin ndaj çamëve me dëbime dhe thirrje nga grekët, të cilat janë të paraqitura dhe me regjistrime filmike. Në studim thuhet se, pasuritë e sekuestruara të shqiptarëve në Thesproti në dy vitet 1923-1925, iu dhanë grekëve refugjatë, të kthyer me dhunë prej trojeve të pushtuara prej turqve në disa krahina të Azisë së Vogël, ku dhe aty është përdorur genocid ndaj grekëve nga turqit. Sipas televizionit “Alpha”-s, ky studim i Institutit të Qendrës së Grupimeve të Minoriteteve vjen për herë të parë duke zbardhur publikisht nga ana e historianëve grekë të vërtetën ndaj popullsisë çame. Madje, ky studim i rëndësishëm që përbën një shok për opinionin e gjerë grek, vlerësohet nga ana e historianëve si një mendim për autokritikë ndaj kësaj pjese që ka provuar të vërtetën e hidhur. Sipas “Alpha”-s, mbetet enigmatik fakti nëse ky studim është një material i dobishëm për momentet e tanishme apo do të hapë një plagë në trupin e gjakosur të krahinës së Epirit.  Në ditët në vazhdim priten reagimet e politikës greke për faktet e reja kur dihet që shumë probleme lidhen edhe me faktin e pavarësisë së Kosovës. Në pjesën më të madhe të mediave greke së fundmi po diskutohet gjatë se me lindjen e shtetit të ri të Kosovës, për shqiptarët oreksi shtohet me idenë e “Shqipërisë së Madhe” të bashkimit të trojeve të tyre.
Parulla
“S’ka Shqipëri pa Kosovë e Çamëri”. Kjo është vetëm një nga parullat e valëvitura më 17 shkurt dita kur Kosova u shpall e pavarur. Në mediat greke, ajo ka qenë më e transmetuara bashkë me komentet për rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”. Popullsia çame prej dekadash tashmë kërkon kthimin e pronave të marra nga grekët në vitet 1923-1925. Këtë çështje ata e kanë çuar madje edhe në gjykatat ndërkombëtare. Pala greke nuk ka pranuar asnjëherë gjenocidin, dhe ka kërkuar të mos i kthehet më çështjes. Studimi i historianëve i publikuar ditët e fundit përbën një risi.
Burimi, gazeta “Panorama”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version